1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Turizmi shqiptar synon turistin perëndimor

Aida Cama11 Mars 2006

Në Panairin Ndërkombëtar të turizmit në Berlin 10.500 ekspozues nga 180 vende prezantojnë produktet e tyre turistike për 150 mijë vizitorë. Turizmi shqiptar po përpiqet të profilizohet si turizëm kulturor dhe ekoturizëm

ITB-Panairi ndërkombëtar i turizmit-Berlin
ITB-Panairi ndërkombëtar i turizmit-BerlinFotografi: AP

Në pavionin dy të panarit ndërkombëtar të turizmit ndodhet stenda shqiptare, pranë asaj boshnjake e maqedonase. Fotografi të mëdha nga Butrinti, Apollonia dhe vende të tjera historiko-kulturore shqiptare bëjnë vizitorët që të ndalin këmbët kur kalojnë. Shtatë agjensi turistike, një agjensi fluturimi dhe Enti i turizmit nga ministrinë shqiptare e turizmit prezantojnë turizmin shqiptar.

Punonjësit që ofrojnë produktet e tyre turistike duket se e kanë kuptuar se për të thithur turistët e huaj, sidomos ata perëndimorë nuk mjafton vetëm fakti që shqipëria ka detin dhe diellin.

Edlira Bardulla, Drejtore e Entit të turizmit, "Na u desh të bënin një punë të madhe për një paraqitje sa më dinjitoze në panairin e Berlinit. Këtë vit kemi prezantuar strategjinë e turizmit kulturor dhe ekoturizmit dhe jemi perpjekur që në fotografi të paraqesim këtë lloj turizmi."

Përpjekjet që po bëhen për të rritur nivelin e prezantimit të Shqiperisë në panaire kanë treguar rezultat e tyre. Vitin e kaluar numri i turistëve të huaj që kanë vizituar Shqipërinë u rrit 17 për qind në krahasim me një vit më parë dhe arriti në 429 mijë turistë.

Cilët vizitorë shfrytëzojnë turizmin shqiptar na e tregon zonja Bardulla: "Ka edhe ardhje private, por edhe grupe turistike që bëjnë toure ballkanike dhe kalojnë kështu edhe disa ditë në Shqipëri, duke vizituar qendra kulturore e turistike. Tregun kryesor e kemi Kosovën, numrin më të madh të turistëve e përbën turisti kosovar i cili më tepër parapëlqen turizmin e diellit dhe të rërës. Por edhe turistët maqedonas kanë zënë një peshë të madhe. Vitin e kaluar ata mbajtën vendin e dytë. Megjithatë, ne synojmë turizmin pak më elitar, turizmin perëndimor. Kjo është strategjia jonë këtë vit."

Qëllimit të thitjes së turistit perëndimor i shërben edhe kjo pjesëmarrje në panair. Cilët kanë qenë njerëzit që kanë treguar interes për turizmin shqiptar na e tregon një nga punonjëset e agjensive:

"Publiku ka qenë shumë i ndryshem. Kanë qenë vetëm punonjësit e specializuar sepse këto dy ditë panairi ka qenë i hapur vetëm për vizitorët profesionistë dhe jo për publikun e hapur. Interesi i operatorëve të ndryshëm ka qenë si destinacion i ri në destinacionet e tyre të përfshihet edhe Shqipëria në të ardhmen. Për momentin janë interesuar për turizmin kulturor, sepse Shqipëria nuk ofron shumë mundësi për turizëm masisv, pavarësisht nga bregdeti 450 km që ka. Po duke mos patur hotele të mëdha për grupe, duke filluar ngadalë interesimi për Shqipërinë. Hotele të mëdha ka vetëm në Durrës, Tiranë, Sarandë. Vendet e tjera ofrojnë 20 ose 30 vende. Edhe për në është e vështirë. Gjithsesi interesi ka qenë edhe për turizmin e plazhit, po ngadalë do shohim. Tani ishin vetëm kërkesa, dhe asgje nuk ishte e preçizuar dhe përfunduar."

Specialistët vlerësojnë se është hera e parë që Shqiëpria ka prezantim të tillë në Panair. Prezantimi i këtij viti i Shqipërisë është më i mirë se ai boshnjak dhe maqedonas, po megjithatë larg prezantimit grek apo atij kroat, megjithëse Shqipëria ndan më këto dy vende të njëjtat dete dhe të njëjtin diell.