Trupat gjermane në misionin në Detin Mesdhe
23 Qershor 2016Misioni i BE-së në Detin Mesdhe "Sophia" mbulon një zonë detare që shkon nga bregdeti i Libisë, i Tunizisë e deri në Sicili dhe në jug të Italisë. Qëllimi i luftanijeve të këtij misioni është të luftojë bandat kriminale të trafikantëve të qënieve njerëzore dhe pengimi i refugjatëve që vijnë ilegalisht në BE. Por në radhë të parë anijet shpëtojnë refugjatët që varkat e të cilëve pësojnë avari. Me varkat prej druri në të cilat hyjnë 300 deri 600 refugjatë trafikantët nxjerrin deri në një milionë dollarë fitime në vit. Sipas Agjencisë së BE-së për mbrojtjen e kufijve Frontex aktualisht nga Libia nisen rreth 10.000 refugjatë në javë dhe Libia vazhdon një vend tranzit për refugjatët.
Detyra të reja
Qeveria gjermane vendosi tani zgjatjen dhe zgjerimin e mandatit të misionit "Sophia". Në të do të marrin pjesë deri në 900 ushtarë gjermanë të marinës gjermane. Sipas këtij mandati në zonën e mbikëqyrjes përfshihet edhe Egjipti. Po ashtu ushtarët e misionit duhet të pengojnë edhe kontrabandën e armëve dhe të ndihmojnë qeverinë libiane për ndërtimin e rojes bregdetare dhe të marinës. Kjo do të thotë që sipas këtij mandati trupat e Frontexit kanë të drejtë në rast dyshimi të ndalojnë për të kontrolluar në det të hapur edhe anije të mëdha dhe të konfiskojnë armë kontrabandë.
Dy vendime politike
Zgjerimi i mandatit u bë i mundur prej dy vendimesh politike. Së pari qeveria e unitetit e saporformuar në Libi e pranoi ofertën e BE-së për ndihmë për rindërtimin e rojes bregdetare. Italia do t'i vërë në dispozicion Libisë dhjetë anije patrullimi dhe për to do të shkollohet një ekuipazh prej 100 vetësh. Po ashtu OKB-ja vendosi në qershor një embargo armësh kundër tregtisë së armëve dhe tani duhet që respektimi i saj të mbikëqyret.
Sipas të dhënave të OKB-së në Libi hyjnë armë ilegale nga Turqia, Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat përfundojnë në duart e grupeve ekstremiste të IS-it. Një zëdhënës i MPJ në Berlin tha se rreziqet që vijnë për Evropën nga IS-i në Libi janë më të mëdha se nga Siria dhe Iraku.