Thyssenkrupp-in e largojnë nga DAX
5 Shtator 2019
Arsyeja për zhvlerësimin e sipërmarrjes është rënia e kursit të aksionit. Kjo u njoftua nga Deutsche Börse (Bursa Gjermane) në Frankfurt. Zbritja nga niveli më i lartë i vlerave të tregut të aksioneve është për gjigantin industrial me histori 200 vjeçare një humbje prestigji.
"Që jemi të zhgënjyer nga dalja prej Dax-it, kjo as diskutohet. Si anëtar themelues, do të donim të kishim mbetur pjesë e indeksit", komentoi kryetari i Kryesisë i Thyssenkrupp-it, Guido Kerkhoff për largimin nga bursa, që do të hyjë në fuqi në 23 shtator. "Por duhet të jesh i sinqertë: Performanca jonë ishte shumë e dobët, kështu që... është pasoja logjike," shtoi ai.
Gabim pas gabimi
ThyssenKrupp-i ka qenë në krizë për një kohë të gjatë. Investime të gabuara prej miliardash në uzina çeliku në Brazil dhe SHBA. Shkrirja me koncernit konkurent indian TATA, që u shpall si hap shpëtimtar u ndalua nga BE. Kerkhoffi atëherë e anuloi edhe ndarjen e koncernit në dy sipërmarrje të veçanta. Për të sjellë para në arkat e zbrazëta, Kerkhoff planifikon vajtjen në bursë ose një shitje të degës fitimprurëse të ashensorëve. Vlera e kësaj dege vlerësohet nga analistët shumë më e lartë se ajo e të gjithë koncernit, me afërsisht 160.000 punonjës në të gjithë botën.
Për punonjësit, zbritja në Dax nuk ka pasoja të drejtpërdrejta. Sidoqoftë, ata preken nga ristrukturimi i koncernit, i cili do të sjellë eleminimin e 6000 vendeve të punës, 4000 prej tyre në Gjermani.
cgn/mak (dpa, rtr)