Trump në NATO: Aleanca bëhet pjesë e koalicionit anti-IS
25 Maj 2017NATO vendos të zgjerojë luftën e saj kundër terrorizmit me kërkesë të SHBA-së. Në samitin e NATO-s në Bruksel, të enjten (25.05) ku për herë të parë merr pjesë edhe presidenti amerikan, Donald Trump, NATO vendosi futjen zyrtarisht në koalicionin botëror kundër të ashtuquajturit "Shteti Islamik".
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg u shpreh se ky është "një mesazh i fortë politik". Me këtë NATO demonstron unitet në luftën kundër terrorizmit. Konkretisht, kjo do të thotë për NATO-n zgjerim të misioneve të avionëve të përgjimit, AVACs-, të cilët startojnë nga Turqia për të vrojtuar hapësirën mbi Siri e Irak. Tani ata do të jenë më gjatë në misione të tilla - si për të furnizuar në ajër, avionët e koalicionit, po ashtu edhe për të dirigjuar avionët e koalicionit anti IS, por për sa kohë që këta nuk hedhin bomba. Po ashtu vendet e NATO-s do t'i përgjigjen Trumpit në kërkesën e tij pët të shtuar shpenzimet për mbrojtjen. Ato kanë premtuar se do të paraqesin për vit raportin se si do ta përmbushin objektivin për rritjen e buxhetit të mbrojtjes, që parashikon shpenzimet 2% të prodhimit të brendshëm bruto deri në 2025.
Rusia - pjesë e diskutimeve
Në axhendën e krerëve të shteteve dhe qeverive të aleancës në samitin e Brukselit, do të jetë edhe Rusia. Stoltenberg u shpreh, se Rusia është gjithmonë në axhendën e NATO-s. "Një nga arsyet, se pse ne investojmë më shumë në mbrojtjen e përbashkët, se pse e rrisim prezencën e aleancës në Lindje, është përgjigjja ndaj sjelljes agresive të Rusisë, siç e kemi parë në Ukrainë", citon agjencia gjermane e lajmeve, dpa, Stoltenberg. Po ashtu në samitin e NATO-s pritet të miratohet edhe një koncept për shpërndarjen e përgjegjësive brenda aleancës.
la/(afp, dpa)