Trojka jep dritën e gjelbër për ndihmën për Greqinë
11 Tetor 2011
Kreditorët ndërkombëtarë të Greqisë kanë dhënë dritën e gjelbër për dhënien e këstit tjetër të ndihmave financiare vendit që rrezikohet nga falimentimi. Bëhet fjalë për një kredi tjetër prej tetë miliardë eurosh që ka gjasa të jepen në fillim të nëntorit, bëri të ditur e ashtuquajtura trojka në Athinë, në përbërjen e së cilës ka ekspertë nga Bashkimi Europian, nga Banka Qëndrore Europiane dhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Por për transferimin e parave nevojitet edhe miratimi i ministrave të financave eurozonës dhe të drejtorisë së FMN-s.
Masat e kursimeve të grekëve mjaftojnë vetëm për 2012
Ekipi i të ashtuquajturës, trojka, sipas një deklarate të publikuar, pranon se recesioni i thellë e bëri të vështirë përpjekjen për të arritur objektivin për zvogëlimin e deficitit të këtij viti, duke lënë të hapur mundësinë dhe të masave të reja për periudhën 2013-2014, duke vënë theksin në zvogëlimin e shpenzimeve.
Sipas trojkës në fushën e privatizimit, ka pasur progres, megjithatë sipas deklaratës, vonesat në përgatitjen e privatizimit të aseteve dhe deri diku përkeqësimi në kushtet e tregut, do të rezultojë në humbje të mëdha të të ardhurave të vitit 2011.
Ministri grek i Financave Evangelos Venizelos përshëndeti deklaratën e trojkës. Sipas tij ajo është "e balancuar, e zbatueshme dhe pozitive", thuhet në deklaratën e tij me shkrim.
Për vendin e zhytur në borxhe të mëdha ishte rënë dakort në pranverë për një program të parë me kredi. Para dhënies së kësteve të veçanta të kredive, qeveria në Athinë duhet të dëshmojë që ajo i realizon kushtet e vëna për masat e kursimit. Ndërkohë qeveria e kryeministrit Jorgos Papandreu ka qenë vazhdimisht e vonuar në plotësimin e kushteve. Arsyeja për këtë është edhe se ekonomia greke ka rënë përtokë. Recesioni është akoma më i thellë nga sa pritej në qershor, bëri të ditur trojka. Një rimëkëmbje e ekonomisë mund të pritet pas 2013.
Nuk përjashtohet më "haircut" për borxhet greke
Ndërkohë shefi i grupit të vendeve të eurozonës, Jean-Claude Juncker, nuk përjashton mundësinë e një reduktimi të detyrueshëm nga 50 deri në 60 përqind të borxhit grek me qëllim shpëtimin e vendit nga falimentimi. “Nuk e përjashtoj një veprim të tillë", u shpreh Junker gjatë një interviste për televizionin austriak ORF 2.
"Nuk mund të lejojmë që një vend anëtar i eurozonës të falimentojë, megjithatë ekziston frika se vende të tjera të eurozonës mund ta pësojnë nga vendimi ynë për të blerë borxhet e Greqisë” - u shpreh presidenti i Eurogrupit.
Autor: Mimoza Kelmendi (dpa)
Redaktoi: E. Xhani