1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tre imunologë nderohen me Çmimin Nobel në Mjekësi 2011

3 Tetor 2011

Çmimi Nobel në Mjekësi dhe Fiziologji iu akordua sivjet tre studiuesve në fushën e imunologjisë: Bruce Beutler nga SHBA-ja, luksemburgasi Jules Hoffmann si dhe kanadezi Ralph Steinman.

Shkencëtarët Bruce Beutler, Jules Hoffmann dhe Ralph SteinmanFotografi: AP/picture-alliance/dpa

Të tre shkencëtarët kanë kontribuar me studimin e tyre për ta kuptuar më mirë sistemin e imunitetit të njeriut dhe për të gjetur rrugët e aktivizimit të tij, deklaroi Instituti Karolinska në Stokholm.

Në këtë mënyrë ndër të tjera të tre studiuesit kanë krijuar mundësitë për zhvillimin e terapive të reja kundër sëmundjeve infektive si SIDA apo kanceri. Çmimi në vlerën e 1,1 milionë eurove do të ndahet midis tre shkencëtarëve.  Gjysmën e vlerës e marrin Beutler dhe Hoffmann për punën e përbashkët në fushën e sistemit të lindur të imunitetit, gjysma tjetër i akorodhet studiuesit Steinman për zbulimin e tij të të ashtuquajturave qeliza denditrike, të cilat janë përgjegjëse në masë të gjerë për aktivizimin e sistemit imun të njeriut.

Medalja e Çmimit NobelFotografi: picture-alliance/dpa

Mundësohen terapi të reja

 Profesori suedez në fushën e gjenetikës dhe zëvendësdrejtor i Komitetit Nobel për Mjekësinë në Institutin Karolinska, Urban Lendahl, pyetjes së agjencisë gjermane të lajmeve dpa, se cila është rëndësia praktike e këtij zbulimi iu përgjigj: «Të tre nobelistët na kanë dhënë ne në dorë mjete krejtësisht të reja për zhvillimin e vaksinave të rëndësishme.  E gjithë industria e vaksinave në botë i ka përpunuar njohuritë e tyre. Përveç kësaj ekzistojnë edhe të gjitha konsekuenca të tjera të mundshme praktike p.sh. për të luftuar kancerin.»

Kultivimi i qelizave në laboratorFotografi: dpa

I pyetur lidhur me bashkëpunimin midis tre studiesuve, profesor Lendahl vë në dukje, se nuk ka dijeni për këtë: «Por është interesant, që Beutler dhe Hoffmann paralelisht dhe të pavarur nga njëri-tjetri kanë punuar në fusha të ndryshme. Njëri ka punuar me mizat e frutave (drosofila)dhe tjetri me mikroorganizma. Ndërsa Steinman ka ndjekur një rrugë krejt tjetër. Kjo ka bukurinë e vet, pra që duke punuar në rrethana kretësisht të ndryshme arrin në të njëjtin rezultat.  Që të tre studiuesit e njohin njëri - tjetrin, gjë që është e zakonshme në qarqet shkencore.»

Autor: Judith Hartl / Vilma Filaj-Ballvora (dpa)
Redaktoi: Auron Dodi