Tregtia me fëmijë është problem madhor në jug të Afrikës
29 Mars 2007Duke filluar nga nesër përfaqësues të qeverive, organizata të Kombeve të Bashkuara dhe të BE-së do të diskutojnë në Johannesburg mbi strategjitë kundër tregtisë me fëmijët. Organizata humanitare Terres des Hommes i ka bërë thirrje konferencës ndërkombëtare për një mbrojtje më të mirë të djemve dhe vajzave. Shtetet jugafrikane vërtet kanë nënshkruar të gjitha konventat dhe protokollet e Kombeve të Bashkuara kundër tregtisë së qënieve njerëzore por pasqyrimi në ligjet kombëtare mungon ashtu si dhe konseguenca politike.
Në pjesën më të madhe të vendeve në jug të Afrikës tregtia me fëmijët nuk trajtohet si krim. Problemi është se në asnjë prej vendeve nuk egziston një përkufizim i mbështetur në ligj mbi atë se çfarë është tregtia me fëmijë. Për rrjedhojë nuk ka as ligje përkatëse. Në Mozambik p.sh. nuk është krim nëse djemtë e rinj mashtrohen për qëllime shfrytëzimi seksual. E ngjashme është situata edhe në pjesën më të madhe të vendeve të tjera megjithëse organizatat joqeveritare dhe qeveritë kanë ngritur grupe pune për zhvillimin e mekanizmave përkatëse të kontrollit. E qartë është një gjë: tregtia me fëmijë është një problem madhor në jug të Afrikës.
Fëmijët nuk meren seriozisht dhe shpesh injorohen. Shpesh herë ata mund të kapërcejnë lehtë pa dokumente dhe kontrolle kufijtë mes Mozambikut, Afrikës së Jugut, Zimbabves dhe Zambias. Kontrollet kufitare mes vendeve nuk janë edhe aq strikte dhe shpesh ka kufij të ashququajtur të gjelbër të cilat shfrytëzohen si pika kontrabande. Molo Shongololo, një organizatë për mbrojtjen e fëmijëve në Afrikën e Jugut thotë se nuk ka shifra të sakta mbi tregtinë me fëmijët. Supozohet megjithatë se mijëra fëmijë dhe gra të reja kontrabandohen çdo vit në kufijtë ndërkombëtarë. Thuhet se Mozambiku shërben si qendra afrikane e mbledhjes për fëmijët e kontrabanduar nga i gjithë kontinenti. Prej andej ata shiten në pjesën më të madhe të rasteve në Afrikën e Jugut.
Organizata Ndërkombëtare për Migracionin IOM u vjen në ndihmë vajzave të cilat kanë shpëtuar nga kthetrat e shfrytëzuesve të tyre në Afrikën e Jugut. Disa prej vajzave janë vetëm 13 ose 14 vjeç dhe megjithë moshën e re kanë punuar për vite me rradhë në prostitucion. Kështu tregon përfaqësuesja e IOM-it në Mozambik, Nelly Simbine: "Aktualisht kemi pritur gjashtë të rinj të cilët ishin shitur në Afrikën e Jugut. Atyre u kemi ofruar ndihmë. Një pjesë i kemi kthyer ndërkohë në fëmiljet e tyre. Ne jemi të lumtur kur kemi mundësi të ndihmojmë edhe kur fjala është për pak të rinj. Ne gëzohemi që shtimin e vëmendjes së njerëzve ndaj këtij problemi."
Afrika e Jugut konsiderohet aktualisht në të gjithë botën si qendër e tregtisë me fëmijë. Prej andej fëmijët nga Azia dhe Amerika e Jugut dhe nga i gjithë kontinenti afrikan kontrabandohen në Europë. Në Afrikën e Jugut nuk është problem sigurimi i dokumentave të rreme dhe Afrika e Jugut ka reputacionin e një vendi të besueshëm dhe të padyshimtë. Numri i fëmijëve të rrugës është vazhdimisht në rritje në Afrikën e Jugut dhe shpesh zbulohen në kryeqytet qëndra ku fëmijët shfrytëzohen si skllevër seksi. Metodat e përdorura nga kontrabandistët e fëmijëve janë të njëjtat. Ata u ofrojnë fëmijëve ose vajzave të reja punë jashtë shtetit, me dokumente të rreme ata vijnë në një vend të huaj. Më pas u thuhet se kanë hyrë në borxhe dhe e vetmja rrugë për t'i shlyer ato është prostitucioni dhe shpesh edhe puna si shërbëtorë.
Por Nelly Simbine nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin IOM në Mozambik thekson se tregtia me fëmijë nuk zhvillohet vetëm mes vendeve. Shqetësuese është edhe tregtia me fëmijë brenda vetë Mozambikut ku të miturit shtiten për aktivitete magjie. T'ia vësh gjithnjë fajin vendeve të tjera nuk kontribuon në zgjidhjen e problemit thotë Nelly Simbine:"Tregtia me fëmijë egziston edhe brenda kufijve. Kur ne flasim për tregti fëmijësh në Mozambik tendenca është të problemizohet kontrabanda më fëmijë përtej kufijve. Por kemi edhe raste të rrëmbimit të fëmijëve brenda Mozambikut."
Në konferencën ndërkombëtare kundër tregtisë me fëmijë në Johanesburg rreth 150 pjesëmarrës nga organizatat joqeveritare, Kombet e Bashkuara, BE dhe bashkësia e shtetetve të jugut të Afrikës do të diskutojnë mbi strategjitë për kufizimin e tregtisë me fëmijë dhe mbrojtjen më të mirë të fëmijëve.