Trashëgimia kulturore në Gjermani - mbrojtja dhe organizimi
23 Janar 2012
DW: Profesor Frashëri, në çfarë niveli paraqitet kujdesi për trashëgiminë kulturore në Gjermani? A luan rol vet shoqëria e një vendi për ruajtjen dhe shpëtimin e kësaj trashëgimie?
Prof. Gjergj Frashëri: Gjermania është rast i veçantë dhe qëndron në krye të atyre vendeve që kontribuon kaq shumë për zbulimin dhe dokumentimin e historisë së vendit dhe të kombit të vet, jo vetëm me rregullin që siguron zbatimi i ligjit, por edhe me dashuri dhe patriotizëm. Personalisht kam bërë një përvojë intensive njëzet e një vjeçare nga Gjermania dhe shoh se si gjermanët punojnë në vendin e tyre por edhe në vendet e tjera në këtë fushë. Ata i kanë shtërnguar shumë ligjet e ruajtjes dhe të shpëtimit të monumenteve dhe të arkeologjisë, i kanë përsosur ato aq sa askush nuk merr guximin të ndërhyjë në to pa leje dhe aq më pak për t‘i shkaktuar atyre dëme. Vetë qytetari gjerman tashmë ka një edukatë ligjore dhe përvojë jete qytetare prej dekadash, e cila e ka bërë të ndërgjegjshëm dhe me bindje morale, se nuk ia vlen të bëjë shkelje të tilla. Për këdo që shkel ligjin në Gjermani ai i ka hyrë rrugës më pa perspektivë dhe më të kushtueshme për të arritur qëllimin e vet.
DW: Duke pasur parasysh pikërisht përvojën tuaj në Gjermani, a mund t'na e konkretizoni me ndonjë rast se si veprohet me qytetarët ose si reagojnë qytetarët kur bëhet fjalë për ndonjë zbulim arkeologjik?
Prof. Gjergj Frashëri: Përsa i takon arkeologjisë, Gjermania sipas meje, renditet në kreun e listës botërore për qeverisjen organizative ligjore të kësaj veprimtarie, në disiplinën e lartë tekniko-shkencore në kryerjen e gërmimit dhe në dokumentimin dhe arkivimin e zbulimit, në përpunimin, restaurimin dhe ruajtjen e objekteve arkeologjikë, si dhe në shfrytëzimin e tyre për sensibilizim turistik me kulturën muzeale dhe botuese. Nuk më hiqet nga mëndja projekti i parë që kam drejtuar - gërmimet arkeologjike pranë Katedrales (Dom-it) në Aachen, ku dolën në dritë rrënojat e Banjos Publike Romake bashkë me kompleksin e ndërtimeve rreth e rrotull saj të qytetit antik. Ishte një sencacion arkeologjik ku u derdh një vëmëndje e gjithanshme për ruajtjen apo largimin e tyre, për të bërë të mundur ndërtimin e Bibliotekës së Madhe të qytetit, që ishte planifikuar të ndërtohej. Në këto diskutime u bashkuan titullarë të ministrive të Landit të Renanisë Veriore-Vestfalidsë, specialistë të zyrave të Arkeologjisë së Landit, vetë Kryetari i Bashkisë së Aachen-it me administratën e tij, investitori i ndërtimit të Bibliotekës, historianë, intelektualë, shkencëtarë, gazetarë e njerëz të mediave, të cilët u derdhën si lumë për disa javë, për t'i dhënë zgjidhje situatës - do të ruhej in situ e tërë substanca arkeologjike e zbuluar, do të largohej ajo tërësisht pasi të dokumentohej për t'i lënë vënd ndërtimit të Bibliotekës, apo kishte një zgjidhje te ndërmjetme? Ky vendim nuk është kurrsesi në dorën e investitorit. Ai është i detyruar të zbatojë ligjin dhe vendimin konkret që marrin organet shtetërore kompetente. Por ajo që nuk mund ta harroj ishte moria e qytetarëve të thjeshtë që e rrethuan nga jashtë murin rrethues të sheshit të gërmimit, të cilët donin të mësonin me hollësi mbi vlerat e substancës që ishte zbuluar. Argumenti i tyre për vlerësimin me seriozitet të substancës arkeologjike,ishte vetëm sepse “ato rrënoja dëshmonin prejardhjen e qytetit të Aachen-it nga kultura romake, çka ishte një argument të ndjeheshin krenarë për qytetërimin e tyre të sotëm“.
Nuk ka gërmim arkeologjik në Gjermani, ashtu si çdo ndërtim që lejon Bashkia, që të mos pyetet dhe të mos përfshihet qytetari i thjeshtë, në marrjen e organizuar të mendimit të tij verbal dhe në të shprehurit e tij në mediat, para se të akordohet leja, si dhe gjatë ndërtimit. Dhënien e mendimit, qytetari gjerman e konsideron detyrim shtetëror.
DW: Por si bëhet organizimi i grumbullimit të zbulimeve arkeologjike, të objekteve arkeologjike apo i monumenteve historike? Si ruhen ato nga instancat përkatëse?
Prof. Gjergj Frashëri: Në Gjermani sistemi i organizimit shtetëror dhe privat i mbrojtjes së monumenteve dhe arkeologjisë bëhet në bazë të Landeve. Çdo Land është një shtet më vete. Problemet e organizimit për të gjithë arkeologjinë dhe monumentet e kulturës brenda hapësirës së tij i zgjidh ky land. Pozicioni shtetëror më i lartë, pra titullari më i lartë përgjegjës për mbrojtjen njëkohësisht, edhe të Monumenteve të Mbitokës edhe të Nëntokës Arkeologjike është ministri i Kulturës së Landit. Në këtë ministri veprojnë dy Drejtori paralele, njëra për Shpëtimin e Monumenteve dhe tjetra për Arkeologjinë e Shpëtimit. Këtu është edhe Arkivi Qëndror për gjithë monumentet e kulturës dhe zbulimeve arkeologjike të Landit. Në këtë arkivë të Ministrisë mblidhen edhe objektet e pasurisë arkeologjike, si qeramika, monedhat, metalet, kockat, pjesët arkitektonike, etj.
DW: Si në çdo vend, vlerat e trashëgimisë kulturore kërcënohen shpesh nga rreziku i aktiviteteve ndërtimore. Fjala është për ndërtimet pa leje por edhe nga investitorët për ndërtime legale. Ka raste në Gjermani dhe nëse po si veprohet?
Prof. Gjergj Frashëri: Praktika gjermane është shumë konkrete. Punën në terren nuk e bëjnë Drejtoritë e Ministrisë, por zyrat varëse direkte prej tyre – Drejtoritë Rajonale. Në çdo qark ka një të tillë. Këtu punojnë specialistë të orientuar më shumë nga ana juridike dhe administrative. Ata bëjnë kontroll javor mbi dëmtimet eventuale fizike, si në monumentet e kulturës, ashtu edhe në sitet arkeologjike. Shpesh në këto zyra është i punësuar vetëm një person. Natyrisht me prezencën e vazhdueshme në terren dhe rrjetin e tyre informativ, këto zyra janë të afta të njoftohen shpejt për ndonjë aksion ndërtimi pa leje. Përveç konstatimit të dëmtimeve fizike, këto zyra kryejnë edhe kontrollin e zbatimit të projekteve të miratuara, se si ecën gërmimi arkeologjik apo se si po restaurohet një kishë. Kryesisht të gjitha projektet në terren kryhen nga subjektet private, qoftë në gërmimet arkeologjike, qoftë në restaurimet. Mundësinë që firmat private të ushtrojnë këto aktivitete tekniko-shkencore e siguron Konventa Evropiane e Maltës e nënshkruar nga vendet evropiane. Ajo është një dokument ligjor, e cila i detyron qeveritë e vendeve që e kanë ratifikuar të detyrojnë investorët në vëndin e tyre, të cilët duan të ndërtojnë në një truall në rrezen e monumenteve të kulturës ose të nëntokës arkeologjike, të pajisen me leje për të bërë këtë investim ndërtues.
Gjithashtu i detyron ata të marrin përsipër të gjitha shpenzimet që kërkon subjekti i specializuar për të kryer kërkimin dhe dokumentimin arkeologjik apo restaurimin e monumentit të kulturës. Gjermania është ndër vendet më të organizuara dhe rezultative për besushmërinë dhe përgjegjësinë që iu ka dhënë firmave private për të kryer punën në kualitetin më të lartë e më të shpejtë, por edhe për depërtimin e kontrollit të dikasterit në indet e punës së përditshme të subjektit privat. Kjo është pjesë e kulturës së solidaritetit patriotik për mbrojtjen e ligjit dhe të bashkëjetesës në një shoqëri të emancipuar.
Autor: Mimoza Kelmendi
Redaktoi: Lindita Arapi