Trajtimi i azilkërkuesve - Malta kritikohet ashpër
11 Korrik 2012Malta është shteti më i vogël anëtar i Bashkimit Evropian, por ajo ka numrin më të madh të azilkërkuesve për banorë, më shumë se çdo vend tjetër evropian.
Vetëm përgjatë këtij viti, 900 persona kanë zbarkuar në brigjet e saj, shumica me varka nga Afrika e Veriut për në kontinentin evropian. Më shumë se 60 % e tyre ka nevojë për të qenë në vëmendjen e ndërkombëtarëve. Qeveria e Maltës ka krijuar qendra të mëdha ndalimi për të mbajtur emigrantët. Njëra prej tyre, Kazerma Safi, është e përbërë nga dy magazina të mëdha dhe është e pozicionuar prapa aeroportit kryesor të Maltës. Por kushtet në këtë qendër janë të nxehta dhe mbytëse -më shumë se 200 persona flenë në shtretër marinari në një konvikt të madh. Aparati i aspirimit është thyer dhe i nxehti është i padurueshëm. Një burrë pretendon se ka ndenjur tre orë në radhë për të marrë ushqim.
Në harresë
Disa prej emigrantëve, në veçanti ata nga Afrika Perëndimore, duhet të presin shumë muaj për një vendim lidhur me aplikimet e tyre. Mohammed ka qenë në qendër gjatë 15 muajve të fundit: "Ata na japin vetëm një palë rroba”, i thotë ai DW. “Paskëtaj, ata na japin një palë të tjera, por më pas asgjë. Kam pasur vetëm dy palë të brendshme për një kohë të gjatë, për një vit… Ne jemi të gjithë të sëmurë. Bën shumë vapë këtu”. “Ata na kapën në det tre ditë më parë. Na prangosën dhe na sollën këtu”, thotë Anthony nga Nigeria. “Po shpresoj të hyj në Itali", shton ai. Ka një oborr të vogël jashtë, me mure të larta, si një burg. Njerëzit gjejnë pak hije në qoshet e oborrit.
Ankesa nga grupet për të drejtat e njeriut
Organizatat e të drejtave të njeriut kanë kritikuar kushtet jonjerëzore në qendrat e ndalimit. Por pavarësisht këtyre ankesave, qeveria malteze ka refuzuar të ndryshojë kurs. Përkundrazi, ata apelojnë për më tepër mbështetje nga pjesa tjetër e Bashkimit Evropian. Në ministrinë e Drejtësisë dhe të Punëve të Brendshme në kryeqytetin maltez Valetta, Drejtori I Politikave Joseph St.John shpjegon përse: "Ishulli është shumë i vogël dhe ka një treg të vogël pune", thotë ai. "Prandaj presionet janë domethënëse, dhe në rastin e Maltës solidariteti është i nevojshëm në formën e zhvendosjes dhe risistemimit. Ajo çka bëmë ishte të promovonim çështjen tonë, duke shpjeguar si është situata në vend dhe përse ne duhet të ndihmojnë njëri-tjetrin, veçanërisht nga pikëpamja se ne po zhvillojmë një sistem të përbashkët azili."
Si mund të funksionojë një sistem i përbashkët pune nëse disa vende anëtare duhet të mbajnë një barrë kaq të rëndë mbi supe? Malta përfiton nga një program pilot i quajtur Eurema. Që nga viti 2005, 230 persona janë zhvendosur në shtetet e tjera të Evropës.
Rreth 1000 vetë gjithashtu janë risistemuar në Shtetet e Bashkuara. Por kjo ka pasur një ndikim të vogël në problemet e mbipopullimit në Kazermën Safi.
Politika e re e azilimit në BE
Tashmë të gjithë sytë janë mbi Brukselin, ku shpresohet që drejtuesit e Bashkimit Evropian të finalizojnë një sistem të përbashkët evropian të azilit deri në fund të vitit 2012. Qëllimi është që të futen standarde të përbashkëta për refugjatët dhe kërkesat e azilkërkuesve, duke krijuar të ashtuquajturën "zonën e vetme të mbrojtjes".
Ka shpresë se kjo do të përmirësonte kushtet e emigrantëve në Maltë. Fabrizio Ellul, përfaqësues i UNHCR-së në Maltë: "Ka disa qendra të cilat janë të mira. Të tjerat lënë shumë për të dëshiruar. Një gjë për të cilën nuk biem dakord në asnjë mënyrë, është politika e ndalimeve. Në parim ne mendojmë se azilkërkuesit nuk duhet të ndalohen.
Katrine Camilleri nga Organizata Jo-Fitimprurëse Shërbimet e Refugjatëve Jezuitë thekson se ka ende shumë punë për të bërë: "Për ne është e rëndësishme që t´i kushtohet rëndësi faktit se ky nuk është problemi i Maltës", thotë ajo. "Është problem i Maltës, por jo vetëm i Maltës. Ne jemi të aftë që ta kontrollojmë së bashku kufirin, por sa të aftë jemi ne për trajtimin e çështjeve si mikpritja dhe mbrojtja si një e tërë? Ky është shqetësimi im."
Ndërsa Bashkimi Evropian punon për përfundimin e një sistemi të përbashkët azili, njerëzit në këtë ishull të vogël po shikojnë përtej vitit 2012. Disa po kërkojnë forma të reja solidariteti evropian, e të tjerë po përpiqen të përmirësojnë kushtet e azilkërkuesve të Maltës. Dhe në vetvete refugjatët shpresojnë se pritja e gjatë e tyre në qendrat e ndalimit të marrë fund sa më shpejt.