1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Turistët e huaj në Shqipëri shijojnë traditën folkloristike

3 Shtator 2011

Një grup turistësh të huaj në Shqipëri prej tyre shijoi diçka ndryshe. Ata i dhanë qëndrimit të tyre një nuancë kulturore tradicionale, duke marrë mësime dhe duke kërcyer vallet nga krahina të ndryshme...

Të huajt mësojnë valle tradicionale shqiptare.
Të huajt mësojnë valle tradicionale shqiptare.Fotografi: DW/A.Muka

Grupi prej rreth 20 vetësh ishte nga Gjermania, Hollanda, Suedia, Danimarka, Italia etj. Axhenda e tyre e qëndrimit disa javor ishte kombinuar me leksione dhe praktika nën drejtimin e trajnerëve, por dhe duke bërë vizita, bashkëbisedime me banorë të rajoneve të ndryshme, madje duke qënë dhe pjesmarrës në një aktivitet folklorik në veri të Shqipërisë.

Në sallën e mësimit - nën drejtimin e koreografëve, turistët i mësojnë shpejt hapat e valleve.Fotografi: DW/A.Muka

Klasa e provave të Asamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, diku në qendër të Tiranës, kishte mysafirë të pazakontë. Dy koreografët e njohur të Ansamblit Genc Kastrati dhe Helga Saraçi punuan me një grup turistësh të huaj të cilët dëshironi të mësimin e valles tradicionale shqiptare. Nëpërmjet një impianti muzikor lëshoheshin një pas një motivet e valleve të njohura nga rrethi i Matit, nga Përmeti, Librazhdi, Kukësi, Dardha e Korçës etj. Pasi kaluan disa ditë me prova valltarët amatorë arritën të kapin veçoritë e secilës prej tyre duke u përpjekur të mbanin ritmin e lëvizjeve.

Koreografja Helga Saraçi.Fotografi: DW/A.Muka

 Helga Saraçi, soliste e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore thotë për DW se pjesmarrësit ishin shumë këmbëngulës gjatë provave. “Shumëllojshmëria e repertorit ishte e madhe dhe ne kapëm interesin e tyre për vallet tona dhe kjo na gëzoi dhe na bëri që të japim më shumë. Mund të përmend vallen dyshe të Kavajës si një pjesë shumë tipike, e kërcyer me mjaft origjinalitet nga koreografi Genci që u demonstrua dhe nga miqtë tanë të cilët e ndoqën në mënyrën më perfekte.”

Birgit nga një qytezë në afërsi të Frankurtit thotë se ka qënë dhe dy herë të tjera në Shqipëri dhe interesi ka qënë i njëjtë për folklorin shqiptar. “Unë pëlqej muzikën, dhe po përpiqem të mësoj të vallzoj. Se dhe kjo më pëlqen. Unë e kam bërë një gjë të tillë më parë dhe në Bullgari, Rumani, Serbi e Greqi dhe tani këtu në Shqipëri ndjehem sërish e mahnitur nga arti popullor. Vendet e rajonit kanë shumë të përbashkëta dhe të veçanta në folklorin e tyre. Mua më pëlqejnë që njerëzit këtu në Shqipëri e ruajnë fondin e traditës, e luajnë dhe e kërcejnë duke ja lënë brezave, njësoj si në Gjermani. Gjatë provave jam munduar të kap gjithçka nga lëvizjet që na japin dy trajnerët tanë Helga dhe Genci. Janë shumë të dashur me të gjithë ne, janë mësues fantastikë”- thotë Birgit për Deutsche Welle-n.

Wiki Kastner është amerikane me origjinë, por që jeton dhe punon prej shumë viteve në Gjermani. Edhe ajo ka eksperiencë nga vende të tjera të rajonit. “Kam qënë në aktivitete të ngjashme në Bullgari dhe Greqi, por këtu në Shqipëri ndjej diçka të re dhe të mrekullueshme. Ne krahas mësimit të vallzimit kemi bërë ushtrime dhe për të kënduar polifoninë labe që është një gjë e rrallë nëpër botë. Ai kombinim zërash dhe nivelesh është fantastik për të përçuar tek spektatorët gëzimin, hidhërimin, krenarinë. Çdo ndjenjë njerëzore përçohet qartë dhe me ngjyrën e duhur. Është diçka mahnitëse realisht”.

Mësimet e këngëve polifonike i jep këngëtari i njohur i Asamblit, Gramoz Burba. Pjesë e programit, sipas interesit të grupit, ka qënë dhe një cikël leksionesh mbi kostumet popullore nga krahina të ndryshme të vendit e harmozuar me njohuritë mbi traditën popullore shqiptare, që drejtoheshin nga prof.dr. Afërdita Onuzi.

Drejtuesi i kursit Cees Hillebrand.Fotografi: DW/A.Muka

Cees Hillebrand nga Hollanda është njëri prej inciatorëve të këtij aktiviteti. Ai thotë se folklorin shqiptar e ka ndjekur prej dekadash, por për fat të keq para viteve ‘90 të shekullit të kaluar çdo gjë e shikonte në distancë, pasi vendi ishte i izoluar nga bota e jashtme. Atij i kujtohet një pjesëmarrje shumë mbresëlënëse në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës më 2004, që sipas tij ishte dhe një ngacmim për ndërtimin e projekteve konkrete që afronin të gjithë ata të huaj që dëshironin të mësonin më shumë nga valet e këngët tradicionale shqiptare. Ashtu siç bëhet dhe në vendet e rajonit. Ne dëshirojmë që një aktivitet të tillë prezantues e performues ta kthejmë në një traditë të përvitshme në Shqipëri, thotë Hillebrand për Deutsche Welle-n:

“Do të organizohemi dhe do të kthehemi sërish në Shqipëri. Për vitin e ardhshëm ne kemi të gatshëm një grup me rreth 35 adhures të foklorit shqiptar nga Zvicra që dëshirojë të vijnë këtu. Kërkesa ka dhe organizimi i grupeve tashmë është më i lehtë, pasi kemi eksperiencë por dhe Shqipëria ka ndryshuar dhe është bërë një vend i hapur për të huajt, për ata që duan të investojnë, të jetojnë, të bëjnë guida turistike, apo që dëshrojnë të ndjekin aktivitete të tilla kulturore tradicionale. Kjo strategji ndiqet dhe në vendet e tjera të rajonit, duke harmozuar dëshirat që kanë të interesuarit.”

Koreografi Genc Kastrati.Fotografi: DW/A.Muka

Për koreografin Genc Kastrati projekti është atraktiv pasi ai ka larmi në axhendë. Jo gjithçka u zhvillua vetëm brenda ambjenteve të klasës, por pjesmarrësit patën mundësi që të ishin vetë prezent në një aktivitet folklorik, thotë ai për Deutsche Welle-n: “P.sh. i dërguam ata në shtëpitë e banorëve në Kelmend, në veri të Shqipërisë, ku ata ndoqën aktivitetin ‘Logu i Bjeshkëve'. Ishte një interesim i jashtëzakonshëm i tyre, për mënyrën e jetesës e për kulturën e këtyre zonave”.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: E. Xhani