1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

ThyssenKrupp: Fushë beteje e re në industrinë gjermane

Nadine Michollek
13 Dhjetor 2024

Kompania më e madhe gjermane e çelikut planifikon të shkurtojë mijëra vende pune e të mbyllë një fabrikë në ristrukturimin e dhimbshëm të një gjiganti industrial gjerman. Punëtorët kanë premtuar rezistencë të ashpër.

Foto e një demonstrimi nga punëtorët e metaleve në kuader e diskutimeve midis perfaqesuesve të industrisë së çelikut dhe qeverisë në një samit kombëtar të çelikut të mbajtur në Duisburg në shtator 2024.
Punëtorët e metaleve në Duisburg në shtator 2024Fotografi: Ying Tang/NurPhoto/picture alliance

"Më thyhet zemra! Nuk mund t'i trajtosh njerëzit kështu. Ne kemi punuar kaq shumë për ThyssenKrupp," tha Helmut Renk, 62 vjeç, kryetar i këshillit të punonjësve në kantierin e çelikut Kreuztal-Eichen, në Gjermani.

Renk shprehu zemërim dhe zhgënjim për mbylljen e mundshme të fabrikës, ai shtoi se kishte punuar atje për 40 vjet, ashtu si babai i tij më parë dhe djali i tij sot. Sipas Ulrike Hölter, drejtuese e sindikatave, shumë punonjës të gjigantit gjerman të çelikut ndajnë pakënaqësinë e Helmut Renkut. Si përfaqësuese e seksionit qendror të Luginës së Ruhrit të sindikatës së punuesve të metaleve IG Metall, Hölter tha se punëtorët e metaleve janë veçanërisht të zemëruar me menaxhmentin dhe të shqetësuar për të ardhmen e tyre.

Ajo është e bindur se pushimi i afërt i 500 punëtorëve të metalit të Kreuztal-Eichen jo vetëm që do të ketë pasoja për qytetin e vogël të Gjermanisë perëndimore, por do të ndihet në të gjithë vendin.

Fabrika Thyssenkrupp në Kreuztal-Eichen, Gjermani, kërcënohet me mbyllje.Fotografi: Hans Blossey/ZB/euroluftbild.de/picture alliance

Çfarë planifikon ThyssenKrupp?

Në fund të nëntorit, ThyssenKrupp Stahl Europe (TKSE) tha se do të shkurtonte 11.000 vende pune, duke përfshirë 5000 deri në vitin 2030 dhe 6000 të tjera përmes shitjeve. Këto shkurtime të vendeve të punës përfaqësojnë rreth 40% të fuqisë totale të punës prej 27.000 punonjësish të kompanisë në Gjermani.

Fabrika Kreuztal-Eichen, e specializuar në përpunimin e çelikut, duhet të mbyllet plotësisht.

TKSE gjithashtu njoftoi se do të reduktonte kapacitetin e përgjithshëm të prodhimit të çelikut nga 11.5 milion tonë në pak më pak se 9 milion tonë duke shitur aksionet në Hüttenwerke Krupp Mannesmann (HKM) në Duisburg, Gjermani.

Megjithatë, nëse kjo shitje nuk do të jetë e mundur, TKSE tha se do të shqyrtonte skenarët e mbylljes me aksionerë të tjerë. Përveç kësaj, një fabrikë në Bochum pritet të mbyllet deri në vitin 2027, tre vjet më herët se sa ishte planifikuar.

"Masat urgjente janë të nevojshme për të përmirësuar produktivitetin dhe efikasitetin operacional të ThyssenKrupp Stahl dhe për të arritur një nivel kostoje konkurruese,” tha kompania në një deklaratë.

Synimi është të reduktohen kostot e personelit me rreth 10% mesatarisht gjatë viteve të ardhshme.

Pse është në vështirësi ThyssenKrupp?

