1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

TI: Në përgjithësi ka lajme të mira nga rajoni i Evropës Juglindore

26 Tetor 2010

Organizata e njohur - si koalicioni botëror kundër korrupsionit - Transparency International publikoi sot rezultatet e indeksit të korrupsionit për vitin 2010.

Symbolbild Korruption Geldscheine Euro
Fotografi: picture-alliance/dpa

Indeksi liston 178 vende, për perceptimin e korrupsionit sidomos në sektorin publik. Ai i vendos vendet skandinave dhe disa vende të BE-së në vendet e para, për nivel të ulët korrupsioni. Vendi i parë këtë vit është Danimarka, i fundit Somalia, Shqipëria zë vendin e 87, ndërsa Kosova, që paraqitet për herë të parë në kete indeks zë vendin e 110. Drejtori i TI për Evropën dhe Azinë, Miklosh Marschall dha një intervistë.

Deutsche Welle: Indeksi i korrupsionit për vitin 2010 tregon se mjaft vende të listuara aty, pëfshi edhe vendet e Evropës juglindore kapin një rezultat, ose "notë" nën pesë. Po bëjmë hapa mbrapa në luftimin e këtij fenomeni global?

Miklosh Marschall: Nuk mendoj kështu. Korrupsioni mbetet një problem i madh, ka disa hapa mbrapa në disa vende të botës, por po të shohim rajonin e Evropës juglindore, mendoj se lajmi i mirë është është që rënia si fenomen, në klasifikimin e këtyre vendeve ka ndalur. Vendet e rajonit evropiano- juglindor kanë filluar të ngjiten në renditje, ngadalë por të sigurtë. Kështu në përgjithësi ka lajme të mira nga ky rajon. Sigurisht të gjitha vendet e rajonit juglindor me përjashtim të Sllovenisë, si vend i BE-së paraqesin një rezultat nën pesë (rezultati maksimal 10), por po të shihni "vlerësimin" ka disa përmirësime në rezultate, si për shembull në Maqedoni, një përmirësim të vogël kemi edhe në Shqipëri. E rëndësishme është se duket tendenca e përmirësimit, në qoftë se merrni rajonin si tërësi, pra sistemi po përmirësohet, megjithëse korrupsioni mbete një problem i brendëshm."

Si do ta shpjegonit këtë përmirësim?

Mendoj ështe qartë se cili është shpjegimi. Shpjegimi është i thjeshtë, qasja drejt Bashkimit Evropian, shansi që kanë këto vende të rajonit t'i bashkohen BE-së, herët a vonë. Kjo sjell një stimul të madh për reformuesit. Sigurisht që ka ende shumë për të bërë. Po të flasim për Shqipërinë apo Kosovën, shohim se një vlerësim 3,3 për këtë vend dhe 2,8 për Kosovën nënkupton probleme të thella të korrupsioni. Megjithatë ka shenja për ndryshim.

Cilët faktorë pengojnë përmirësimin e situatës në Shqipëri për shembull?

Mendoj se ajo që ju e dini "Corruption Perception Index"-indeksi i perceptimit të korrupsionit", e theksoj, perceptimi, do të thotë, opinion i ekspertëve, pra ata që punojnë për Shqipërinë dhe me Shqipërinë. Ajo që reflektojnë këto opinione është cilësia e përgjithshme e sektorit publik. Ka përmirësime në Shqipëri. Integriteti i institucioneve publike ngadalë po shkon drejt përmirësimit, shërbimet qeveritare po ashtu, edhe sistemi i administratës publike. Mendoj se njëra nga problemet e mëdha, dhe kjo është një çështje serioze, - ja pse indeksi nuk është përmirësuar aq shumë - është lufta e ashpër politike, që krijon një lloj mungese të stabilitetit. Ky është një problem që Shqipëria duhet ta zgjidhë shpejt, sepse konkurenca politike është e pranueshme, por lufta dhe mungesa e bashkëpunimit, dhe aftësisë për kompromis është një çështje serioze. BE bazohet në kooperim dhe kompromis. Në një atmosferë kaq të përçarë politike, tema, çështja e korrupsionit mund të rrëmbehet nga elita politike, dhe ata e përdorin atë për të sulmuar njëri-tjetrin. Kjo nuk ndihmon.

Në Shqipëri ekziston mungesa e besimit tek politikanët, që jo rrallë të akuzohen për korrupsion. Nganjëherë të duket se korrupsioni është edhe një fenomen shoqëror. Vetë qytetarët e praktikojnë ryshfetin, për të marrë një dokument apo për t'u trajtuar më mirë nga mjeku. Si mund të shpëtojë një shqoëri nga një rreth i tillë vicioz?

Sigurisht që kjo kërkon kohë. Nuk ka zgjidhje te lehta. Ende ekziston korrupsioni në sistemin e shëndetësisë, të arsimit, apo "dhurimi" në forma të ndryshme që bëhet për ta përfituar një shërbim. Megjithatë sa kohë që vazhdojnë reformat, edhe kjo formë do të vazhdojë të reduktohet. Kjo ka qenë përvoja jonë në vendet në tranzicion. Mendoj se ilaçi më i mirë për këta sektorë është përshpejtimi i reformave, modernizimi i mëtejshëm i administratës publike, të paguhen rroga dinjitoze, të trajnohet administrata efektivisht, të reduktohet burokracia. Kjo sigurisht kërkon kohë, një dekadë ndoshta edhe më shumë.

Kosova u shfaq për herë të parë në indeksin e Transparancy Ínternational. Si do ta vlerësonit ju vendin e 110-të për një shtet të ri?

Mendoj se ky është një rezultat që pritej. Sepse siç thashë indeksi mat cilësinë e përgjithshme të institucioneve publike, dhe një vend që ndodhet në fillim të shtetmërisë së tij, kërkon kohë që këto institucione publike të fillojnë të funksionojnë siç duhet. Rezultati i vlerësimit është i ulët, 2,8 që tregion cilësi të pamjaftueshme të intitucioneve publike në shërbimet e tyre, nga ana tjetër janë realiste, tregon se Kosova është në fillim të zhvillimit dhe sfida në këtë drejtim për Kosovën është ngrejë institucionet publike dhe sistemin juridik dhe autoritetet fiskale, kjo kërkon kohë, por tendenca në tërësi është pozitive, unë jam optimist."

Intervistën e zhvilloi Lindita Arapi

Redaktoi: Aida Cama

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë
Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW