Trump pezullon për momentin sulmet ndaj Iranit
2 Gusht 2026
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se, për momentin, ka anuluar një valë të re sulmesh të ushtrisë amerikane ndaj objektivave në Iran. Sipas tij arsyeja për këtë është përparimi i arritur në përpjekjet për një marrëveshje diplomatike. Në një postim në platformën e tij, Truth Social, Trump shkroi se sulmet nuk do të kryhen nëse arrihet shpejt një marrëveshje.
Sipas Trumpit ushtria amerikane është e gatshme të sulmojë me të gjithë fuqinë e saj, por Irani dhe vende të tjera të rajonit kanë kërkuar që sulmi të shmanget, pasi tashmë ekzistojnë "konturet e një marrëveshjeje”. Sipas marrëveshjes parashikohet hapja e plotë e Ngushticës së Hormuzitdhe "fundi i kërcënimit bërthamor që vjen nga Irani”.
Ai shtoi gjithashtu se Izraeli do ta respektojë marrëveshjen dhe për momentin nuk do të kryejë sulme të reja ndaj Iranit.
Trump nuk dha detaje të mëtejshme lidhur me përparimet e pretenduara diplomatike. Shtetet e tjera të rajonit, që thuhet se janë përfshirë në bisedime, nuk kanë reaguar ndaj këtyre deklaratave.
Irani i hedh poshtë fjalët e Trumpit
Kurse agjencia gjysmëzyrtare iraniane e lajmeve Mehr njoftoi duke cituar zyrtarë të ushtarsië irakiane se pretendimi i Presidentit amerikan Donald Trump se Teherani u kishte kërkuar Shteteve të Bashkuara të pezullonin sulmet e reja ishte kryekëput i pavërtetë: "ky pretendim nuk është gjë tjetër veçse një gënjeshtër e re” dhe "ushtria iraniane "është në gatishmëri të lartë dhe e përgatitur për çdo eventualitet”.
Kjo nuk është hera e parë që Trump flet për përparime ose një marrëveshje të afërt, gjë që më vonë mohohet nga palë të tjera ose rezulton e parealizueshme në praktikë.
Media: SHBA po përgatitet konkretisht për sulme ushtarake
Disa media amerikane njoftuan pas kërcënimeve të Trampit me sulme të rënda ndaj infrastrukturës së Iranit, se po bëhen për përgatitje konkrete për sulme ushtarake.
Nga ana e tij Irani kërcënoi me kundërsulme ndaj objekteve të infrastrukturës me rëndësi jetike në Izrael dhe në shtetet e Gjirit Persik. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghtshi, shkroi në platformën Telegram se forcat e armatosura të vendit të tij do t'i përgjigjeshin me vendosmëri çdo akti agresioni. Në rast sulmesh të reja SHBA-ja Izraeli dhe shtetet e Gjirit Persik, që mund të përfshihen, do të mbajnë përgjegjësi të plotë për pasojat, paralajmëroi ai.
Arabia Saudite bën thirrje për uljen e tensioneve
Princi i kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, i bëri thirrje gjatë një bisede telefonike Trumpit për të ulur tensionet. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve SPA sundimtari de facto i mbretërisë kërkoi dialog dhe zgjidhje diplomatike për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.
Më parë për këtë bisedë telefonike kishte njoftuar edhe portali amerikan i lajmeve Axios. Sipas Axios Trumpi dhe bin Salmani kishin biseduar të shtunën (01.08.).