170511 IWF-Chef Nachfolge
18 Maj 2011Shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar në pranga - këto pamje nuk i kanë pëlqyer aspak, njoftoi Jean Claude Junker pak para mesnatës. Kjo e pikëlloi shumë atë. Ndërsa pyetjen se kush do të jetë pasuesi i Dominique Strauss-Kahn-it ai e refuzoi me zemërim: "Për sa kohë që zoti Shtraus-Kahn nuk ka dhënë dorëheqje, dhe unë nuk sugjeroj që ai ta bëj këtë, unë refuzoj të përgjigjem në këtë pyetje."
Është thjesht skandaloze që disa qeveri kanë filluar tashmë këtë debat, tha Jean Claude Juncker, kreu i Euro-Grupës. Vetëm disa orë më vonë, edhe ministrja e Financave të Austrisë Maria Fekter u pyet nëse Dominique Strauss-Kahn duhet të japë dorëheqjen. "Ju e dini, ky është një rast i drejtësisë. Dhe unë nuk i komentoj çështjet gjyqësore. Por duke marrë parasysh gjendjen e krijuar, faktin që është refuzuar edhe kapari për lirimin e tij atëherë ai duhet të medojë vetë për këtë përndryshe i shkakton dëm institucionit."
Nga kjo kuptohet - dorëheqje për të shmangur dëmet ndaj FMN-së. Për evropianët paraqitet vetëm një problem. Dhe ai u ngrit fillimisht në Berlin nga zëdhënësi i qeverisë Seibert Steffen, i cili foli në emër të kancelares Merkel: "Evropa nuk ka abonim për këtë post drejtues."
Edhe pse në praktikë deri tani në këtë post gjithmonë ka qenë një evropian. Por ky është një ligj i pashkruar. Amerikanët marrin postin e Bankës Botërore, evropianët atë të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Vendet në ekspansion si Kina, India dhe Brazili i vënë në pikëpyetje këto pretenedime si të thuash automatike. Në qoftë se Strauss-Kahni do të duhej të lironte tani me turp postin e shefit të FMN-së, atëherë në Bruksel druhen se ky post kaq i rëndësishëm mund të humbet komplet nga evropianët. "Nuk e shpresoj këtë", tha ministri belg i Financave Didier Reynders dhe shtoi: "Unë shpresoj që ne në Evropë të arrijmë një konsensus. Tani ne kemi këtë barazpeshë në mes të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Me siguri që në vitet e ardhshme kjo mund të zhvillohet. Por unë mendoj se do të ishte mirë që të preferohet që ne të mbajmë edhe më tutje këtë post", tha ministri belg.
Evropianët druhen se një shef i FMN-së nga Kina apo India ndoshta do t'i kushtonte më pak kujdes euros së goditur nga kriza. Në Berlin shpresohet që ky post të zihet nga një gjerman. Meqenëse posti i drejtorit të Bankës Qendrore Evropiane do të zihet nga italiani Mario Draghi, janë shtuar spekullimet që në postin e shefit të FMN-së të zgjidhet një gjerman. Gazetat dhe agjensitë e lajmeve kanë filluar të përmendin edhe emrat e mundshëm për këtë post si për shembull: Axel Weber, i cili tash nuk arriti të bëhet shef i Bankës Qendrore Evropiane, Thomas Mirow, shefi i bankës Evropiane për Rindërtim apo ish ministri gjerman i Financave, Peer Steinbrück.
Autor: Andreas Reuter/ Esat Ahmeti
Redaktoi: Aida Cama