1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Romët në Tiranë në kërkim të një strehe

Ani Ruci13 Gusht 2013

Pronari i terrenit – shembje e barakave të romëve për një ndërtim shumëkatësh prej betoni.

Fotografi: DW/K. Blazevska

Çifti rom, Shpëtim dhe Dallëndyshe Sinani me 4 fëmijët e tyre prej disa ditësh nuk banojnë më në barakën e tyre prej plastmasi, të ngritur pranë tregut të rrobave të përdorura në “ Qytetin e Nxënësve”. Bashkë me 36 familje të tjera rome ata kanë jetuar atje prej më se 10 vitesh. Por terrenit ku ngrihen barakat e tyre, ku zhurmojnë fëmijë të shumtë, hapen thasë me rroba të përdorura, rriten kuajt dhe gjëmon dajrja të dielave i ka dalë pronari, që kërkon të ndërtojë në pronën e tij një ndërtesë shumëkatëshe. Një kompani ndërtimi, “Park Construction Albania” e rrethoi në fillim të këtij muaji terrenin dhe u kërkoi familjeve rome të largohen brenda një jave. "Baraka jonë ishte afër murit rrethues. Po ne nuk ikëm, ku të shkonim? Atëhere punëtorët e kompanisë erdhën dhe na e prishën barakën bashkë me ato të 7 familjeve të tjera rome. Mblodhëm në disa dëngjë plaçkat tona, morëm kalin dhe jemi jashtë, strehohemi buzë përroit që kalon aty afër, por ditën vijmë këtu, ku brenda murit rrethues kanë mbetur familjet e tjera rome, që ende nuk i kanë nxjerrë me forcë, si na nxorrën ne. Jemi jashtë, me 4 fëmijë, më i vogli 2 vjeç” thotë Kujtim i dëshpëruar.

Të pastrehë, të papunë, analfabetë

Rreth 200 romët që kanë ngritur barakat e tyre në terrenin me pronar pranë tregut të “Qytetit të Nxënësve” janë një pjesë e komunitetit rom prej 15 mijë vetësh që jeton në Tiranë. Vetëm një pjesë e vogël e tij ka arritur të lërë barakat prej plastmasi të ngritura në zonat periferike të Tiranës dhe të marrë një shtepi cfarëdo. Shumica e romëve të Tiranës janë të papunë. Jetesën e sigurojnë duke rrëmuar në kazanat e plehrave dhe lypur. Me të fuqishmit shesin rroba të përdorura që vijnë nga vendet e BE-së, kryesisht Italia, Franca, Gjermania që i blejnë nga tregëtarë po romë të shumicës. "Premtime kemi marrë boll, me thasë, si këto të rrobavetë përdorura që shesim. sidomos kur duhet vota jonë në zgjedhje. Por asgje nuk ka ndryshuar për ne: nuk kemi punë, nuk kemi shtëpi, djali dhe vajza ime nuk shkojnë dot në shkollë, nuk kam para për librat e tyre, mbledhin dhe shesin kanoçe” thotë Dallëndyshja, gruaja e Kujtimit.

Situata e familjes rome Sinani nuk ndryshon nga ajo e shumë familjeve rome në Shqipëri: të zhytura në varfëri ekstreme, pa punë, me fëmijë analfabetë, të përjashtuara nga shoqëria. Pjesa dërrmuese e tyre punon në sektorin informal: mbledhin dhe shesin hekurishte, rroba të përdorura dhe transmetojnë nga brezi në brez zanatin e lypësit. Me të ardhurat e pakta nga këto punë arrijnë të mbijetojnë, por nuk mund të blejnë as banesën me çmimin më të lirë në treg.
Tani sytë i kanë drejtuar tek ndërkombëtarët: BE dhe prania e OSBE-së në Tiranë që po u kërkojnë autoriteteve qëndrore dhe lokale, sidomos Bashkisë, në emër të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, t' u gjejnë 37 familjeve rome një strehim. Dëbimi i tyre nga punëtorët e kompanisë është bllokuar nga policia por ai mbetet një kërcënim real.

Familie rome në TiranëFotografi: Ani Ruci

OSBE në Shqipëri – zgjidhje përmes sundimit të ligjit jo betonit

Familja e Kujtim dhe Dallëndyshe Sinanit dhe të tjerat që u dëbuan me forcë nga barakat e tyre ka risjelllë në vëmendje një realitet të hasur shpesh në Shqipëri: arbitraritetin e kompanive të ndërtimit, indifereëncën e strukturace shtetërore dhe atyre të pushtetit lokal qe ende nuk i kanë dhënë një përgjigje ligjore situatës së krijuar. Robert Wilton, kryetari në detyrë i Pranisë së OSBE-së në Shqipëri, u bëri apel autoriteteve të Tiranës që “ kjo çështje të marrë përgjigje përmes sundimit të ligjit dhe jo sundimit të betonit”.

Statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE dhe romët

Me ligj në Shqipëri respektohen dhe mbrohen të drejtat e pakicave etnike në bazë të standarteve europiane dhe ndërkombëtare. Situata në të cilën ndodhen 37 familje rome tregon se ligjet e standartit europian mbeten në letër. Edhe pse BE, ku Shqipëria aspiron të anëtarësohet e ka kushtëzuar procesin e integrimit edhe me përmbushjen e disa kritereve politike, ndër të cilat edhe përmirësimi i të drejtave të njeriut dhe i kushteve social-ekonomike të romëve. Edhe pse BE angazhohet të mbështesë Shqipërinë në çështjen e strehimit të romëve dhe përfshirjes sociale të tyre, dëbimi i 200 romëve nga barakat e tyre tregon se ky angazhim ende nuk ka marrë formën e projekteve konkrete.

Tregu me rroba i romëve në TiranëFotografi: Ani Ruci

Protesta të vetë komunitetit rom

Ajo që u mbetet komunitetit rom të terrenit me pronar tek” Qyteti i Nxënësve” është protesta qytetare për të drejtat e tyre. Shpëtimi dhe Dallëndyshe Sinani morën pjesë në një protestë të tillë dje para Bashkisë së Tiranës. Autoritetet ende nuk kanë gjetur një formulë për të strehuar 37 familjet rome.

“Do të protestojmë çdo ditë para Bashkisë deri sa të na gjejnë një vend ku të fusim kokën, kudo që të jetë, sido që të jetë. Kemi fëmijë, mund të sëmuren, po rrimë rrugëve, të gjejë një zgjidhje qeveria, bashkia, kompania e ndërtimit” thotë Shpëtimi.Romët që kanë vendosur të protestojnë për ditë nuk janë vetëm. Në krah të tyre ështe shoqëria civile që është organizuar dhe po i ndihmon me ushqime derisa ligji të flasë.