080811 EU Finanzen
9 Gusht 2011Zëdhënësi i Komisionit, Olivier Bailly nuk e pati të lehtë prononcimin për shtyp, pikërisht të hënën në mëngjes, kur gazetat e përshkruanin atë si "e hëna e zezë". Edhe pse në të vërtetë nuk ishte edhe aq keq, tregjet janë shumë të nervozuara. Përveç kësaj, shefi i Baillys, fajësoi presidentin e Komisionit të BE-së José Manuel Barroso, për bashkëpërgjegjësi në trubulencat e tregjeve. Javën e kaluar Barroso pati kërkuar shtimin e fondit për shpëtimin e euros, megjithëse kryetarët e qeverive dhe të shteteve patën marrë për këtë temë vendime të qarta dy javë më parë.
Gjatë fundjavës pati këshillime dhe aktivitete plot tensione, për të penguar ashpërsimin e mëtejshëm të gjendjes. Bailly dukej nervoz në prononcimin e tij: „Të gjitha mesazhet që ne dërguam në fundjavë në adresë të G 20-ës, G 7-ës, të vendeve të ndryshme anëtare të BE-së dhe të Bankës Qëndrore Evropiane, kanë shkuar në drejtimin e duhur duke dhënë sinjale shpresëdhënëse për rritjen e besimit të tregjeve dhe aktorëve vendimtarë."
Ekspertë e shohin me sy kritik ndërhyrjen e Bankës Qendrore
Mungesa e besimit është evidente, megjithatë ishte i dukshëm edhe një sinjal. Interesat e bonove dhjetëvjeçare të thesarit, atyre italiane dhe spanjolle kanë rënë, pasi Banka Qendrore Evropiane bëri të qartë në fundjavë se do blejë një sasi të tyre. Zëdhënësit Bailly-it iu morr goja kur jepte shpjegimet: „Ne besojmë se Banka Qendrore Evropiane do të marrë vendimet e duhura për të ruajtur stabilitetin financiar të zonës së euros." Shumë ekspertë e shohin me sy kritik ndërhyrjen e Bankës Qendrore, duke e vlerësuar atë si zbehje të politikës së stabilizimit dhe si një hap tjetër drejt një unioni transferesh, ku vendet solide paguajnë për ato josolide. Me aksionin e saj Banka Qendrore Evropiane ka fituar kohë. Edhe sa kohë do të zgjasë derisa Italia dhe Spanja të kthehen në vende që duhen shpërtuar? Zëdhënësi i Komisionit, Bailly e hedh poshtë këtë: „Ne nuk shohim të jetë e nevojshmë për të ndihmuar financiarisht Italinë apo Spanjën. Këto vende kanë njoftuar se do të marrin masa të tjera konsoliduese, dhe ne besojmë se këto masa do të mjaftojnë për të arritur stabilitetin financiar."
Motoja e Komisionit të BE-së ishte të hënën (08.08.2011) kryesisht, për të qetësuar dhe vendosur gjithçka nën kontroll. Por, ndryshe nga vitet e tjera sivjet Komisioni jep çdo ditë konferenca shtypi edhe në muajin gusht, muajin e pushimeve. Edhe vetëm ky flet për atë se me çfarë kemi të bëjmë.
Autor: Christoph Hasselbach / Aida Cama
Redaktoi: Bahri Cani