1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tiranë: Konferenca ndërkombëtare mbi stabilitetin financiar e mësimet nga kriza globale

18 Shtator 2009

Në qendër të vëmendjes është krijimi i një strukture adekuate ekonomiko-financiare në rajon dhe më gjerë. Që do t'i bëjë këto vende rezistente, kompetitive dhe të gatshme për të hyrë në BE.

Shtetasit e Bosnjës kane pak besim te sistemi i tyre bankar. Bosna Bank International (BBI) në Sarajevoë.
Shtetasit e Bosnjës kane pak besim te sistemi i tyre bankar. Bosna Bank International (BBI) në Sarajevë.Fotografi: Samir Huseinovic

Drejtuesit e bankave qendrore të Ballkanit dhe vendeve të tjera, ekspertë dhe analistë të njohur të tregut diskutuan të enjten në Tiranë mbi efektet e krizës globale. Në konferencën ndërkombëtare që organizoi Banka e Shqipërisë u shikuan fenomene specifike për çdo vend, por dhe tregues të ngjashëm të performancës së sistemit bankar e financiar. Në fokus të debatit mes ekspertëve të fushës ishin dhe stabiliteti financiar e makroekonomik, zhvillimet në ekonominë reale, balancat fiskale, risqet e sistemit bankar e financiar dhe njëkohësisht sfidat e përbashkëta rajonale mes politikbërësve.

Ajo që përpiqen të bëjnë bankierët është krijimi i një strukture adekuate ekonomiko-financiare në rajon e me gjerë. Për të përballuar jo vetëm krizat e ardhshme hipotetike. Por për të qënë të gatshëm për një reformë të madhe strukturore që do t'i bëjë këto vende kompetitive dhe të gatshme për të hyrë në BE. Guvernatori i bankës qëndrore të Shqipërisë, Ardian Fullani, thotë për DW, se aktiviteti ka një rëndësi për zhvillimet rajonale dhe jo vetëm. Sepse, sipas tij, 'bën një pasqyrë të balancës të asaj që mësuam dhe asaj që nuk mësuam akoma, midis asaj që pësuam dhe asaj që mësuam".

"Unë do të thoja që balanca rëndon për atë që mësuam. Pozitivja është për atë që mësuam dhe përgatitja jonë për të ardhmen. Natyrisht që rruga e ekonomisë së tregut dhe procesi i kovergjencës është një proces i gjatë, i lodhshëm, i mundimshëm. Për të qënë i suksesshëm duhet të jesh në çdo fazë i mirëpërgatitur me reformat strukturore, të jesh efektiv. Njëkohësisht të jesh dhe bashkëpunues dhe me aksion, por mbi të gjitha duhet të jesh vizionar", thotë Fullani, duke e përshkruar dhe këtë aktivitet se vizionar.

"...për faktin se u ulën në tavolinë guvernatorët e rajonit dhe më gjerë, ku në fokus është e ardhmja e procesit të konvergjencës. Sfidat tona europiane nuk jane sfida të veçanta, të një vendi ose të një vendi tjetër. Kjo është një sfidë rajonale dhe duhet të jetë e tillë. Në kuptimin që rajoni nuk është interesant veçmas, ku ekonomia më e madhe ka 7 ose 8 milion banorë. Por rajoni sëbashku shkon në 20 milion banorë. Dhe po ta hapësh akoma më tej shkon edhe më shumë. Shqipëria si një urë natyrale kthehet në një urë të fuqishme , në një infrastrukturë të fuqishme, e cila lidh Perëndimin me rajonin. Dhe njëkohësisht është dhe një urë që tregon se ku shkon".

Sipas tij, forma e bashkëpunimit tonë me rajonin është brenda konceptit të kësaj ure, që Shqipëria e luan natyrshëm.

Guvenatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi, thotë për DW-në se:

"...bashkëpunimi mes vendeve të rajonit tonë është jetik. Ai bëhet edhe më i domosdoshëm në kushtet e ekzistencës së tregjeve financiare globale. Shumica e bankave që operojnë në Shqipëri janë dhe në Kosovë. Kanë pronarë të njëjtë. Nga Gjermania, Austria, Turqia, Sllovenia etj. Kështu që këmbimi i informacionit, njohja me gjendjen reale të bankave dhe parashikimet më të hershme që japin bankat qendrore janë të një rëndësie të veçantë. Që nga tetori i vitit 2008 ne i kemi dhënë një peshë të veçantë kësaj shtylle të bashkëpunimit."

Sipas guvernatorit të Bankës Qendrore në Kosovë, Hashim Rexhepi, veç memorandumeve të bashkëpunimit që janë arritur me Bankën e Shqipërisë dhe me banka te vende të tjera,

"...ne e kemi ngritur më shumë nivelin kooperues, duke qenë më të aftë në paraparjen e zhvillime të mundshme të papritura a shokante. Për fat të mirë këto nuk kanë ndodhur deri më tani në Shqipëri e Kosovë, por gjithësesi nuk ka vend për neglizhim e vetëkënaqësi. Angazhimi ynë do të jetë i pandërprerë, për të amortizuar e evituar çdo efekt negativ dhe të pakëndshëm që kërcënon sistemin".


Autor: Arben Muka/ Tiranë

Redaktoi: Auron Dodi