1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tregti me këmbim në Ballkan?

29 Shkurt 2012

Në takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së në Bruksel Rumania e bllokoi pranimin e kandidatutës së Serbisë për anëtarësim. Bukureshti kërkon nga Beogradi të njohë vllehtë si pakicë rumune në Serbi.

Fotografi: picture alliance/dpa

Qëndrimi bllokues i Rumanisë erdhi krejt papritur. Në nëntor të vitit të kaluar presidenti rumun Traian Basescu e pati siguruar homologun e tij serb Boris Tadiq gjatë një vizite në Beograd, se Rumania e mbështeste pa rezerva anëtarësimin e Serbisë në BE. Që më parë Rumania pati sinjalizuar disa herë mbështetjen e saj, pavarësisht prej progresit në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës. Më shumë akoma: Rumania është njëri prej pesë vendeve të BE-së (së bashku me Spanjën, Sllovakinë, Greqinë dhe Qipron), të cilat refuzojnë njohjen e Kosovës si shtet.

Megjithatë, çështja e pakicës rumune në Serbi gjendet prej kohësh në rendin e ditës dypalësh rumuno-serb. Këtu nuk është fjala aq për rumunët në provincën veriore të Vojvodinës. Këtu në vendbanimet e populluara prej tyre rumanishtja njihet si gjuhë zyrtare, gjuha amtare ruhet në shkolla, kisha dhe medie. E njëjta gjë vlen edhe për pakicat e hungarezëve, kroatëve, sllovakëve dhe rusëve që jetojnë në Vojvodinë.

Në foto, Tadiq dhe BasescuFotografi: DW/Cristian Stefanescu

Vllehtë nuk pajtohen mes veti

Më saktë, është fjala për vllehtë që jetojnë në lindje të Serbisë (në të ashtuquajturën lugina Timok). Gjuha e tyre (arumanishtja) është një dialekt i gjuhës rumune, i dalë prej rumanishtes së vjetër. Bukureshti këmbëngul, që vllehtë të njihen si pakicë rumune. Serbia nga ana tjetër kërkon, që statusi i kësaj pakice të sqarohet rajonalisht, meqenëse vllehtë/aromunët nuk jetojnë vetëm në Serbi, po edhe në Greqi, Shqipëri, Kroaci dhe Maqedoni.

Rreth 100.0000 vllehtë e luginës Timok janë të përçarë. Rreth 30.000 pjesëtarë të kësaj pakice kërkojnë njohjen e tyre si rumunë në Serbi e kësisoj edhe të njëjtat të drejta si pakica rumune në Vojvodinë. Këto grupime presin një mbështetje aktive nga "mëmëdheu" i tyre Rumania. Mirëpo, të tjerët e shohin veten si pakicë e mëvetësishme dhe distancohen kategorikisht prej bashkëatdhetarëve të tyre pro-rumunë.

Vallëzim tradicional i vllehveFotografi: Bob Talabac

Përse pikërisht tani?

Mirëpo, përse e sjell në Bruksel Bukureshti të ashtuquajturën "çështje të vllehve", dhe e bën këtë pikërisht tani? Vëzhguesit në kryeqytetin rumun nisen nga disa hipoteza. Nga njëra anë, Rumania pati pritur lëshim më të madh prej Serbisë në këtë çështje, pasi Bukureshti nuk e ka njohur Kosovën si shtet. Tani synohet që Beogradi të bëjë lëshime detyruese nën trysninë e BE-së.

Nga ana tjetër, mund të ketë një lidhje midis qëndrimit të tanishëm të Rumanisë dhe shtyrjes së anëtarësimit të vendit në Schengen. Vonimi i pranimit në hapësirën e përbashkët evropiane pa kufij (para së gjithash Gjermania dhe Franca e patën bllokuar Rumaninë) e pati shtyrë Bukureshtin qysh para një viti që të mendohej për një bllokadë të anëtarësimit të Kroacisë në BE. Nga plani u hoq dorë me trysninë nga Brukseli. Pasi Gjermania dhe Franca qenë shprehur pro hyrjes së Rumanisë në Schengen, mbetet vetëm Holanda, që vazhdon të mos e dojë brenda Rumaninë (dhe Bullgarinë). Kësisoj, Bukureshti mund të ketë në plan një "tregti me këmbim": Holanda heq dorë nga qëndresa dhe Rumania hap rrugën për Serbinë.

Pamje simbolikeFotografi: AP

Shumë zëra - jo siguri

Por pozicioni i papritur i Rumanisë mund të ketë edhe arsye politike të brendshme. Presidentit Traian Basescu synohet t'i krijohet rasti, që në samitin e BE-së të enjten dhe të premten në Bruksel të shpallë personalisht fundin e qëndrimit bllokues duke u pozicionuar kështu si mbrojtës i të gjithë rumunëve brenda dhe jashtë vendit. Në fund të 2012-s në Rumani ka zgjedhje parlamentare dhe partia qeveritare e liberaldemokratëve (PDL), magneti më fortë i së cilës është presidenti, renditet në anketime pas opozitës social-liberale. Një sukses i Basescut në politikën e jashtme mund ta fuqizonte PDL-në.

Mirëpo edhe për këtë skenar flitet në Bukuresht: Gjermania, e cila pas negociatash të vështira e mbështet tani zyrtarisht statusin e kandidatit për Serbinë, mund të përpiqet që nëpërmjet një të treti (në këtë rast nëpërmjet Rumanisë) të vonojë një vendim përfundimtar.

Në foto, Basescu dhe MerkelFotografi: picture-alliance/dpa

Mirëpo, cilado prej këtyre hipotezave qoftë e saktë: Edhe në Bukuresht janë të bindur, që Rumania do ta rishikojë pozicionin e saj dhe që Serbia do ta marrë statusin e kandidatit brenda kësaj jave.

Autor: Robert Schwartz / Elert Ajazaj

Redaktoi: Esat Ahmeti