1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tragjedi e rëndë ku humbin jetën 46 udhëtarë

23 Nëntor 2021

Aksidenti i rëndë ndodhi në autostradën Struma rreth 45 kilometra në perëndim të Sofjes, në orët e para të mëngjesit të së martës.

Busunglück in Bulgarien
Fotografi: Petr Stojanovski/DW

Si pasojë e aksidentit kanë vdekur 46 persona dhe 7 kanë mbetur të lënduar.

"Aksidenti ndodhi në autostradë pranë fshatit Bosnek, në orën 2 të mëngjesit. Autobusi me rreth 52 persona në bord, i përkiste agjencisë turistike Besa Trans, nga Maqedonia e Veriut, e cila organizonte udhëtime në Stamboll. Pamjet janë rrëqethëse. Është e vështirë të shohësh. Nuk e di nëse duhet të tregojmë detajet në këtë moment. Nuk kisha parë asnjëherë diçka të ngjashme. Njerëzit janë kthyer në hi”, ka deklaruar  ministri i Brendshëm i Bullgarisë, Bojko Rashkov.

Shkaku i përplasjes së autobusit është duke u hetuar. Në raportimet e para është thënë se autobusi mund të ketë goditur një parmak.

"Me gjasë ka pasur ndonjë problem teknik apo ndonjë gomë ka shpërthyer. Autobusi është rrokollisur dhe më pas ka patur shpërthim”, ka deklaruar Nikolai Nikolov ekspert komunikacioni.

Kryeministri Zaev vizitoi të lënduarit në Sofje

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev po qëndron në Sofje ku ka vizituar udhëtarët e lënduar dhe ka biseduar me një nga të mbijetuarit e aksidentit.

"Është një tragjedi e tmerrshme. Shumica prej tyre 12 janë fëmijë nën 18 vjeç, dhe të tjerët janë të rinj rreth 20-30 vjeç. Shumica prej tyre janë shtetas tanë, por ka edhe nga Serbia. Kam mundur të flas me njërin prej të mbijetuarve. Ai ka thënë se është dëgjuar një shpërthim i fortë, pas së cilës ai dhe 7 pasagjerë të tjerë kanë arritur të ikin nga dritaret”, ka thënë kryeministri Zaev.

Fotografi: Petr Stojanovski/DW

Zaev shton se kanë besim te autoritetet bullgare dhe se nuk do të kërkojë hetim paralel.

"Ne u besojmë kolegëve tanë bullgarë. Nëse ata kanë nevojë për ndihmë, ne jemi të gatshëm t'i ndihmojmë në hetim. Tani gjëja më e rëndësishme është të shohim se si t'i ndihmojmë viktimat”, vlerësoi Zaevi.

Filipçe: Të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetën

Të gjithë të lënduarit nga aksidenti që janë shtruar në spitalin në Pirogrov në Sofje janë në gjendje të ë qëndrueshme shëndetësore dhe asnjëri prej tyre nuk është në rrezik për jetën, ka deklaroi Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe. Pas vizitës në spital bashkë me kryeministrin Zoran Zaev dhe Ministrin e jashtëm Bujar Osmani, Filipçe theksoi se vetëm një pacient është me thyerje, që do të nevojitet të bëhen analiza shtesë dhe të konstatohet nëse do të ketë nevojë për intervenim kirurgjik.

"I vizituam pacientët. Bëhet fjalë për lëndime të lehta, të sanuara nga kolegët tanë, për çka jam shumë falënderues. U morëm vesh që të jemi në kontakt këtyre ditëve që pas stabilizimit të plotë të gjendjes, pacientët ti transferojmë në Shkup, për tretman të mëtutjeshëm”, ka deklaruar ministri Filipçe.

Familjarët të indinjuar pasi nuk kanë informacione

Familjarët e të aksidentuarve shprehen të revoltuar se nuk kanë informata për të afërmit e tyre që kanë udhëtuar me agjencinë "Besa Trans” në Turqi.

" Ishte ora 06 e mëngjesit, isha duke shkua në punë, e pash lajmin në Facebook, menjëherë më shkoi mendja tek kushëriri im dhe filluam të interesohemi. Kërkuam numrat e "Besa Trans”, por nuk paraqiten në telefon. Nuk kemi informata as nga institucionet, as nga Ministria e Jashtme. Nuk kemi informacione për momentin ”, shprehet Xhelal Bakiu, familjar.

 

Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut