1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Toka bujqësore në jug të Shqipërisë mbetet djerrë

17 Maj 2010

Braktisja e tokës në jug të Shqipërisë, mungesa e punës dhe e prodhimit vendas, ka bërë që një pjesë e madhe e produkteve të vijnë nga importi. Ky realitet e ka thelluar edhe më tej krizën ekonomike që po përjeton vendi.

Pamje nga jugu i Shqipërisë.
Fotografi: DW

Fermeri Vangjel Cabiri është nga Palokastra, një fshat rreth 9 km larg Gjirokastrës. Ndonëse gjithë jetën është marrë me kultivimin e perimeve tashmë ndihet pesimist e i lodhur.

"Unë kam dhjetë dynym tokë, po nuk i përballoj dot t'i punoj. Jo vetëm unë, por dhe bashkëfshatarët e mi, ç'shikojmë në Dropull, në krahinën e Lunxhërisë, në Gjirokastër. S'ka kush e punon”, - thotë Vangjel Cabiri.

Gjithandej tokat në jug të vendit janë braktisur, sa për shkak të nivelit të lartë të emigracionit aq dhe për shkak të konkurencës së ashpër që dy vendet fqinje Greqia e Maqedonia i bëjnë tregut shqiptar. Ndër shkaqet janë akciza e ulët dhe fakti që Shqipëria është anëtare e organizatës botërore të tregëtisë.

Toka djerrë në fushën e Valaresë.Fotografi: DW

Agronom Tomor Shehu, specialist i bujqësisë, shpjegon: "Tokat tona mbeten djerrë pasi edhe kostoja e prodhimit, e nxjerrjes së prodhimit në treg është më e lartë se sa fermeri fiton."

Këtë fakt e pohon fermeri Vangjel Cabiri: "Kostoja e shërbimeve bujqësore është shumë e lartë. Ne nuk e përballojmë dot. Ta punojmë me krahë apo me kafshë, nuk del hesapi. E dyta, ne prodhojmë po na konkuron tregu i jashtëm. Përse të punojmë? Kot ?"

Mungesës së një politike ekonomike për mbrojtjen e prodhimit vendas dhe mosshfrytëzimit të traditës të kultivimit të prodhimeve stinore, iu shtohet sipas agronomit Tomor Shehu edhe një fakt tjetër: farërat që vijnë nga importi.

Tregjet e fshatarëve në jug të Shqipërisë nuk ofrojnë produkte vendase por importe nga Maqedonia e Greqia.Fotografi: DW

"Cilësia e prodhimit ndikohet gjithmonë nga farërat. Farërat nuk kanë atë vitalitetin e dikurshëm, nuk përmbajnë ato proteina, ato vitamina që njerëzit tanë i kërkojnë dhe janë të domosdoshme" , - thotë agronomi Tomor Shehu.

Mungesa e organizmit në ferma të mëdha, marka e përbashkët, mungesa e infrastrukturës për të dalë në treg në kohë, janë disa nga mangësitë që pengojnë shitjen e prodhimeve të fermerëve vendas.

Agronomi Tomor Shehu kritikon mungesën e politikave konkrete për bujqësinë.Fotografi: DW

"Ne kemi prodhuar domatet, na u kalb domatja. Vitin e kaluar qepët, gjithashtu na u kalbën, patatet na u kalbën. Ç'ta bëjmë ? Pse ta punojmë ? Rinia ka ikur mo vëlla. Kemi mbetur ne, moshë e kaluar këtu", - shprehet me indinjatë fermeri Vangjel Cabiri.

Edhe agronomi Tomor Shehu vë në dukje disa mangësi. Sipas tij nuk ka politika konkrete për zhvillimin e bujqësisë dhe ...: "Farërat kanë degjeneruar. Nuk ka më fara elite, nuk ka më fara cilësore. Nuk punohet shkencërisht. Kur themi që nuk punohet më shkencërisht, kuptojmë faktin që sot nuk ka një bazë eksperimentale si dikur."

Janë këto disa nga shkaqet që mijëra e mijëra hektarë në jug të vendit kanë mbetur djerrë. Dhe është kjo ironi fati që në tregjet shqiptare sidomos në jug, dëgjon: "Po ç'bëhet kështu? Qepët janë nga Greqia, domatet janë nga Maqedonia. Ne nga vendi s'kemi asnjë gjë!"


Autor: Odise Kote

Redaktoi: Eliana Xhani