1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Trump e "mendon aktivisht" blerjen e Groenlandës

8 Janar 2026

Shtëpia e Bardhë tha se Donald Trump ka "diskutuar aktivisht" blerjen e territorit arktik në pronësi të Danimarkës dhe nuk ka përjashtuar përdorimin e forcës ushtarake.

Pamje e kryeqytetit Nuuk në Arktik. Groenlandë, Nuuk: Nuuk, kryeqyteti i Groenlandës. Ishulli i Groenlandës shtrihet në Arktik dhe është kryesisht i mbuluar me akull.
Pamje e kryeqytetit Nuuk, Groenlandë, në ArktikFotografi: Zhao Dingzhe/Xinhua/dpa/picture alliance

Presidenti amerikan Donald Trump ka "diskutuar aktivisht" blerjen e  Groenlandës nga Danimarka, tha të mërkurën sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.

Që nga fillimi i mandatit të dytë në janar të vitit të kaluar, Trumpi ka deklaruar përsëritur se SHBA duhet të kontrollojnë territorin e pasur me burime të Arktikut, i cili është pjesë e Danimarkës, për arsye sigurie kombëtare.

Si anëtare e NATO-s, Danimarka është aleate e Shteteve të Bashkuara.

Këmbëngulja e Trumpit se Uashingtoni do ta marrë Groenlandën "me një mënyrë apo një tjetër" ka alarmuar aleatët amerikanë në Evropë, veçanërisht pas sulmit amerikan në Venezuelë.

Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, tha këtë javë se një sulm amerikan ndaj një vendi tjetër të NATO-s do të significonte fundin e aleancës dhe, "prandaj, të sigurisë pas Luftës së Dytë Botërore."

Planet e Trump-it për Groenlandën

Në një konferencë shtypi, Leavitt-i tha se blerja e Groenlandës po "diskutohej aktivisht" nga Trumpi dhe ekipi i tij i sigurisë kombëtare, si përgjigje ndaj një pyetjeje për një ofertë të mundshme për të blerë territorin nga Danimarka.

"Ekipi i tij aktualisht po diskuton se ç'pamje do të kishte një blerje e mundshme," shtoi Leavitt.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë ripërsëriti se Trump beson se blerja është "në interesin më të mirë të Shteteve të Bashkuara për të penguar agresionin rus dhe kinez në rajonin e Arktikut."

Leavitti tha se megjithëse "zgjedhja e parë e Trump-it ka qenë gjithmonë diplomacia," presidenti amerikan nuk përjashton përdorimin e forcës ushtarake kundër Danimarkës.

"Presidenti Trump gjithmonë i ka të gjitha opsionet në tavolinë," tha ajo.

Sekretari i Shtetit të SHBA, Marco Rubio, tha të mërkurën se planifikon të takohet me zyrtarë danezë javën e ardhshme, pasi Kopenhageni kërkoi bisedime për të trajtuar kërcënimet e Trump-it për të marrë nën kontroll Groenlandën. Rubio nuk specifikoi se kur apo ku do të mbahej takimi.

Kryeministrja Mette Frederiksen pas një takimi me udhëheqësit e partive në lidhje me Groenlandën.Fotografi: Emil Nicolai Helms/Ritzau Scanpix/IMAGO

Shtetet e Bashkuara tashmë kanë një prezencë ushtarake në Groenlandë me bazën hapësinore Pituffik, të cilën JD Vance e vizitoi këtë vit

Reagimet e Danimarkës dhe Evropës

Danimarka dhe Groenlanda, si dhe partnerët evropianë si Gjermania, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar, i kanë kundërshtuar fuqishëm propozimet e Trumpit.

Të mërkurën, Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, ripërsëriti "mbështetjen e plotë" të BE për Danimarkën dhe Groenlandën, duke thënë se blloku nuk do të pranojë shkelje të ligjit ndërkombëtar.

"Groenlanda i përket popullit të saj. Asgjë nuk mund të vendoset për Danimarkën dhe Groenlandën pa Danimarkën ose pa Groenlandën," tha Costa.

Këtë javë, Kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, tha se ishte i frustruar nga mënyra se si po trajtohej çështja përmes mediave dhe jo përmes bisedimeve të drejtpërdrejta.

Komentet e tij erdhën një ditë pasi Stephen Miller, zëvendësshefi i stafit në Shtëpinë e Bardhë, tha në një intervistë se "askush nuk do të luftojë ushtarakisht me Shtetet e Bashkuara për të ardhmen e Groenlandës." Milleri gjithashtu vuri në dyshim bazën e pretendimit territorial të Danimarkës mbi Groenlandën.

Groenlanda ishte një koloni daneze për qindra vjet deri në vitin 1953, dhe tani është një territor autonom brenda Mbretërisë së Danimarkës, me të drejtën për të kërkuar pavarësi sipas së drejtës ndërkombëtare.

Groenlanda ka një popullsi prej 57.000 banorësh. Sipas një sondazhi të kryer në janar 2025, rreth 56% thanë se dëshironin pavarësi nga Danimarka.

Megjithatë, vetëm 6% e banorëve të Groenlandës thanë se dëshironin të bashkoheshin me SHBA.

dw (K. Sexton me afp) 

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW