1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Trump dhe Harris - mosmarrëveshje për duelin televiziv

28 Gusht 2024

Trump ka vënë sërish në pikëpyetje pjesëmarrjen e tij në debatin presidencial me kundërshtaren e tij Harris. Demokratja do që të dy mikrofonat të jenë gjithë kohën të hapur - edhe kur të flasë kundërshtari politik.

Foto e kombinuar me Donald Trump në të majtë dhe Kamala Harris në të djathtë
Dy kandidatët presidencialë amerikanë: republikani Donald Trump dhe demokratja Kamala HarrisFotografi: Alex Brandon/AP/picture alliance und Mat Otero/AP/dpa/picture alliance

Kandidati për president të SHBA-së, Donald Trump, ka vënë edhe një herë në pikëpyetje debatin televiziv të planifikuar për në 10 shtator me kundërshtaren e tij Kamala Harris. Në platformën e tij online "Truth Social”, ai akuzoi ABC News, ku do të zhvillohet debati, se është i njëanshëm ndaj tij. Trump nuk e anuloi datën e duelit televiziv. Megjithatë, ai tha se kanali duhej t'u përgjigjej shumë pyetjeve.

Trump: "ABC Fake News”

Republikani u zemërua nga një raport i ABC, në të cilin, sipas tij, një gazetar zhvilloi një "intervistë qesharake dhe të njëanshme" me senatorin republikan Tom Cotton. Ai i quajti ekspertët politikë që u shfaqën në kanal një "të ashtuquajtur grup fokusi i urrejtësve të Trump-it". Ai e quajti rrjetin "fake news ABC” dhe shtroi pyetjen: "Pse duhet të debatoj me Kamala Harrisin në këtë rrjet?”.

ABC News njoftoi dy javë e gjysmë më parë se kandidatët për president të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dhe Kamala Harris, do të përballeshin me njëri-tjetrin në mes të shtatorit në këtë kanal. Republikani dhe demokrati konfirmuan pjesëmarrjen e tyre në këtë datë, tregoi më pas kanali. Deri tani, ky do të ishte i vetmi debat televiziv midis dy kandidatëve përpara zgjedhjeve të 5 nëntorit në SHBA.

Fotografi: Michael Bihlmayer/CHROMORANGE/picture alliance

Mikrofonat - të hapur apo të mbyllur?

Ekipet e fushatës së Harrisit dhe Trumpit po debatojnë gjithashtu mbi rregullat e debatit. Mikrofonat – nëse duhet të mbyllen kur flet kundërshtari politik – janë në qendër të mosmarrëveshjes.

Një zëdhënës i ekipit të fushatës së demokratëve tha se ata preferojnë që mikrofonat e të dy kandidatëve të mbesin të hapur gjatë gjithë transmetimit. "Ne besojmë se këshilltarët e Trumpit nuk e duan të hapur mikrofonin gjithë kohën, sepse ata nuk besojnë se kandidati i tyre mund të sillet në mënyrë presidenciale për 90 minuta," tha ai në një deklaratë të parë nga mediat amerikane.

Demokratja Kamala Harris zëvendësoi Presidentin e SHBA Joe Biden si kandidat presidencial

Ekipi i Trumpit refuzon të ndryshojë rregullat dhe këmbëngul që mikrofonat të jenë të mbyllur. "ABC propozoi saktësisht të njëjtat rregulla debati si CNN, dhe ne i pranuam ato - siç bëri kampi i Harrisit," tha një zëdhënës i Trumpit.

Mësime nga debati Biden-Trump

Në qershor, kandidati i atëhershëm demokrat për president të SHBA Joe Biden dhe Trumpi u përplasën në një debat televiziv të organizuar nga CNN. Mikrofonat e atij që nuk fliste u mbyllën. Qëllimi ishte shmangia e ndërhyrjeve.

Megjithatë, performanca katastrofike e Bidenit çoi në tërheqjen e tij nga fushata elektorale. Harrisi e zëvendësoi atë si kandidat demokrat. Pas debatit, vëzhguesit arritën në përfundimin se - ndryshe nga sa pritej - mikrofonat e mbyllur në fakt e ndihmuan Trumpin, sepse 78-vjeçari dukej më i kontrolluar falë tyre.

 

 

aud (ch/dpa, afp, ap)