TKSE, njësia e prodhimit të çelikut të konglomeratit industrial ThyssenKrupp, është prodhuesi më i madh i çelikut në Gjermani. Kompania përballet me mbikapacitete në rritje dhe konkurrencën intensive nga importet më të lira të çelikut nga Azia. Përveç kësaj, industria shumë e rëndësishme e automobilave në Gjermani ndodhet në një tranzicion drejt automjeteve elektrike, gjë që ka çuar në uljen e kërkesës për çelik.

Për më tepër, qeveria aktuale e kancelarit Olaf Scholz është përpjekur ta bëjë prodhimin e çelikut në Gjermani më pak ndotës, duke zgjedhur TKSE në Duisburg si projektin kryesor në botë për furrat e para me hidrogjen. 

Megjithatë, nuk është e sigurt nëse miliarda në subvencione publike të dhëna për çelikun "e gjelbër", të prodhuar pa emetim karboni, do të jenë ndonjëherë fitimprurëse.

Fabrika e ThyssenKrupp, DuisburgFotografi: Jana Rodenbusch/REUTERS

Gjithashtu, në gusht, disa anëtarë të bordit mbikqyrës të TKSE dhanë dorëheqjen, duke akuzuar menaxhmentin se nuk ka investuar mjaftueshëm në departamentin e çelikut për të ruajtur aftësinë konkurruese të saj.

Gerhard Bosch nga Universiteti i Duisburg-Essen-it ia atribuon një pjesë të krizës edhe investimeve të pamjaftueshme. "ThyssenKrupp Stahl ka probleme me cilësinë dhe investimet, që vijnë nga vendimet e dobëta të biznesit”, tha ai për DW.

Në ethet e ndryshimit

Gerhard Bosch, ish-anëtar i bordit mbikëqyrës të ThyssenKrupp, beson se kriza e kompanisë rrezikon të përhapet në punë të panumërta përtej fuqisë së saj punëtore, sepse çdo punë në industrinë e çelikut "përgjithësisht mbështet të paktën një punë tjetër" në të gjithë zinxhirin e furnizimit në Gjermani.

Rajoni i Ruhrit ishte dikur zemra industriale e Gjermanisë, me miniera të shumta qymyri dhe mullinj çeliku të përqendruara rreth qyteteve të Duisburgut dhe Essenit. Pas mbylljes së minierës së fundit të qymyrit në vitin 2018, përfundoi një epokë, duke lënë plagë të thella dhe një rajon ekonomikisht në depresion.

Industria e çelikut dhe e qymyrit në Luginën e Ruhrit qëndronte pas mrekullisë ekonomike të Gjermanisë pas luftës

Papunësia atje është ende më e lartë se në pjesën tjetër të Gjermanisë, tha Gerhard Bosch, dhe humbja e vendeve të punës në industrinë e çelikut "do të godasë rëndë Duisburgun".

Megjithatë, industria gjermane e çelikut nuk është i vetmi sektor industrial aktualisht i prekur nga ndërprerje masive. Shumë kompani të tjera planifikojnë të shkurtojnë vendet e punës, duke përfshirë prodhuesit e automjeteve Volkswagen dhe Ford, si dhe gjigantin e teknologjisë Bosch.

Ekonomia e Gjermanisë e drejtuar nga eksporti po sheh rënie të kërkesës për produktet e saj në nivel global dhe pritet të tkurret për të dytin vit radhazi, sipas shumë parashikimeve.

Kryetari i këshillit të punonjësve Helmut Renk (në qendër)premtoi rezistencë masive ndaj planeve për mbylljen e fabrikaveFotografi: Federico Gambarini/dpa/picture alliance

Sindikatat, sfiduese, premtojnë të luftojnë

Ndërkohë, sindikatat gjermane, veçanërisht sindikata e fuqishme e punimeve të metaleve IG Metall, po përgatiten për një betejë të gjatë për të shpëtuar punët e kërcënuara.

Frank Patzelt, punëtor i fabrikës së petëzimit dhe anëtar i sindikatës TKSE në Bochum, tha se ndërsa disa kolegë ndihen të pashpresë, shumë janë gatitë luftojnë.

"Nëse qëndrojmë së bashku, mund të arrijmë rezultate më të mira për veten tonë”, tha ai për DW.

 

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë