1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Topi fton biznesin gjerman të investojë në Shqipëri

7 Prill 2010

Vizita e presidentit Bamir Topi në Gjermani u mbyll pasdite (6.4.) me një forum ekonomik, ku merrnin pjesë biznesmenë gjermanë dhe shqiptarë. Presidenti Topi i ftoi investitorët gjermanë të vijnë në Shqipëri.

Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi.
Fotografi: AP

Investitorët gjermanë janë të interesuar të vijnë në Shqipëri, akoma edhe më shumë mbas takimit të presidentit Topi me përfaqësues të ndryshëm të biznesit të martën në Berlin.

Impulse të reja për marrëdhëniet dypalëshe ekonomike

"Kjo vizitë është një nga masat shoqëruese politike që e përmirësojnë edhe më tej klimën dhe që e tërheqin vëmendjen kah zhvillimi ekonomik, prandaj edhe ne shpresojmë që ajo të sjellë një impuls", - thotë për Deutsche Wellen, Hans Juergen Mueller, president i Shoqatës Ekonomike Gjermano-Shqiptare.

Edhe pse Shqipëria është një vend shumë i vogël për investitorin gjerman, kushtet për biznesin e huaj janë shumë shpresëdhënëse thotë Michael Raabe, president i Shoqatës së Evropës Lindore dhe Qendrore (Ost- und Mitteleuropa Verein) me seli në Hamburg. "Ato që ka realizuar vendi deri tani, si për shembull one-stop-shop-i, apo të tjera përpjekje për të krijuar sa më thjesht e me shpejtësi kushtet për hapjen e biznesit, janë shembullore",- gjykon ai.

Aeroporti "Nënë Tereza" në Tiranë, rikonstruktuar në bashkëpunim me firmën gjermane HochTief.Fotografi: DW / Cama

Marrëveshje për heqjen e tatimit të dyfishtë

Një lehtësim për biznesin gjerman në Shqipëri do të sjellë edhe nënshkrimi i marrëveshjes dypalëshe për heqjen e tatimeve të dyfishta mbi fitimin ose të ardhurat, që u bë po të martën në Ministrinë e Jashtme gjermane, në prani të ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Ilir Meta. Investitorët gjermanë kishin kohë që e kërkonin këtë marrëveshje, negociimi i së cilës ka filluar qysh në vitin 2006, e që pritet të hyjë në fuqi mbas ratifikimit të saj nga dy parlamentet përkatëse.

"Heqja e tatimit të dyfishtë për investitorët nga Gjermania, ku taksa mbi fitimin është shumë e lartë, është një sukses dhe mendoj që do të ketë edhe prurjet e para duke u nisur edhe nga ky fakt", thotë për Deutsche Wellen, Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës. Jaka dhe sipërmarrës të tjerë nga Tirana, në një takim të posaçëm me homologët e tyre nga Berlini, patën shqyrtuar mundësitë e bashkëpunimit ekonomik dhe lidhjes së partneritetit.

Gjermanët duan të marrin pjesë në projekte të infrastrukturës

Por, megjithë kushtet e lehtësuara për bizneset e huaja, firmat gjermane nuk janë prezente në Shqipëri, në atë masë sa do të dëshironin ato, sidomos në fushën e infrastrukturës. Presidenti Bamir Topi, i inkurajoi ata që të vijnë në Shqipëri, duke theksuar edhe kualitetin e lartë të punës së firmave gjermane, siç është Papenburg, që ka ndërtuar rrugën Lezhë-Shkodër.

"Kualiteti i punës duket që është kualitet i një kompanie gjermane", tha Topi. Faktin që shumë pak firma gjermane fitojnë tendera në Shqipëri, Topi e shpjegoi me "konkurrencën në treg". "Unë besoj, se po të jeni të pranishëm, edhe probabiliteti për të fituar të drejtën do të jetë më i madh. Kështu që ju ftoj të jeni të pranishëm."


Autor: Anila Shuka / Berlin

Redaktoi: Eliana Xhani

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë