1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kina do të ashpërsojë sanksionet ndaj Koresë së Veriut

13 Nëntor 2017

Në prag të samitit në Manila, presidenti amerikan Trump bëri publike disa të dhëna interesante. Ai foli për raportet me Kinën por edhe për takimin me Putinin.

Vietnam | APEC-Gipfel | Trump und Putin
Fotografi: picture-alliance/dpa/AP

"Presidenti i Kinës Xi tha se do t'i zgjerojë sanksionet kundër Koresë së Veriut", lajmëroi Donald Trump me Twitter, gjatë udhëtimit të tij në Azi. Pas pjesëmarrjes së tij në samitin Apec në Da Nang të Vjetnamit, Xi tha se do të dëshironte që Koreja e Veriut të "denuklearizohet". Trump ka vizituar më parë edhe Kinën, ku tha se shpreson që Kina do të veprojë shpejt në konfliktin me Korenë e Veriut, sepse ka mbetur shumë pak kohë.

Koreja e Veriut ka bërë muajt e kaluar disa teste me raketa atomike dhe ka sfiduar mbarë botën, në radhë të parë SHBA. Trumpi dhe Kim Jong Un kanë shkëmbyer fjalë të rrepta mes vete. Ata të dy kanë folur madje edhe për konfliktet ushtarake.

Fotografi: Reuters/J. Ernst

Tendosjet me Kimin

Të dielën Trumpi e ka ofenduar sërish Kimin me fjalët "trashalluqi i vogël". "Pse Kim Jong Un do të më fyente mua me fjalët se jam "plak", kur unë kurrë nuk do t'i thosha se ai është "trashalluq i vogël"?, shkruan Trump në Twitter. Ai tha se po përpiqet shumë që të jetë mik i tij - "që ndoshta një ditë do të ndodhë!" Trumpi reagoi kështu ndaj një lajmi në mediat koreanoveriore ku ai quhet si "nxitës lufte" dhe "plak i marrë". Hanoi është stacioni i parafundit i udhëtimit të tij gati dyjavor në Azi. Presidenti amerikan e ka vizituar më parë edhe Japoninë, Korenë e Jugut dhe Kinën. Ndërsa stacioni i fundit do të jetë në Filipine.

Me ftesën e presidentit Rodrigo Duterte në këtë vend të dielën mblidhen presidentët dhe kryeministrat e 20 vendeve në Manila. Në samitin vjetor të ASEAN-it do të jenë edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB Antonio Guterres dhe kryeministrat e Kinës, Japonisë dhe Rusisë. Ata janë mbledhur të dielën, ndërsa të hënën zhvillohen bisedimet politike.

Trumpi do të ketë raporte të mira me Moskën

Presidenti amerikan është deklaruar në Hanoi edhe për raportet me Rusinë. Ai nënvizoi domosdoshmërinë e raporteve të mira me Rusinë dhe sulmoi ashpër kundërshtarët e tij politik me fjalët: "Kur do ta kuptojnë këta urrejtësit dhe budallenjtë se raporti i mirë me Rusinë është një gjë e mirë dhe jo e keqe".

Trumpi kritikoi kundërshtarët e tij me fjalët se duan ta shfrytëzojnë të ashtuquajturën aferë ruse për përfitime politike, por "kjo është e keqe për vendin tonë". Ai tha se do të donte që konfliktet në Siri, Korenë e Veriut dhe Ukrainë të zgjidhen me ndihmën e madhe të Rusisë.

Fotografi: picture alliance / Ahn Young-Joon/AP/dpa

Në SHBA po zhvillohen aktualisht hetimet e prokurorit special Robert Mueller për "ndërlidhjet e ekipit të Trumpit dhe Rusisë gjatë fushatës elektorale". Trumpi shumë herë i ka quajtur këto hetime si "gjah i shtrigave". Të shtunën Trumpi është takuar me Putinin në kornizat e samitit APEC. Ai tha se nuk i konteston fare përgënjeshtrimet e Putinit për përzierje në fushatën elektorale në SHBA.

Trumpi me këto pohime vihet në kundërshtim me pohimet e shërbimeve sekrete amerikane, të cilat kanë konstatuar se Moska është përzier në fushatën elektorale në SHBA. CIA ka kundërshtuar të shtunën pohimet e Trumpit, me fjalët se "gjërat nuk kanë ndryshuar".

 

 

 

bc/kle/rk (afp, rtr, dpa)