1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëShtetet e Bashkuara të Amerikës

Trumpi emëron aleaten Pam Bondi ministre të Drejtësisë

22 Nëntor 2024

Ish-prokurorja e përgjithshme e Floridës nuk duhet ta ketë problem të miratohet nga senatorët amerikanë. Matt Gaetz, i zgjedhur fillimisht, ishte figurë ambivalente për shumë nga kolegët e partisë së Trumpit në Kongres.

Një grua bjonde e ulur në një kolltuk të bardhë, duke folur dhe gjestikuluar me njërën dorë.
Pam Bondi, ish-Prokurore e Përgjithshme e Floridës, gjatë një fjalimi në konferencën vjetore të CPAC më 23 shkurt 2024, në National Harbor, MarylandFotografi: picture alliance / newscom

Pas tërheqjes së kandidatit të tij të preferuar, Matt Gaetz, presidenti i zgjedhur i SHBA, Donald Trump, ka emëruar një ish-prokurore si ministre të tij të ardhshme të Drejtësisë. Pam Bondi ka qenë më parë Prokurore e Përgjithshme e Floridës, ndër të tjera. Trumpi fillimisht kishte emëruar kongresmenin Matt Gaetz për këtë detyrë. Por Gaetz u tërhoq të enjten. Ai u kritikua, ndër të tjera, për mungesën e njohurive juridike dhe mungesën e përvojës së mjaftueshme për këtë post.

Akuzat ndaj Matt Gaet

Mbi të gjitha, kandidatura e Gaetz-it u përmbys nga akuzat se ai kishte kryer marrëdhënie seksuale me një të mitur dhe kishte përdorur drogë. Kandidati 42-vjeçar i ka mohuar gjithmonë të dyja gjërat. Komisioni i Etikës i Dhomës së Përfaqësuesve kishte përgatitur një raport për akuzat, por fillimisht nuk e publikoi atë, pasi Gaetz dha dorëheqjen menjëherë pas emërimit, gjë që zakonisht shoqërohet me një ndërprerje të procedurës.

Matt Gaetz shpalli më 21 nëntor 2024 tërheqjen nga kandidatura për Prokuror të Përgjithshëm të SHBA-së, propozuar nga Presidenti i zgjedhur Donald Trump.Fotografi: Mandel Ngan/AFP

Megjithatë, disa senatorë republikanë amerikanë vunë në dyshim publikisht nëse Gaetz do të konfirmohej nga Dhoma e Kongresit. Duke pasur parasysh shumicën e ngushtë republikane midis 100 senatorëve, emërimi i ministrit ndoshta do të dështonte me vetëm katër vota kundër grupit të tij parlamentar. Bondi, nga ana tjetër, duhet të ketë shans shumë më të mirë për të marrë mbështetje në Senatin e SHBA.

Riorientim i dikasterit "drejt objektivit të vërtetë"

Trump shkroi në rrjetin e tij social Truth Social, se është "krenar" që shpall ish-prokuroren e përgjithshme të shtetit të Floridës "si ministren e ardhshme të Drejtësisë të SHBA". Ai tha më tej se departamenti i Drejtësisë në Uashington ka qenë për një kohë të gjatë i instrumentalizuar kundër tij dhe republikanëve të tjerë. Kjo tani mori fund. Republikani vazhdoi me fjalët se Bondi do të "rifokusojë dikasterin në qëllimin e tij të vërtetë" për të luftuar krimin dhe për të rivendosur sigurinë në SHBA. Ai e cilësoi avokaten 59-vjeçare një luftëtare për një politikë "Amerika e para”.

Presidenti Donald Trump dhe Prokurorja e Përgjithshme e Floridës, Pam Bondi, në një takim në Shtëpinë e Bardhë më 22 shkurt 2018, ku diskutojnë për sigurinë në shkolla.Fotografi: Getty Images

Bondi ka qenë mbështetëse aktive e Trumpit për disa kohë dhe qëndroi në anën e ish-presidentit në procedurën e parë kundër tij në Kongres për ta larguar nga posti i Presidentit, në vitin 2019. Pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, ajo përhapi pretendimin e rremë të Trumpit, se Trumpit ia kishin marrë fitoren me mashtrim.

Muajt e fundit, Bondi ka kritikuar ndjekjen penale të Trump-itnë paraqitjet televizive dhe e ka portretizuar atë sikur prokurorët që e hetonin po e ndiqnin për arsye politike. Ajo veproi gjithashtu kundër reformës shëndetësore të paraardhësit të Trumpit, Barack Obama.

Pam Bondi duke folur në një tubim në mbështetje të kandidatit republikan për Senatin e Xhorxhias, Herschel Walker, më 3 nëntor 2022, në Smyrna, Georgia.Fotografi: picture alliance / ZUMAPRESS.com

Nën presion për shkak të Universitetit Trump

Si prokurore e përgjithshme e Floridës në vitin 2013, Bondi hoqi dorë nga hetimet për i akuzat për mashtrim kundër Universitetit të atëhershëm Trump, një lloj organizate trajnimi për sipërmarrësit me premtimin reklamues për të mësuar "sekretet e suksesit" në biznesin e pasurive të paluajtshme.

Bondi u kritikua kur doli në pah se një fondacion i Trumpit kishte dhuruar më parë 25.000 dollarë për fushatën që ajo të qëndronte në detyrë. Ajo gjithmonë theksonte se donacioni nuk kishte asnjë lidhje me vendimin e saj për të hetuar. Trumpi më vonë pagoi 25 milionë dollarë për zgjidhjen e padive në lidhje me akuzat për mashtrim rreth Universitetit Trump.

aud (dw/afp, dpa, rtr)