1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tiranë: OBSH mbështet Shqipërinë në përballimin e COVID-19

13 Nëntor 2020

Drejtori i OBSH për Europën, Dr. Hans Kluge, në Tiranë nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit me Shqipërinë për emergjencat shëndetësore.

Albanien WHO Unterstützung Coronakrise
OBSH mbështet Shqipërinë në pandeminë e CoronësFotografi: Albania Ministry of Health and Social Protection

Marrëveshja e nënshkruar të enjten, (12.11) mes Organizatës Botërore të Shëndetësisë, (OBSH) dhe Qeverisë së Tiranës i përgjigjet situatës aktuale të rënduar të pandemisë Corona prej shifrave të larta të rasteve të reja të përditshme, të infektuara me virusin COVID-19, në këtë muaj të fundit të vjeshtës. Drejtori i OBSH për Europën, Dr. Hans Kluge, tha në Tiranë, në një konferencë të përbashkët shtypi me Ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, se "kjo stinë është e vështirë pasi virusit COVID-19 i mbivendosen edhe viruset e gripit”.

Marrëveshja e saponënshkruar synon mbështetjen e OBSH për Shqipërinë në sfidën që paraqet një mbivendosje e tillë virusesh. Në qendër të saj është përmirësimi i reagimit për emergjencat potenciale në një situatë të tillë. "Pandemia Covid-19 nuk përballet dot vetëm”, vuri në dukje Ministrja e Shëndetësisë, Manastirliu.

Dr. Hans KlugeFotografi: Albania Ministry of Health and Social Protection

Vihen në përdorim testet e shpejta

Shqipëria po ndjek rekomandimet e OBSH në përballjen me pandeminë Corona dhe ka rritur që nga prekja prej saj 8 muaj më parë, kapacitetet e gjurmimit, hetimit epidemiologjik dhe testimit të qytetarëve që dyshohet të jenë mbartës të virusit. Situata vazhdon të jetë e vështirë edhe pse të enjten, (12.11.) pati rreth 20% më pak raste të reja në krahasim me një ditë më parë, duke rënë nga 507 në 410 raste të tilla. Për t'iu përgjigjur kësaj situate autoritetet e shëndetësisë kanë përcaktuar strategjinë e përdorimit të testit të shpejtë të Antigenit dhe vaksinës së gripit që "do të bëhen falas për qytetarët ” bëri të enjten me dije, Ministrja e Shëndetësisë, Manastirliu.

Marrëveshja e nënshkruar mes OBSH dhe qeverisë së Shqipërisë pritet të përforcojë kapacitetet për të mbajtur nën kontroll pandeminë Covid-19, për të forcuar inovacionin dhe digjitalizimin në aksesin e qytetarëve në shërbimet spitalore.

Shqipëria ka regjistruar deri tani 26.211 raste pozitive nga të cilat 13.039 janë aktive dhe 598 viktima nga virusi vdekjeprurës corona. Tirana vazhdon të jetë qendra më e nxehtë me 6461 raste aktive, e ndjekur nga Durrësi, Fieri, Korꞔa dhe Shkodra. Teste massive të popullsisë për virusin nuk janë kryer në Shqipëri. Për kryeministrin Rama puna e qeverisë "nuk është të bëjë teste por të transformojë spitalet”, siç u shpreh ai mbrëmjen e të enjtes në Tiranë.