1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

TI: Vendet më të korruptuara në botë

dpa/Mimoza Kelmendi3 Dhjetor 2013

Publikohet raporti i organizatës "Transparency International". Gjermania renditet e12-ta Shqipëria e 116-ta dhe Kosova e 111-ta.

Index i TI - 2013

Sipas vlerësimeve të organizatës "Transparency International", nuk ka asnjë vend europian si Greqia me një korrupsion kaq të madh dhe mjaft të përhapur. Vendi i zhytur thellë në borxhe ndodhet përsëri në statistikat e publikuara së fundi nga kjo organizatë në Berlin si vendi me nivelin më të lartë të korrupsionit në Bashkimin Evropian. Greqia renditet në vendin e 80 nga 177 vende që janë në listën botërore të kësaj organizate. Gjermania zë vendin e 12-të së bashku me Islandën. Në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2013, Danimarka dhe Zelanda e Re janë në krye të listës si vendet më të pastra ndaj këtij fenomeni duke zënë vendin e parë. Sipas studimit të fundit, vendet me korrupsion më të lartë përsëri e zënë Afganistani, Koreja e Veriut dhe Somalia që rradhiten në fund të listës. Por ajo që ra në sy në këtë index ishte Spanja, e cila sipas TI ka një përkeqësim të këtij fenomeni në vend. Pas publikimit të një sërë skandalesh nga partia qeverisëse dhe familja mbretërore, vendi renditet i 40-i në listë nga vendi i 30 që ishte një vit më parë.

Por si paraqiten vendet e Ballkanit?

Shqipëria këtë vit ka pësuar rënie në renditjen e "Transparency International", në krahasim me vitin e kaluar, duke zënë vendin e 116-të, ndërsa një vit më parë mbante vendin e 113-të. Në vitin 2013 Shqipëria është vlerësuar me 31 pikë nga 100 pikët e mundshme, së bashku me Nepalin dhe Vietnamin. Por krahasuar me vendet e rajonit Shqipëria renditet e fundit. Kosova këtë vit radhitet përpara Shqipërisë, në vendin e 111-të (së bashku me Tanzaninë dhe Etiopinë). Në fakt, janë vetëm Kosova dhe Shqipëria dy vendet që janë radhitur në “zonën e kuqe” të korrupsionit.
Mali i Zi është renditur në vendin e 67-të, duke përparuar nga vendi i 75-të ku ishte radhitur vitin e kaluar. Përmirësime në krahasim me vitin e kaluar kanë shënuar edhe Kroacia me vendin e 57-të nga vendi 62, pastaj Serbia me vendin e 72-të nga 80, kurse Maqedonia është radhitur në vendin e 67-të, ndryshe nga pozita e 69-të vitin e kaluar.