Thesar me vepra arti "arti të degjeneruar"
5 Nëntor 2013Pas pirgjesh me kuti konservash të skaduara dhe kutish të vjetra kartoni u gjetën në Munih para dy vjetësh piktura me vlerë të paçmueshme. Tani me këtë rast do të merren fillimisht juristët. Por edhe drejtorëve të muzeumeve dhe ekspertëve për veprat e artit që janë grabitur ka të ngjarë t'u dalë shumë punë. Zbulimi i 1.500 veprave të artit të plaçkitur nga nazistët është për të gjithë një surprizë dhe zbulimi më i madh në këtë lloj në historinë gjermane të pasluftës. Fjala është për piktura të Pablo Picassos dhe Henri Matisse, të Marc Chagall dhe Max Beckmann apo pikëtorëve të tjerë të mëdhej në historinë e artit.
Hetuesit e policisë doganore i gjetën pikturat në banesën e Rolf Gurlitt Nicholas Cornelius. Ata i takonin babait të tij, tregtarit të njohur të veprave të artit Gurlitt Hildebrand, i cili vdiq në vitin 1956. Në vitet 1920-të dhe 1930-të ai ishte drejtor i Muzeut në Zwickau dhe më pas i Shoqatës së Artit në Hamburg. Ai konsiderohej si koleksionist dhe përkrahës i artit modern. Pas ardhjes në pushtet të nazistëve, ata e quanin artin modern si "art të degjeneruar" dhe prandaj i konfiskuan këto vepra dhe e pushuan Gurlitt nga puna me motiv "për angazhimin e tij për artin bashkëkohor" por edhe për shkak se Gurlitt nuk ishte "arian i pastër".
Ndryshimi i shpirtit kritik
Por në vitet e mëvonshme Gurlitt u përshtat me kushtet e reja dhe bashkëpunoi me nazistët. Së bashku me tre tregtarë të tjerë Hildebrand Gurlitt u ngarkua të organizonte tregtinë e veprave të artit, e cila qe e kontrolluar nga nazistët. Fjala qe për vepra nga arti bashkëkohor, që u konfiskuan nëpër muzeume, sepse quheshin si "art i degjeneruar" dhe filluan të shiteshin për llogari të qeverisë naziste sidomos jashtë Gjermanisë. Kryesisht ato ishin vepra moderne, sidomos të ekspresionizmit gjerman. Por disa prej pikturave i blenë vetë tregtarët, sikurse thotë për Deutschen Wellen Dr. Uwe Hartmann, Drejtori i Qendrës federale për Hulumtime për Origjinën e Veprave të Artit.
Ende mëdyshje rreth vleräs së veprave të gjetura
Historiania e artit Meike Hoffmann, e cila ka dy vjet që merret me koleksionin e gjetur në Mynih, tha për DW se sipas vlerësimeve të para pikturat mund të shiten në tregun aktual të artit për rreth 1 miliardë euro. Eksperti tjetër Stefan Koldehoff është skeptik për këtë shumë. Si ai mendon edhe Uwe Hartmann. Por ekspertët shtrojnë edhe pyetjen, se pse kaluan dy vjet deri sa u bë publik zbulimi i koleksionit. Një nga shpjegimet është se në mes të pikturave të gjetura mund të ketë edhe shumë që u takojnë familjesh çifute, të cilave nazistët ua kanë marrë me forcë. Në një rast të tillë, pritet të ketë një seri procesesh gjyqësore.
Në këtë kuadër në Gjermani po diskutohet edhe për rolin e tregtarëve të ankandit të veprave të artit në kohën e nazizmit. Juridikisht ata nuk mund t'i vësh para përgjegjësisë, sepse ata kanë blerë dhe kanë shitur vepra arti. Por moralisht po, sepse Hildebrand Gurlitt dhe tregtarë të tjerë veprash arti, ishin përfitues të regjimit nazist dhe janë pasuruar prej tregtisë me vepra arti të grabituara apo të konfiskuara prej nazistëve atë kohë.