1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Trumpi flet për planet për imigrimin

PP (AFP, Reuters)29 Gusht 2016

Donald Trumpi prezanton planet e tij për imigrimin duke paralajmëruar votuesit se vota për Hillary Clinton është votë për kufij të hapur.

Fotografi: Reuters/C. Allegri

Kandidati republikan për president amerikan Donald Trump tha se nëse zgjidhet president prioriteti i tij i parë do të jetë dëbimi i mijëra emigrantëve të paligjshëm që kanë kryer krime.

"Në një ditë, unë do të filloj shpejt me dëbimin nga vendi të emigrantëve të paligjshëm që kanë kryer vepra penale - përfshirë edhe largimin e qindra-mijëra emigrantëve të paligjshëm që kanë kryer vepra penale dhe janë nxjerrë nga burgjet prej administratës Obama-Klinton", tha Trump në Des Moines, Iowa.

Duke treguar për detajet se si ka ndër mend ta trajtojë imigracionin e paligjshëm, Trump u tha mbështetësve të tij në Iowa se do të krijojë një sistem përcjelljeje për të dëbuar imigrantët e paligjshëm që tejkalojnë afatin e lejes së qëndrimit dhe do të krijojë një sistem verifikimi elektronik për të siguruar që ata të mos marrin ndihma sociale apo përfitime të tjera.

Trump në Des Moines, IowaFotografi: Reuters/C. Allegri

Jo vetëm mur përgjatë kufirit meksikan

"Nëse ne nuk do t'i detyrojmë njerëzit të zbatojnë afatet e skadimit të vizave, atëherë do të kemi një kufi të hapur - kjo është tepër e thjeshtë," tha ai.

Trump deri tani ka paraqitur vetëm pak plane konkrete se si do ta trajtojë problemin e emigracionit, me përjashtim të idesë për të ndërtuar një mur përgjatë kufirit meksikan. Vetëm 72 ditë para zgjedhjeve Trump po përpiqet ta zgjerojë më tej bazën e tij të mbështetësve dhe të sulmojë rivalen e tij demokrate Hillary Clinton. Komentet e tij në Iowa erdhën pasi ai u kritikua nga konservatorët, sepse kishte sugjeruar më parë se do të zbuste planet për dëbimin e 11 milionë emigrantëve të paligjshëm nga SHBA-ja.

Vende pune për amerikanët

Trump u shpreh po ashtu se ndalimi i imigracionit të paligjshëm bëhet për të mbrojtur vendet e punës për amerikanët. "Sa herë që një shtetas afrikano-amerikan, apo ndonjë qytetar, humbet punën e tij ngaqë punësohet një emigrant i paligjshëm, të drejtat e këtij qytetari amerikan shkelen," tha ai. "Mbrojtja e barabartë sipas ligjit duhet të përfshijë zbatimin konsekuent të ligjeve tona të imigracionit."

Trumpi po përpiqet kohët e fundit të fitojë votat e afrikano-amerikanëve, që tradiconalisht votojnë për demokratët, duke e sulmuar Hillary Klinton për çështje racore dhe duke argumentuar se ndryshe nga demokratët ai do të sjellë vende pune dhe prosperitet për komunitetin afro-amerikan.