1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermanët preferojnë produkte të tregtuara në mënyrë të ndershme

Martin Nicolas19 Prill 2013

Prej njëzet vjetësh në tregun gjerman ofrohen prodhime që mbajnë një vulë blu-jeshile. Fjala është për prodhime Fairtrade - Tregti e Ndershme.

Fotografi: TransFair e.V./C. Nusch

Me më shumë se gjysmë miliardë euro në vitin 2012 gjermanët kanë blerë rreth 33 për qind më shumë prodhime Fairtrade se sa një vit më parë. Këto janë produkte që janë prodhuar jo në kurriz të punëtorëve dhe pa dëmtuar mjedisin. Cili produkt në Gjermani merr vulën Fairtrade e vendos shoqata TransFair. Dieter Overath drejtor ekzekutiv i TransFair është i kënaqur me bilancin vjetor.

Dieter OverathFotografi: Rainer Holz/TransFair e.V.

Përhapje përmes supermaketeve

Sidomos përfshirja e produkteve Fairtrade në ofertën e supermarketeve të mëdha dhe me çmime të ulta e kanë bërë markën Fairtrade të njohur gjatë vitit të kaluar. Produkte të tilla si sheqer, banane dhe kafe Fairtrade janë shitur për shembull edhe në rrjetin më të madh të supermarketeve në Gjermani, Aldi.

Produkti më i shitur janë trëndafilat. Shitja e tyre është trefishuar falë përfshirjes së tyre tek oferta e grupit Edeka, Lidl dhe Metro. Çdo i pestë trëndafil i shitur në Gjermani në vitin 2012 ishte nga Fairtrade.

Fotografi: DW

Edhe rrjeti më i madh gjerman i supermarketeve që shesin prodhime kozmetike DM ka tani në ofertë produkte me vulën Fairtrade. Fairtrade ka pra në të gjithë Gjermaninë një rrjet shpërndarjeje prej më shumë se 42.000 dyqanesh.

Rebeli i vogël TransFair, qëllimi më i lartë i të cilit është që të prodhojë në kushte pune të ndershme në vendet në zhvillim ka mbërritur kështu në qendër të ekonomisë së tregut. "Është një fakt që 90 për qind e të gjithë qytetarëve gjermanë shkojnë për të blerë tek Aldi dhe Lidl" Me etiketën Fairtrade këta discounter angazhohen më tepër për prodhim të tilla, thotë Dieter Overath.

Zbutja e synimeve për një synim të mirë?

Ndërsa shitjet në pothuajse të gjitha fushat janë rritur, shqetësim përbëjnë veçanërisht çokollatat. Shitjet kanë rënë me rreth 30 për qind. Sipas Overath arsyeja kryesore është se shumë prodhues gjermanë ende refuzojnë të përdorin për çokollatat jo vetëm kakao por edhe sheqer nga tregtia e ndershme. Deri tani si rregull vlen që vetëm kur një produkt është i bërë krejtësisht prej përbërësve të tregtuar në mënyrë të ndershme, lejohet të mbajnë vulën e Fairtraid.

Prandaj shoqata është duke menduar për t'u shmangur nga qëllimet fillestare. Sidomos në Afrikën Perëndimore situata është shumë e tensionuar - shumë fermerë nuk kanë mundur t'i shisnin mallrat e tyre. "Këtu ne jemi duke menduar që të bëjmë ndonjë lëshim për disa produkte që lidhen ekskluzivisht me kakaon," thotë Overath. E thënë më qartë, ndoshta së shpejti me etiketën Fairtraid mund të pajisen në tregun gjerman edhe çokollata në përmbajtjen e të cilave vetëm kakaoja është produkt i tregtuar në mënyrë të ndershme.

Fotografi: picture-alliance/dpa

Shtohen prodhimet Fairtraid në Gjermani

Edhe pse në Gjermani tregtia e produkteve Fairtrade ka shënuar rritje në Angli këto produkte shiten më tepër. Sa i përket konsumit Gjermania është gjithashtu ende shumë prapa vendeve si Zvicra apo Holanda.

Kështu një gjerman shpenzon mesatarisht vetëm rreth gjashtë euro në vit për produkte të tregtisë së ndershme - një zviceran rreth 42 euro, pra shumë më shumë. Pikërisht në këtë drejtim synon të shkojë TransFair në Gjermani. Në fundi të këtij viti, do të hidhen në treg produkte kozmetike me etiketën Fairtrade dhe konsumatorët në Gjermani mund të zgjedhin nëse për bukurinë e tyre do të preferojnë produkte të tregtuara në mënyrë të ndershme.