1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reforma zgjedhore hyn në fazën e saj të dytë

26 Qershor 2020

Maxhoranca socialiste në Shqipëri pranon të gjitha kërkesat e opozitës. PD rikthehet në parlament, depolitizimi i administratës zgjedhore shtyhet.

BG Fun facts | Etehem Bey Moschee
Fotografi: picture-alliance/robertharding/B. Morandi

Shqipëria shkon në zgjedhjet parlamentare 2021 me një Kod Zgjedhor dhe administratë zgjedhore të ndryshuar, të miratuar nga palët. Kjo u arrit kur maxhoranca socialiste hoqi dorë nga opsionet e saj për strukturën e re të KQZ, pranoi të gjitha kërkesat e opozitës jashtë parlamentit dhe i hapi rrugën vazhdimit të reformes zgjedhore.

Rezultati imediat: Opozita jashtë parlamentit do të hyjë në zgjedhjet parlamentare të pranverës 2021 duke hyrë së shpejti në sistemin politik të braktisur prej saj që  në shkurt 2019. 

Plotësimi i kërkesave të opozitës ka sjellë anashkalimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor për të plotësuar standardet që ka rekomanduar ODIHR-i, ndryshime për të cilat opozita jashtë parlamentare nuk ndihej e gatshme për t'u realizuar  në zgjedhjet parlamentare 2021.

"Plotësuam të gjitha kërkesat e opozitës, për ato garanci që kanë ekzistuar në ligjin aktual zgjedhor, pavarësisht se disa nga standardet e ODIHR-it, kërkonin ndryshime. Për ne është më e rëndësishme që ligji zgjedhor të reflektojë shqetësimet, frikërat apo të kaluarën e afërt të opozitës, në mënyrë që të hyjmë në zgjedhje me një ligj të gjithëpranuar,  justifikoi  shtyrjen e ndryshimeve të rekomanduara nga  ODIHR-i , përfaqësuesi i PS në tryezën e Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri, në një deklaratë për mediat.

Për Oerd Bylykbashin, përfaqësues i PD në këtë tryezë, plotësimi i kërkesave të opzitës jashtë parlamentare bëri të mundur që "KQZ të mos jetë një organ me komisionerë të emëruar politikisht dhe i kontrolluar nga maxhoranca. Opozita bëri të mundur që garancitë për zgjedhësit dhe gjithë subjektet politike në garë të jenë të plota dhe qeveria të mos ketë mundësi të prekë administrimin e zgjedhjeve”.

Struktura e re e KQZ

KQZ ka qënë dhe mbetet institucioni kryesor më i rëndësishëm në organizimin dhe administrimin e proceseve zgjedhore në Shqipëri.  Kristaq Kume, ekspert për sistemet zgjedhore dhe anëtar i grupit aktual të ekspertëve për reformën zgjedhore, thotë për DW se në Kushtetuën e Shqipërisë,  KQZ përcaktohet si institucion i pavarur, me komisionerë që nuk duhet të vijnë nga partitë politike, përveꞔ dy komisionerëve, që i zgjedh Kuvendi.

Kristaq Kume, ekspert për sistemet zgjedhore dhe anëtar i grupit aktual të ekspertëve për reformën zgjedhoreFotografi: DW/A. Ruci

"Kjo nuk është zbatuar asnjëherë në praktikë nga klasa politike. Partitë politike kanë ndërhyrë vazhdimisht në mënyrën e zgjedhjes së komisionerëve të KQZ, që t'i kenë ata mbrojtës të interesave të tyre elektorale. Kultura e sjelljes së partive politike ka qënë e tillë që komisionerët në KQZ u kanë shërbyer interesave politike të partive dhe jo zbatimit të ligjit” thotë për DW, Kristaq Kume.

Për të hapur një faqe të re, palët ranë dakort që struktura e KQZ për Zgjedhjet Parlamentare 2021 të ketë tre nivele: Niveli i parë është ai i Komisionerit Shtetëror, që ka statusin e përfaqësuesit të institucionit, kryetarit të tij dhe administron procesin zgjedhor; niveli i dytë është Rregullatori Zgjedhor që ka për detyrë të ndërtojë gjithë setin e rregullave, në bazë të të cilave, do të realizohet procesi zgjedhor; niveli i tretë është Komisioni i Ankesave dhe i Sanksioneve që merr përsipër  të trajtojë ankesat dhe të vendosë sanksione për ata që shkelin ligjin zgjedhor. Të dyja këto nivele do të kenë nga 5 komisionerë secili, të cilët votohen "en block” në Parlament me votim të thjeshtë, prej 71 votash.

Opozita jashtë parlamentare rikthehet në parlament.

Kjo u arrit përmes pjesëmarrjes me një anëtar të opozitës jashtë parlamentare, në komisionin e posacëm parlamentar që pritet të ngrihet për të përzgjedhur komisionerët e KQZ.  Anëtari i vetëm i kësaj opozite gëzon të drejtën e vetos. Për pozicionin e Komisionerit Shtetëror, ky komision përzgjedh tre kandidatura nga të cilat, përfaqësuesi i opozitës ka të drejtë të përjashtojë vetëm një, dy kandidaturat e tjera votohen në Parlament me votë të cilësuar prej 84 deputetësh. Nëse ky numër votash nuk arrihet përzgjedhja bëhet me short. Komisionerët e dy niveleve të tjera përzgjidhen po nga ky komision, por votohen " en block” në Parlament me votim të thjeshtë, prej 71 votash.

Maxhoranca socialiste ka pranuar edhe kërkesën e opozitës jashtë parlamentare për një Nënkomisioner të Lartë Shtetëror,  që do të merret me përdorimin e teknologjisë së informacionit në Zgjedhjet Parlamentare 2021. Ai do të marrë përsipër edhe procesin e rekrutimit dhe të trajnimit të komisionerëve në  zgjedhjet e ardhshme pas 2021 që pritet të ngrejnë administratën zgjedhore  jo politike.

Burime nga këshilli politik thanë për DW se Nënkomisioneri Shtetëror do të zgjidhet me dakordësinë e plotë të opozitës jashtë parlamentare, e cila këmbënguli në identifikimin elektronik dhe daktiloskopik të zgjedhësve në qëndrat e votimit.

Në fazën vijuese të reformës zgjedhore priten të ndryshohen ligje të tjera që bëjnë pjesë në Kodin Penal, në procedurën penale si edhe në detyrat dhe përgjegjësitë e institucioneve të reja të drejtësisë në përgjigje të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.