1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nobeli 2022 ndahet mes tri fizikantësh

4 Tetor 2022

Francezi Alain Aspect, amerikani John F. Clauser dhe austriaku Anton Zeilinger janë fituesit e Nobelit në fizikë. Akademia Suedeze e Shkencave i vlerësoi ata për "studimet pioniere në fushën e informacionit kuantik".

Secretary General of the Royal Swedish Academy of Sciences Hans Ellegren, Eva Olsson and Thors Hans Hansson  Physik Npbelpreis
Fotografi: IMAGO/Jonas Ekstromer/TT

 

Çmimi Nobel i këtij viti në Fizikë shkon për fizikanin francez Alain Aspect, fizikanin eksperimental amerikan John Clauser dhe fizikanin kuantik austriak Anton Zeilinger. Ata u nderuan për kërkimet e tyre në fushën e mekanikës kuantike, siç njoftoi Akademia Suedeze e Shkencave të martën në Stokholm. Ata kanë arritur njohuri novatore me eksperimentet e tyre me grimca që bashkohen me njëra-tjetrën edhe pse nuk kanë qenë kurrë me njëra-tjetrën. 

Rezultatet e punës së tyre hapën rrugën për teknologji të reja të bazuara në informacionin kuantik, argumentoi Akademia. "Parashikimet e tyre kanë tronditur themelet e mënyrës së interpretimit të matjeve”. 

Anton ZeilingerFotografi: Matthias Röder/dpa/picture alliance

"Ndërsa fizikanët shpesh trajtojnë probleme që në shikim të parë duken të jenë shumë larg shqetësimeve të përditshme - grimcat e vogla dhe misteret e gjera të hapësirës dhe kohës – studimet e tyre ofrojnë bazat për shumë aplikime të shkencës në praktikë, si për shembull në fushën e kriptimit ose teleportimit", u bë e ditur nga Akademia. Zeilinger, i cili ishte i lidhur me telefon me gazetarët në Stockholm, tha se bëhet fjalë jo për teleportim njerëzish, si në filmat e tipit Star Treck, por për teleportimin e të dhënave. 

Vitin e kaluar, çmimi i Nobelit në Fizikë iu dha tre shkencëtarëve - Syukuro Manabe, Klaus Hasselmann dhe Giorgio Parisi - puna e të cilëve kishte ndihmuar në shpjegimin dhe parashikimin e forcave komplekse të natyrës, duke zgjeruar kështu të kuptuarit tonë për ndryshimin e klimës. 

Mjekësi: Nobeli i dytë brenda familjes

Të hënën, Akademia e Nobelit në Stokholm shpalli fituesin e çmimit Nobel në mjekësi: shkencëtarin suedez Svante Paabo. Ai u nderua për zbulimin e sekreteve të ADN-së së Neandertalit. Hulumtimet e tij kanë sjellë njohuri të rëndësishme për të kuptuar sistemin tonë imunitar, argumentoi juria.

Svante Pääbo, fituesi i çmimit Nobel në mjekësi Fotografi: Christian Charisius/dpa/picture alliance

Pääbo edhe më parë ishte nderuar me  çmime të shumta kombëtare dhe ndërkombëtare. Në vitin 1992 atij i ishte dhënë  çmimi gjerman Leibniz, një nga çmimet më të njohura të shkencës në botë. 67-vjeçari ishte në Leipzig të Gjermanisë kur mësoi  për nderimin e tij më të fundit. 

Pääbo nuk është nobelisti i parë në familjen e tij. Edhe i ati, Sune Bergström, e ka marrë çmimin për të njëjtën kategori, në vitin 1982. Bergström u nderua së bashku me dy të tjerë për “zbulime në lidhje me prostaglandinës dhe substanca aktive biologjikisht të afërta". 

Vitin e kaluar çmimin Nobel në Mjekësi e morën dy shkencëtarë të biologjisë molekulare: Julius dhe Patapoutia.

Java e Çmimeve

Java e parë e tetorit është gjithnjë jave shpalljeve të fituesve të çmimit Nobel.  Të mërkurën pritet të shpërndahet çmimi nobel për kimi dhe të enjten për  letërsi. Çmimi Nobel i Paqes 2022 shpallet të premten, ndërsa çmimi i ekonomisë më 10 tetor. Paratë vijnë nga trashëgimia e  lënë nga krijuesi i çmimit, shpikësi suedez Alfred Nobel, i cili vdiq në 1895.

Medalja e Çmimit Nobel për LetërsiFotografi: Daniel Reinhardt/dpa/picture alliance

Çmimet Nobel kanë vlerë prej 10 milionë korona suedeze (rreth 900,000 dollarë) dhe akordohen më 10 dhjetor. Festa e sivjetshme do të mbledhë edhe nobelistët e viteve 2020 dhe 2021, për të cilët nuk pati ceremoni për shkak të pandemisë së koronavirusit.