1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tiranë: Protesta më me qetësi - Kuvendi me tension dhe kaos

22 Tetor 2026

Tiranë: Seanca plenare këtë të enjte bëri që protesta në ditën e saj të 10-të të përqendrohej para Kuvendit. Ndërsa nuk pati përshkallëzim me protestuesit në rrugë, në sallën plenare pati tension e kaos ndër deputetët.

Albanien Tirana 2026 | Protest in Tirana
Fotografi: Brunilda Kazani/DW

Me thirrjet "Rama jep dorëheqjen” dhe "Nuk ka dialog me kriminelët”, protestuesit u mblodhën këtë të enjte (22.10.2026) para Parlamentit, i cili ishte rrethuar nga forca të shumta policie.

Ndryshe nga një javë më parë, kur seanca parlamentare u shty për shkak të tensioneve në rrugë, protesta e kësaj here ishte paqësore. Protestuesit përcollën mesazhet e tyre përmes pankartave dhe simbolikave të përdorura gjatë ditëve të fundit.
Kryeministri Edi Rama me anë të një videoje të publikuar në rrjetet sociale, në profilin e tij, përsëriti ftesën për dialog me protestuesit. Ndërsa në sheshin para kryeministrisë në vend të karrigeve ishin vendosur stola betoni me mbishkrimin 'dialog'. Mirëpo ftesa e tij për dialog sërish u refuzua nga protestuesit.

Fotografi: Brunilda Kazani/DW

Kreu u qeverisë ndodhej këtë të enjte në tryezën e Samitit të Procesit të Berlinit, e mbajtur në Mal të Zi, e si rrjedhojë nuk ishte i pranishëm në seancën parlamentare.

Tensione dhe kaos në Kuvend

Teksa jashtë protesta ishte paqësore, tensionet u regjistruan brenda Kuvendit. Që në nisje të seancës, kur  kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, po lexonte rendin e ditës, opozita bllokoi foltoren dhe përmbysi karriget si revoltë ndaj dhunës së ushtruar ndaj të rinjve në protestë nga policia. "Lironi studentët” ishte një prej thirrjeve të opozitës, ndërsa në duar mbanin fotografi të studentëve të dhunuar, sipas tyre, nga policia në protestat kundër qeverisë.

Mes kaosit, mazhoranca nuk humbi kohë dhe nisi me shpejtësi votimin, pa diskutime mbi rendin e ditës. Kjo solli përplasje gati fizike mes deputetëve demokratë dhe atyre socialistë, duke sjellë ndërhyrjen e Gardës. 

Ndonëse ishte parashikuar një ditë e gjatë diskutimesh,  seanca plenare u mbyll në rreth 1 orë. Me 76 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim u miratuan projekt-programi dhe projekt-kalendari i punimeve të Kuvendit për periudhën 19 Tetor-6 Nëntor 2026, çështje për të cilat nuk ishte arritur dakordësia në Konferencën e Kryetarëve.

Gjithashtu, u miratuan gjashtë projektligje dhe 3 projektvendime të rëndësishme, mes tyre emërimi i Adea Pirdenit si Ministre e Administratës Publike dhe projektvendimi "Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale në Republikën e Shqipërisë”, të dyja me 76 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim.

Në përfundim, socialistët kërkuan përjashtimin e 20 deputetëve demokrat. Sekretariati i Etikës pritet të mblidhet ditën e nesërme (23.10) onlinë për të shqyrtuar kërkesën e PS-së.

 

Brunilda Kazani raporton nga Tirana, kryesisht për media sociale, me fokus te shoqëria, mjedisi dhe kultura
Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW