1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Transparenca në ekonomi: Duhet të publikohen të gjitha informacionet?

19 Gusht 2011

Një fjali e një bankieri në vitin 2002 çoi në falimentimin e një koncerni gjigand mediatik në Gjermani. Çështja akoma endet nëpër gjykata, por edhe debati për transparencën në ekonomi vazhdon.

Leo Kirch
Njeriu i mediave Leo Kirch nuk jeton më, por çështja gjyqësore që nisi ai, po. Sa transparente duhet ekonomia?Fotografi: dapd

Më 3 shkurt 2002 shefi i atëhershëm i «Deutsche Bank» Rolf Breuer iu përgjigj pyetjes së një gazetari të agjencisë së lajmeve Bloomberg në Nju Jork se a do të ndihmojnë bankat që të mbijetojë koncerni mediatik i Leo Kirch-it me fjalët: «Me çfarë lexojmë dhe dëgjojmë për këtë çështje, sektori i financave nuk duket se është i gatshëm që në këto rrethana të vazhdojë të vërë në dispozicion mjete, qofshin këto të huaja, qofshin të vetat».

Sipas Leo Kirchit, i cili ndërkohë nuk jeton më, kjo fjali e çoi sipërmarrjen e tij drejt falimentimit. Ai - për sa ishte gjallë - dhe ndërkohë familja e tij e kanë paditur Rolf Breuer-in për këtë fjali. Të enjten (18.08.2011) filloi në Munih një episod i ri i dramës, e cila në thelb përmban çështjen: Çfarë duhet thënë e çfarë nuk duhet thënë në publik kur bëhet fjalë për çështje ekonomike.

Rolf Breuer, me nje fjali rrëzoi një koncern mediatikFotografi: AP

Sa transparente duhet të jetë ekonomia?

Në thelb është shumë e thjeshtë: Një lidhje biznesi nuk mbështetet vetëm mbi një ecuri të mirë procedurash. Në masë të madhe ajo mbështetet mbi mirëbesimin, respektimin reciprok dhe sjelljen me maturi, thotë avokati nga Duesseldorfi Mark Wilhelm: «Sigurisht që ka disa degë ekonomie ose disa profesione ku kërkohet një kujdes veçanërisht i madh në trajtimin e informacioneve. Këtu hyjnë bankat, natyrisht edhe ne avokatët. Këto janë shembujt klasikë. Në këto raste as nuk duhet folur e as nuk duhet gjykuar për partnerët e biznesit.»

Moguli i medies Leo Kirch thoshte se deklaratat e dhëna nga Breueri në intervistë kishin qenë shkaktare për rënien e sipërmarrjes së tij "Leo Kirch Gruppe", e cila në atë moment po kalonte një gjendje të vështirë. Për Mark Wilhelmin ky është një rast klasik, sepse kur një sipërmarrje ndodhet në një situatë të vështirë, atëherë mjaftojnë deklarata të tilla për të bërë që kupa jo vetëm të mbushet, por edhe të derdhet. «Kur një bankë lexon në gazetë se një sipërmarrje është në prag të falimentimit, se asaj nuk i jepen më kredi, se sipërmarrja është e zhytur në borxhe, se i mungon likuiditeti, se furnizuesit nuk po paguhen që prej disa muajsh, - atëherë bankat reagojnë dhe normalisht që kjo pasqyrohet tek mungesa e likuiditetit të sipërmarrjes.»

Kur heshtja është flori

Dr. Mark Wilhelm, avokatFotografi: Wilhelm

Që prej disa vjetësh, thotë Klaus Nieding, drejtor ekzekutiv i Bashkësisë Gjermane për Mbrojtjen e Pronës së Letrave me Vlerë (DSW, Deutsche Schutzgemeinschaft für Wertpapierbesitz), shefat e koncerneve të mëdha kanë dalë në fokus të publikut të gjerë. Ata janë bërë, sikurse edhe politikanët, persona të jetës publike. Kjo do të thotë se edhe ata duhet t'i matin mirë fjalët që thonë: «Kjo nënkupton që ata të kenë këshilltarë të specializuar në komunikimin me medien e të jenë më se të vetëdijshëm se cila shprehje e pamenduar vë në rrezik vlerat e pasurive, a i dëmton ajo ato, cilat deklarata kanë pasoja ndaj kursit të aksioneve të sipërmarrjes etj.»

Deri para vitit 1995, thotë Nieding, nxjerrja e informacioneve të brendshme të një sipërmarrjeje nuk ishte ndonjë gjë e jashtëzakonshme. Por atëherë nuk kishte ndjekje penale për raste të tilla. «Më së voni kur u vu ky rregull u bë e qartë se çfarë lënde shpërthyese qëndronte mbas deklaratave ose faktesh të atilla, kur ato publikoheshin ose kur trumpetoheshin me të madhe në pazarin e opioninit publik. Edhe për këto gjëra duhet të mendojnë anëtarët e kryesisë ose të këshillit mbikqyrës. Në se ajo që thonë ata është një fakt që ende nuk njihet në publik e që mund të ndikojë mbi kursin e aksioneve, atëherë nuk lejohet të flitet, sado i madh qoftë tundimi për të folur.»

Ekonomisti dhe avokati Klaus NiedingFotografi: Gaby Gerster

Zgjidhjet gjenden bashkarisht

Shumica e partnerëve të biznesit, thotë avokati nga Duesseldorfi Mark Wilhelm, kujdesen zakonisht që situatat e vështira t'i kapërcejnë bashkërisht dhe të gjejnë zgjidhje bashkërisht. «Sipërmarrjet duhet të jenë në gjendje të flasin normalisht me bankat për situatën e tyre dhe ato e bëjnë këtë. Dhe së bashku me bankat normalisht gjenden zgjidhjet, ose edhe me furnizuesit dhe partnerët e tjerë të biznesit, vetëkuptohet.»

Por kur mediet kapen pas një deklarate të bërë njëherë në publik, atëherë edhe partnerët e biznesit - në rastin Kirch bankat e tij - duhet të reagojnë: Wilhelm: «Ata sigurisht që duhet të mendojnë më parë, se cilat janë rreziqet që u kanosen, e se a janë të gatshëm ta pranojnë këtë si pasojë. Natyrisht që edhe gjendja e likuiditetit vështirësohet kur për shembull banka të bllokon kontot, sepse ajo thotë: Unë nuk po i marr mbrapsht kreditë e mia. Në këto raste i siguroj vetes të paktën atë pjesë të likuitetit që ekziston ose nuk lejoj më që të dalin para nga një kredi xhirollogarie."

Transparencë me masë?

Transparenca është gjithmonë e mirë thotë Mark Wilhelm, edhe në marrëdhëniet e biznesit. Por kur ajo trumpetohet dhe para së gjithash kur flitet tepër herët për situata kritike të sipërmarrjes në medie, atëherë kjo mund të bëhet edhe kontraproduktive. «Por unë sigurisht që besoj se për sipërmarrjet është e logjikshme që të krijojnë një situatë transparente me furnizuesit dhe bankat. Pyetja është vetëm se a do të duhet të bëhet ajo transparente edhe për publikun e gjerë? Unë dyshoj se kjo është e nevojshme.»


Autor: Monika Lohmüller/Anila Shuka

Redaktoi: Lindita Arapi

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW