1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëShtetet e Bashkuara të Amerikës

Trump: Homan do të mbikqyrë sigurinë kufitare

11 Nëntor 2024

Presidenti i zgjedhur i SHBA Trump po emëron anëtarët kryesorë të ekipit të tij qeverisës. Tani është e qartë se kush do të drejtojë luftën kundër emigracionit të parregullt. Një i njohur i vjetër dhe linjë e ashpër.

Tom Homan gjatë një fjalimi elektoral në mbështetje të Donald Trumpit, duke folur para një pulti ku është shkruar "Save America" ("Shpëto Amerikën").
Tom Homan do të jetë "cari i ri i kufijve”, njoftoi TrumpiFotografi: MEGAN VARNER/AFP

Presidenti i zgjedhur i SHBA, Donald Trump, ka shpallur një tjetër vendim personeli për kabinetin e tij qeveritar. Tom Homan do të jetë "cari kufitar” i ri, njoftoi Trumpi në rrjetin e tij social "Truth”. Kjo do të thotë se Homan do të jetë përgjegjës për sigurinë kufitare dhe riatdhesimin e refugjatëve.

Përveç monitorimit të kufijve jugorë dhe veriorë, si dhe sigurisë detare dhe ajrore, Homan do të jetë "përgjegjës për kthimin me detyrim të të gjithë emigrantëve të paligjshëm në vendin e tyre të origjinës". Homan është "avokat i palëkundur për kontrollin e kufijve" dhe askush nuk është "më i mirë për mbikëqyrjen dhe kontrollin e kufijve tanë", tha Trumpi duke shpjeguar vendimin e tij.

Ndarja e familjeve të migrantëve

Trump ishte mbështetur te Homani që në mandatin e parë të tij: Homani ishte atëherë për një vit e gjysmë kreu i autoritetit të imigracionit ICE. Ai u konsiderua si mbrojtës i vendimit të diskutueshëm për të ndarë fëmijët e emigrantëve të parregullt nga prindërit e tyre. Pas kësaj, ndonjëherë u deshën vite për të ribashkuar familjet. Homan – dhe Trump – më vonë thanë se masa kishte synuar të shërbente si frikësim, në mënyrë që familjet as të mos niseshin për në SHBA.

Dëbim në mënyrë "humane"

Homan, oficer i policisë kufitare me trajnime, komenton rregullisht temën e migrimit në kanalin konservator të krahut të djathtë Fox News. Atje ai njoftoi se autoritetet e imigracionit do të zbatojnë planet e dëbimit të Trumpit në një "mënyrë humane". Ushtria nuk do të përqendrohet thjesht në grumbullimin e emigrantëve dhe ndalimin e paligjshëm të tyre, "do të jetë një operacion selektiv dhe i planifikuar".

Tom Homan: Dëbime në mënyrë "humane"Fotografi: Lev Radin/ZUMA Wire/IMAGO Images

Burrat dhe gratë e ICE e bëjnë këtë çdo ditë, vazhdoi ai. E bëjnë shumë mirë. "Ne me shumë gjasa e dimë se ku do të jenë ata dhe ne do ta bëjmë atë në një mënyrë humane."

Çështje e rëndësishme e fushatës për Trump

Trumpi e kishte bërë sigurinë kufitare pikë qendrore të fushatës së tij zgjedhore. Ai shpalli synimin e tij për të kryer operacionin më të madh të dëbimit në historinë e SHBA-së në ditën e parë të presidencës së tij. Trumpi bëri vazhdimisht komente armiqësore për emigrantët e parregullt, duke përfshirë se ata po "helmonin gjakun" e SHBA.

Homan punoi për institutin konservator të krahut të djathtë Heritage Foundation në "Project 2025", një koncept radikal për të riorganizuar aparatin e qeverisë amerikane me pozicione të ekstremit të djathtë.

Stefanik do të jetë ambasadorja e re në OKB

Trumpi njoftoi gjithashtu një tjetër emërim. Kongresmenia republikane Elise Stefanik do të jetë ambasadorja e SHBA në OKB. Stefanik është "luftëtare tepër e fortë, e ashpër dhe e zgjuar" për politikën America First, tha Trump, sipas një informacioni të New York Post.

Donald Trump duke folur gjatë "Tucker Carlson Live Tour" në Arizona - 31 tetor 2024. Fotografi: Julia Demaree Nikhinson/AP/dpa/picture alliance

Trumpi dëshiron të emërojë ministra pa pëlqimin e Senatit

Është e qartë se presidenti i ri i zgjedhur e ka me ngut për vendimet e personelit dhe nuk dëshiron të ngadalësohet nga anëtarët demokratë të Senatit. Trumpi dëshiron të përdorë një përjashtim për të emëruar ministra pa pëlqimin e Senatit.

Në fakt, emërimet e kabinetit duhet të konfirmohen nga Dhoma e Kongresit. Megjithatë, kreu i shtetit ka të drejtë të emërojë përkohësisht ministrat gjatë pushimeve të seancës së Senatit që zgjasin të paktën dhjetë ditë. Kjo synon të garantojë kapacitetin e qeverisë për veprim.

Në të kaluarën, presidentët amerikanë rrallë e kanë ndjekur këtë qasje. Për shembull, një mosmarrëveshje ligjore mbi emërimin e një ministri nga Presidenti Barack Obama në vitin 2012, bëri që Gjykata e Lartë e SHBA-së të caktonte kohëzgjatjen minimale të pushimeve të Senatit për emërime të tilla në dhjetë ditë.

rtr/tgsch