Trashëgimia kulturore pika kyçe ku duhet të mbështetet zhvillimi i Gjirokastrës
12 Korrik 2010
Përfshirja në listën e “Pasurive të Trashëgimisë Kulturore Botërore” ishte ngjarje e jashtëzakonshme që e ndryshoi jetën e qytetit në jug të Shqipërisë dhe përcaktoi si prioritet të zhvillimit ruajtjen e vlerave të trashëgimisë dhe zhvillimin e turizmit.
Për të parën herë është hapur në Gjirokastër edhe një zyrë për informacionin turistik, zyrë që u ka shërbyer kontakteve me agjenci vendase e të huaja. Por megjithë arritjet, mjaft nga monumentet e kulturës janë ende në rrezik dhe vëmendja e shtetit dhe e donatorëve është ende e pakët.
Për drejtorin e kulturës në Gjirokastër, Thimjo Fili, pranimi në UNESCO ndryshoi fillimisht mentalitetin e qytetarëve, "u hap një portë e madhe për qytetin e lashtë të Gjirokastrës. Në momentin e parë të duket sikur nuk ka ndodhur asgjë e veçantë. Por më pas gjirokastritët e kuptuan nga ardhja e turistëve, numri të cilëve po rritej çdo ditë. Dhe kjo bëri që qytetarët të kuptojnë se hyrja në UNESCO qe një gjë e madhe, e jashtëzakonshme”.
Po për të përballuar sfidat e konkurencës dhe për të realizuar objektivat e ofertës turistike në kontekstin rajonal nuk mjafton vetöm kaq. Ndaj Silva Kekezi, përgjegjëse e kulturës e zhvillimit në prefekturën Gjirokastrës, pohon se "pika kyçe ku duhet të mbështetet gjithë zhvillimi i qytetit është trashëgimia kulturore, është promovimi kësaj trashëgimie, investimi për turizmin dhe restaurimet.
Në këto pesë vite Gjirokastra po përballet me rrezikun e braktisjes, të problemeve të pazgjidhura pronësore si dhe të investimeve jo të mjaftueshme restauratore. Drejtor i organizatës për ruajtjen dhe zhvillimin e Gjirokastrës, Sadi Petrela, thotë se "nuk është e pamundur, por thashë se duhet një vullnet i bashkuar i pronarëve, një ndërhyrje e fuqishme e shtetit, ndoshta ndryshim e modifikim në legjislacion, ose le të themi riaktivizim i legjislacionit të vjetër."
Në Gjirokastër në këto pesë vjet shteti le të themi është zgjuar nga hutimi i tranzicionit dhe po investon në restaurime dhe ruajtjen e vlerave të trashëgimisë. Jorgo Xuhano, një prej drejtuesve të kompanive restauratore thotö: "kjo traditë vijon për arsye se specialistët janë në qytetin tonë, dhe ne po vazhdojmë me këta specialistë që kanë mbi 40 vjet që punojnë në këto restaurime të monumenteve të kulturës".
Ndonëse jo me ritmin që do ta dëshironin qytetarët, Gjirokastra po ecën drejt destinacionit si një prej qëndrave më të rëndësishme të kulturës kombëtare shqiptare, një qëndër e rëndësishme turistike. Alma Dhrami, është pronare e një prej shitoreve të mëdha të suvenireve në pazarin karakteristik. Ajo thotë se "lëvizja e njerëzve është shumë më e madhe nga vende të ndryshme të botës, sepse ka ndikuar hyrja e Gjirokastrës në UNESCO dhe jo vetëm ajo por janë bërë shumë restaurime, shumë rregullime. Turistët zakonisht kërkojnë gjëra simbolike, gjëra të traditës si qeleshe, gjëra tradicionale të vjetra, ose një portë, sofat etj. gjëra simbolike të Gjirokastrës”.
Autor: Odise Kote
Redaktor: Pandeli Pani