1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Trupa ndërkombëtare për Libanin jo nën drejtimin e NATO-s

Bernd Riegert1 Gusht 2006

Sot ministrat e punëve të jashtme të 25 vendeve anëtare të BE-së do të diskutojnë në një takim urgjent në Bruksel për mundësinë e dërgimit të një trupe paqësore në Liban

Sulme izraelite në fshatin Taibe
Sulme izraelite në fshatin TaibeFotografi: AP
25 MPJ të vendeve të BE-së do të diskutojnë në takimin e tyre të posaçëm për përcaktimin e një kursi të përbashkët në lidhje me krizën në Lindjen e Mesme. Të paktën këtë shpreson zëdhënësi i Komisionit të BE-së, Amadeo Altafaj: "Ne presim që ministrat të diskutojnë për të gjitha hapat e nevojshëm për t'i dhënë fund konfliktit. Kjo përfshin arritjen e një marrëveshjeje politike dhe atë për dërgimin e një trupe për mbikqyrjen e armëpushimit. Natyrisht që do të bëhet fjalë edhe për çështje humanitare." Franca ka dorëzuar një projektrezolutë për Këshillin e Sigurimit ku kërkohen armëpushimi i menjëhershëm dhe dërgimi i një trupe paqeruajtëse në rajon. Presidenti francez Zhak Shirak propozon që kjo trupë ndërkombëtare të drejtohet prej Francës, meqënëse Libani ka qenë ish-koloni franceze. Gjithsesi parakusht është që milicët hizbollah, qeveria libaneze dhe ajo izraelite të ketë rënë fillimisht dakord për armëpushimin dhe një zgjidhje politike. Britania e Madhe është e një mendimi tjetër. MPJ Margret Beckett synon që Britania e Madhe të mos marrë pjesë në këtë trupë ndërkombëtare dhe që kjo të vendoset sa më shpejt që të jetë e mundur në rajon dhe pas kësaj të fillojnë bisedimet për paqe. Këtë linjë ndjek edhe MPJ amerikane Condoliza Rajs, e cila mendon se Këshilli i Sigurimit do ta marrë vendimin përkatës brenda një jave. Sa u përket ndihmave humanitare dhe financiare për Libanin ministrat pritet të bien dakord relativisht shpejt. Komisioni Evropian ka vënë deri tanë në dispozicion rreth 20 milionë euro për evakuimin dhe trajtimin e refugjatëve libanezë. Deri tani prej Libanit janë evakuuar kryesisht nëpërmjet Qipros rreth 20.000 qytetarë të BE-së. Sria Lanka, Filipinet, Bangladeshit, Gana, Etiopia, Sudani, Iraku, Moldavia dhe Nepali kanë kërkuar zyrtarisht ndihmë nga Brukseli për evakuimin e qytetarëve të tyre që gjenden në Liban. Fjala është për 100.000 - 200.000 qytetarë të këtyre vendeve. 25 ministrat e BE-së nuk do të marrin ndonjë vendim në lidhje me trupën ndërkombëtare për Irakun por do t'u japin rekomandime Francës dhe Britanisë së Madhe që janë anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit, ku do të diskutohet dhe vendoset për këtë çështje. Sipas mendimit të kancelares gjermane Merkel dhe presidentit francez Zhak Shirak trupa ndërkombëtare nuk duhet të jetë nën drejtimin e NATO-s, sepse në botën arabe NATO-ja indentifikohet me SHBA.