Tolstoi dhe Gjermania
18 Nëntor 2010
Me rastin e 100 vjetorit të vdekjes, Shtëpia e Letërsisë së Mynihut ndriçon lidhjet e larmishme – deri tani jo shumë të njohura – të klasikut të realizmit rus me Gjermaninë.
Rilke, Zweig, Thomas Mann e adhuronin. Por çfarë lidhjesh kishte “Ana Kareninës” me Gjermaninë? Shtëpia e Letërsisë së Mynihut i tregon ato me rastin e 100-vjetorit të vdekjes së klasikut rus.
“M'u ndez një dritë” kështu mund të përkthehej shënimi që Tolstoi në vitin 1861 pat bërë në gjermanisht në ditarin e tij, mbas takimit me shkrimtarin gjermano-hebrej Berthold Auerbach në Berlin. Profesorja nga Mynihu, Johana Doering-Smirnov tregon një pasazh të shkruar me dorë nga shkrimtari rus: “Këtu ka shumë shprehje në gjermanisht, por mahnitës është fakti, që këto fraza mbas njëzet ose tridhjetë vjetësh do të ishin fjalë kyçe për vepra të ndryshme letrare”, thotë ajo.
Kopje shënimesh të tilla, të bëra gjatë udhëtimeve të viteve 1857-1861, pjesë nga korrespondenca e dëndur me disa nga rreth 2000 lexuesit e tij gjermanë, dhe dokumente të tjera të vlefshme, mund të shihen tani në një ekspozitë të Shtëpisë së Letërsisë në Mynih. Ato tregojnë se sa mirë e njihte Gjermaninë shkrimtari rus. Svetlana Novikova, eksperte për manuskriptet e Tolstojit, e dërguar nga Muzeu i Tolstoit në Moskë, thotë: „Ai e ka dashur shumë Gjermaninë. Donte muzikën Beethovenin, Bahun, filozofët dhe shkrimtarët gjermanë, të cilët i kishte lexuar në gjermanisht.“
Njohuritë e tij të mira në gjuhën gjermane, Lev Nikolajeviç Tolstoj, i cili kishte lindur në vitin 1828, i kishte marrë qysh në fëmijëri nga mësuesi i tij gjerman. Ai quhej Friedrich Rössl, por Tolstojt e thërrisnin Fjodor Ivanoviç, siç rrëfen Johanna Döring-Smirnov, kuratorja e ekspozitës së Mynihut: „Ai ishte një ushtar që kishte dezertuar, me profesion ishte këpucar, pra një njeri i thjeshtë, por ndër të tjerash me një virtyt, të cilin Tolstoi thoshte se kishte marrë prej tij: Mëshirën dhe dhembshurinë për të tjerët.”
Sundues emanciptor
Vendimtar për formimin juridik të Tolstoit të ri ishte profesori i së drejtës civile në Kazan, i cili gjithashtu ishte gjerman. Dimitrij Mejer i pat dhënë asokohe 17vjeçarit Tolstoi si detyrë, që të krahasonte careshën ruse me prejardhje gjermane Katarina e Madhe me iluministin francez Montesquieu. „Kjo e impresionoi kaq shumë Tolstojin, saqë ai filloi ta shihte me sy kritik carin e atëhershëm“, thotë Doering-Smirnov. “Por para së gjithash, nga Mejeri ai pat mësuar edhe ndjenjën e përgjegjësisë sociale për bujqit e tij, si dhe idenë, se filozofia e thatë nuk ka vlerë pa u zbatuar në praktikë.”
Konti i ri Tolstoi, mbasi i ndërperu studimet në Kazan, u përpoq që në pronat e tij në Jasnaja Poljana të zbatonte idenë “sunduesit emancipator”. Para së gjithash ai interesohej për arsimin shkollor të bujqve. Gjatë udhëtimeve në Gjermani kërkoi shembuj pozitivë, por më kot. Në ditar ai kritikon dënimet e nxënësve me rrahje dhe detyrimin për të mësuar përmendësh.
Lidhje familjare
Marrëdhëniet e Tolstoit me Gjermaninë u forcuan edhe më tej në vitin 1862 mbas martesës me gjermano-rusen Sofja Andrejewna Tolstaja. Nga kjo martesë lindën 13 fëmijë. Tolstaja, e cila ishte 16 vjet më e re se Tolstoj, ishte një ndihmesë e madhe për të shoqin, deri në momentin e kthesës së shkrimtarit. Sepse në vitin 1891, asokohe 63 vjeçari Tolstoi vendosi të hiqte dorë nga të gjitha privilegjet feudale dhe të drejtat autoriale ndaj veprave të tij dhe filloi të jetonte si bujk i thjeshtë. Gati profetike është, sipas Döring-Smirnov, një shënim që Tolstoi i i ri pat bërë gjatë njërit prej udhëtimeve të tij në Gjermani, ku ndër të tjerash, ai pat kaluar një kohë të gjatë edhe me bujqit. “Ëndërr, sikur isha veshur si bujk dhe ime më nuk më njohu.” „Kjo është nga njëra anë historia e Konstanin Ljovinit që bëhet fshatar nga romani „Anna Karenina“, por është edhe tragjedia e mëvonshme me Sofja Andrejevnën,“-interpreton Doering-Smirnov.
Prishja përfundimtare mes bashkëshortëve erdhi pak para vdekjes së shkrimtarit. Mbas një grindjeje me të shoqen, 82-vjeçari u largua nga shtëpia. Disa ditë më vonë, më 20 nëntor 1910, ai vdiq në një stacion treni. Varri i tij gjendet në vendin e lindjes, në Jasnaja Poljana, në mes të pyllit të mështeknave dhe pa emër, ashtu siç e kishte dashur vetë. Vitali Remizov, drejtori i Muzeut Tolstoi në Moskë thotë: „Tani, në fillim të shekullit të 21-të, Rusia po i kthehet Tolstojit dhe po përpiqet të kuptojë vitet të fundit të jetës së tij. Ajo çka mund të mësojmë ne prej tij është se liria nuk varet vetëm nga rrethanat e jashtme, por ajo është rezultat i një zhvillimi të brendshëm mendor.”
Autor: Anila Shuka
Redaktoi: Aida Cama