Tradita farkëtare te romët e Kosovës
8 Prill 2011
Një rrugë gjysmëharkore përtej stacionit të trenit në Fushë Kosovë çon në “Lagjen 29”, të banuar kryesisht nga komuniteti rom. Diku nga mesi i saj gjendet një punëtori e vogël farkëtarie, e cila nuk e ka të domosdoshme pllakatën me mbishkrimin dygjuhësh, kur pothuaj secili e di ku banon “Ragip Farkëtari”. Dhe atë rastisim ta gjejmë në ditën e parë të punës, e cila fillon me të dalë syri i pranverës.
“E farkova këtë sëpatë të vogël. Kjo shërben për qymyr, për dru e për gozhda. Pesë euro e punoj këtë, me ia saldu qykën, me ja nxjerr do konstrukcione për gozhda. Edhe popullit i ndihmoj. Ka dikush që vjen e që s´ka pare e dal e ja punoj”, rrëfen Ragipi teksa farkon sëpatën e skuqur në zjarrin e ndezur me vrull.
“Ragip Farkëtari”
Ragip Selim Berisha, 51 vjeç, vjen nga fshati Bardh i Madh i komunës së Lipjanit, pas përfundimit të shkollës së mesme si teknik i maqinerisë-dega e energjetikes, për 20 vjet punoi në elektranën Kosova A. Ndërsa, mbetur pa punë pas luftës, ai mbijetoi me zanatin e të parëve të tij.
„Po, jetohet me këtë zanat. Kur është sezona e pranverës, njerëzit prej te tana katundeve vinë ktu se i punoj tetana punët e farkëtarisë, prej sakicave, pjesëve të traktorit, koshave të basketbollit, dyerve, rrethojave çka t´më bjen në dorë. Po edhe i ndihmoj popullit, ka dikush që s´ka e ia punoj edhe pa pare. Kur ka punë i fitoj 30-40 euro n´ditë. Kur s´ka atëherë është vështirë”.
Zejen e vjetër te brezat e rinj
Një grant i vogël nga komuna para dy vjetësh, ishte stimulimi i vetëm për Ragipin që të zhvillonte biznesin e farkëtarisë. Ndërsa, pranvera është gjithmonë e mirëseardhur, sepse atëherë nis edhe puna me të cilën siguron rriskun për bashkëshorten dhe të shtatë fëmijët e tij. Ndërsa, me plakjen e tij nuk ka me drojë për shuarjen e zejes se farkëtarisë, të cilën të parët e tij ia përcollën me dashuri, se me të njëjtën ndjenjë zejen e ka përqafuar edhe i biri i tij.
“Unë zanatin e kam msu prej babës. I vogël jom konë kur më merrke mua baba tuj me msu kadalë. Du me e kry shkollën një herë, por zanati i farkëtarit m´pëlqen shumë. Edhe, dikush me m´thanë: Ndërroje zanatin!”, kurrë nuk e ndrroj, se është zanat I mirë, është zanat i babës dhe atë kam me ja përcjell fëmijës tem”.
Edhe një farkëtar në familje
Tashmë, farkëtari po orvatet të përfundojë sëpaten e filluar; punë e parë e vitit të sivjeme, e cila do të vazhdojë deri në vjeshtën e vonë. Por, fëmija që e thërret për ndihmë nuk është djali, por është e bija më e madhe, e cila prej dhjetë vjetësh është ndihmësja e tij në punëtori.
„Po, është e vërtet. Unë tash dhjetë vjet punoj me babën, jam ndihmëse e tij në farkëtari. Saldoj, prej, punoj të gjitha dhe blej gjithçka që është e nevojshme për punetorinë. Edhe i ndihmoj edhe i bëj konkurencë, por paret ia lë të gjitha sepse ai është zot i shpisë”.
Ndër dhjetëra fiset e romëve, për të cilët flet historia janë edhe romët farkëtarë. Punëtoria e farkëtarisë, e cila për familjen e Ragipit është burim i vetëm ekzistence, në të njëjtën kohë dëshmon origjinën e tyre nga ky fis. Përderisa, në porosinë e tij reflekton dashuria ndaj trashëgimisë së të parëve, kujtimin e të cilëve e ruan në jetë nëpërmjet zejes familjare të farkëtarisë. “Rininë e kisha porosit me u marr me zeje t´moçme që na i kanë lanë baballarët, traditat e tyre mos me i harru, ta ruajnë trashëgiminë e babës, babgjyshit, katragjyshit. Trashëgiminë me e qit n´dollap e mos me e harru”.
Autor: Ajete Beqiraj
Redaktoi: Auron Dodi