Trump: Ashpërsim drastik i politikës së migracionit
28 Nëntor 2025
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u zotua se do të "pezullojë përgjithmonë migracionin” nga ato që ai i quajti "vende të Botës së Tretë”. Deklarata erdhi pas një sulmi me armë pranë Shtëpisë së Bardhë, i cili dyshohet se u krye nga një shtetas afgan.
Trumpi nuk përmendi emra shtetesh të caktuara në postimin e tij në platformën Truth Social, por tha se kjo lëvizje synon të "rimëkëmbë plotësisht vendin, të anullojë të gjitha milionat e pranimeve të paligjshme të Bidenit — përfshirë ato të nënshkruara nga 'autopen'-i (nënshkrimi automatik) i 'Sleepy Joe' Biden — dhe të largojë këdo që nuk është aset me vlerë për Shtetet e Bashkuara.”
Kufizim i përfitimeve për "jo-shtetasit”
Ai tha se do t'u jepte fund të gjitha përfitimeve dhe subvencioneve federale për "jo-shtetasit” dhe do t'u "hiqte shtetësinë migrantëve që cenojnë qetësinë e brendshme”. Trump shtoi se do të dëbonte çdo shtetas të huaj që e konsideronte barrë publike, rrezik për sigurinë ose "të papajtueshëm me qytetërimin perëndimor”.
"Vetëm migracioni i anasjelltë mund ta shërojë plotësisht këtë situatë,” shtoi Trump në postimin e tij.
Sulmi në Uashington DC
Sulmi ndaj dy anëtarëve të Gardës Kombëtare në Uashington DC rezultoi në një vdekje. Një shtetas afgan 29-vjeçar, i cili kishte punuar me CIA-n gjatë Luftës në Afganistan, po përballet me akuza. Ai kishte migruar përmes një programi të krijuar nga Biden për të zhvendosur ata që ndihmuan trupat amerikane pas tërheqjes nga Afganistani.