1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Trump i prerë:Nuk do të lejoj aneksim të Jordanit Perëndimor

26 Shtator 2025

Kryeministri i Izraelit Netanjahu këtë të premte do të flasë para Asamblesë në OKB. Pak para kësaj presidenti i SHBA-së Trump bën të qartë: "Mjaft më." Ai do të parandalojë një aneksim të plotë të Jordanit Perëndimor.

Presidenti i SHBA-së Donald Trump dhe kryeministri i Izraelit Benjamin Netanjahu gjatë takimit në Uashington në prill 2025.
Trump dhe Netanjahu u takuan në Uashington (fotografi 7.04.2025) dhe në kuadrin e Asamblesë së OKB-së është planifikuar edhe një takim të hënën (29.09.2025) ndërmjet tyre.Fotografi: Leah Millis/REUTERS

"Unë nuk do t'i lejoj Izraelit, që të aneksojë territoret palestineze të pushtuara më 1967", theksoi presidenti i SHBA-së Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë në Uashington. "Mjaft më. Ka ardhur koha për t'u ndalur", theksoi më tej Trump. Me këtë kryeministri i IzraelitBenjamin Netanjahu vetëm pak orë para fjalimit të tij në Asamblenë e 80-të të Përgjithshme të OKB-së has në një kundërshtim të fortë të aleatit të vet më të ngushtë.

Fotografi: Alexander Drago/REUTERS

Trump bisedon me përfaqësuesit arab dhe mysliman

Trump në kuadrin e Asamblesë së Përgjithshme tëOKB-sëbisedoi me përfaqësues të nivelit të lartë nga Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Egjipti, Jordania, Turqia, Indonezia dhe Pakistani. Ata e paralajmëruan atë për pasoja të rënda në rast të një aneksimi të plotë të Jordanit Perëndimor. Ministri i Jashtëm saudit, princi Faisal bin Farhan Al-Saud, tha, se Trump e kupton shumë mirë këtë.

Netanjahu përpara se të nisej për në Nju Jork deklaroi, se do të adresohet qartë kundrejt atyre vendeve, që para pak ditësh njohën shtetin palestinez. Ndër të tjerë Franca, Britania e Madhe, Kanadaja dhe Australia me njohjen e shtetit palestinez duan që të mbetet aktive mundësia e zgjidhjes me dy shtete ndërmjet Izraelit dhe Palestinës.

Netanjahu akuzon shtetet perëndimore, se me këtë hap "shpërblejnë" sulmin terrorist të organizatës terroriste palestineze Hamas ndaj Izraelit më 7 tetor 2023. Hamasi, që nga shumë shtete është klasifikuar si organizatë terroriste, bashkë me grupimet aleate vrau 1200 vetë dhe mori 251 pengje. Rreth 48 pengje, prej të cilëve sipas njohurive të Izraelit 20 janë ende gjallë, vazhdojnë të mbahen në Rripin e Gazës.

Sulmi brutal ndezi luftën ndërmjet Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës në Mesdhe. Deri tani si rrjedhojë, sipas të dhënave palestineze, janë vrarë rreth 65.000 vetë në Rripin e Gazës. OKB-ja dhe organizatat e ndihmës e konsiderojnë të pabesueshme këtë shifër. Gjendja e furnizimit në territorin me rreth dy milionë banorë të rrethuar nga Izraeli është katastrofale.

Për shkak të veprimeve në Rripin e Gazës Izraeli po izolohet gjithnjë e më shumë në nivelin ndërkombëtar. SHBA dhe Gjermania ende janë në anën e Izraelit dhe nuk e kanë njohur shtetin palestinez. Qeveria në Berlin megjithatë ka kufizuar furnizimet me armë për Izraelin.

Gjendja e furnizimit në territorin me rreth dy milionë banorë të rrethuar nga Izraeli është katastrofale.Fotografi: Mohammed Salem/REUTERS

Presioni i ministrave ekstremistë

Ministrat ekstremistë të djathtë në qeverinë e Netanjahut kanë kërkuar me këmbëngulje së fundi – edhe duke iu referuar Hamasit – që të aneksohet edhe Bregu Perëndimor i Jordanit, të cilin ata e konsiderojnë si pjesë të "Izraelit biblik". Një shtet të mëvetsishëm palestinez ata duan ta pengojnë me çdo kusht.

Në këtë mënyrë qeveria konsevatore religjoze e Netanjahut po avancon vazhdimisht me zgjerimin e vendbanimeve në Bregun Perëndimor të Jordanit dhe po ashtu edhe në Jeruzalemin Lindor të pushtuar më 1967. Në gusht një plan vendbanimesh i emërtuat E1 dhe i kritikuar nga shtetet perëndimore u miratua përfundimisht. Ky projekt do ta priste Jordanin Perëndimor dhe do të shkëpuste Jeruzalemin Lindor.

Në të dyja këto rajone jetojnë sot mbi 700.000 kolonë izraelitë në mes të rreth tre milionë palestinezëve. Palestinezët i pretendojnë këto territore për shtetin e tyre.

Edhe Britania e Madhe e paralajmëron Izraelin

Edhe zëvendëskryeministri britaniak, David Lammy, gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së e paralajmëroi Izraelin lidhur me "aneksimin e territoreve palestineze". Aneksimet duhet të ndalohen, tha Lammy në forumin më të madh të OKB-së në Nju Jork.

Presidentja e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ish-ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena BaerbockFotografi: John Angelillo/UPI/picture alliance

Baerbock i referohet Kartës së OKB-së

Presidentja e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ish-ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, i solli në kujtesë Netanjahut parimet bazë të Kartës së OKB-së. "Aneksimi është i ndaluar, po ashtu sikurse është e ndaluar sipas së drejtës humanitare ndërkombëtare, përdorimi i ndihmës humanitare si armë lufte", bëri të qartë Baerbock. Secili vend i botës ka të drejtën për vetëvendosje.

Edhe në Rezolutën e parë të OKB-së të shekullit të 20-të theksohet, "që palestiezët mund të jetojnë në paqe në shtetin e tyre krahas shtetit të Izraelit, i cili natyrisht duhet të jetojë në siguri". Kjo është "një premisë bazë e OKB-së. E kësaj duhet t'i përmbahet çdo shtet dhe kryeministër".

Kryeministri i Izraelit, sipas mediave, pas takimit të tij me Trump të planifikuar për të hënën do të marrë një vendim përfundimtar lidhur me Bregun Perëndimor të Jordanit. "Përgjigjen ndaj përpjekjeve të fundit për të na imponuar ne një shtet terrori në mes të vendit tonë, do ta japë pas kthimit nga SHBA-ja", njoftohet nga zyra e tij.

se/haz/pgr (rtr, dpa, afp, ap)

 

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë