1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
Sport

Trajneri Löw humbi edhe një shans për fillim të ri

2 Dhjetor 2020

Trajneri i kombëtares gjermane Joachim Löw do të vazhdojë punën e tanishme. Një vendim befasues nga Federata Gjermane e Futbollit, me të cilin shpërfillen zhvillimet negative në kombëtaren gjermane.

 Fußball | Nations League A | Deutschland - Ukraine
Fotografi: Robert Michael/dpa-Zentralbild/dpa/picture alliance

Analizat e trajnerit Joachim Löw duket të jenë jashtëzakonisht të mira. Nuk ka asnjë shpjegim tjetër për faktin se 60-vjeçari arriti të mbetet në detyrë përsëri - të paktën deri në Kampionatin Evropian në verë, por edhe deri në Kampionatin Botëror në vitin 2022. Këtë lajm e ka publikuar Federata Gjermane e Futbollit (DFB).

Trajneri Löw ishte përgjegjës edhe në kohën e dështimit total në Kampionatin Botëror të vitit 2018, kur Gjermania u eliminua pas garave në grupe. Trjaneri tha asokohe se do të rinovojë ekipin me lojtarë të rinj, të uritur për fitore. Edhe tani pas dështimit në Ligën e Kombeve kundër Spanjës thotë se do të bëjë të njëjtën. Presidenti i Federatës Fritz Keller tundi kokën "miqësisht", pas analizës së re të Löw. Humbja katastrofike nga Spanja me rezultat 6-0 u pa si një gabim i mundshëm dhe i justifikueshëm - e jo si një gabim tjetër serioz në sistemin e ekipit kombëtar. "Një lojë e vetme nuk mund dhe nuk duhet të jetë matësi kryesor i performancës së përgjithshme të ekipit kombëtar dhe trajnerit kombëtar", kumtoi DFB. "Prandaj, Joachim Löw vazhdon të ketë besimin e Presidencës së DFB".

Afërsia e tepërt e trajnerit me përgjegjësit?

Por ky justifikim i injoron javët dhe muajt e mëparshëm, kur 11-shja e DFB pati vështirësi të shumta me kundërshtarët gjoja të vegjël. Për një fillim të ri nuk mund të bëhet fjalë. Lojërat e fundit janë shoqëruar rregullisht me "re të errëta", siç tha edhe menaxheri Oliver Bierhoff. Besimi ndaj Federatës (DFB) dhe njëmbëdhjetëshit të saj, po bie gjithnjë e më shumë. Këtë e nënvizon edhe shikueshmëria më e vogël në televizor e ndeshjeve të ekipit.

Të gjithë këta faktorë duket se nuk kanë luajtur aspak, e në rastin më të mirë kanë luajtur pak, rol në vlerësimin e punës së trajnerit. Perkundrazi, duket se përgjegjësit kanë krijuar një afërsi tepër të madhe gjatë viteve të fundit me trajnerin e kombëtare Joachim Löw dhe se nuk janë në gjendje të shikojnë gjendjen reale të kombëtares. Ata duket se nuk janë në gjendje as të përfytyrojnë se mund të ketë një trajner tjetër të kombëtares. Si për shembull Ralf Rangnick, i cili nuk e përjashton këtë mundësi.

Lahm kritikon trajnerin

Krerët e DFB folën mirë për "funksionimin e raporteve mes ekipit dhe trajnerit", duke shtuar se Löw "ka paraqitur një koncept të qartë për rrugën e mëtejshme". Por ish-kapiteni i kombëtares dhe ish-lojtari i këtij trajneri, Philipp Lahm thotë se "lojtarët të cilëve u beson trajneri më në fund duhet të dëshmojnë aftësitë e tyre." Edhe në vitin 2018 Lahm thoshte se "Jogi Löw duhet t'i përshtatet brezit të ri të lojtarëve".

Jörg Strohschein

Fjalët e Lahmit mund të interpretohen edhe si pohim se Löw nuk i kupton nevojat e lojtarëve, shumica e të cilëve është në moshën rreth 25 vjeç. Lahm në këtë mënyrë thekson mungesat elementare për funksionimin e një ekipi. Kanë kaluar dy vite prej kritikave të fundit dhe ekipi i trajnerit Löw nuk të lë përshtypjen se ka ecur përpara. Por krerët e DFB thonë se Löw është duke bërë një punë "me kualitet të lartë" dhe se do t'i ndërmarrë të gjitha masat për "të luajtur jashtëzakonisht mirë në KE 2021".

Kokëfortësia

Mungesa e besimit të opinionit tek puna e Joachim Löw ka të bëjë edhe me faktin që trajneri kurrë nuk e ka parë të domosdoshme të komunikojë hapur për vendimet e tij. Ai shfaqet më shumë si një kokëfortë dhe jo si një person i afërt me publikun. Löw shpesh ka lënë shumë pyetje pa përgjigje - kur bëhet fjalë për analizën e gabimeve personale. Sidomos në kohërat kur nuk ka sukses, e kjo krijon mosbesim. Tifozët dhe lojtarët kanë nevojë pas 14 vitesh që të kenë një frymëzim tjetër me futbollin, e kjo duket si iluzion për Löw-in.

DFB i mbeti besnik trajnerit Löw, ndërsa ai i mbeti besnik vetvetes. Në këtë mënyrë ai humbi edhe këtë shans për një fillim të ri.