1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Jo më puçe"

Senada Sokollu / Eliana Xhani4 Korrik 2013

Qeveria turke planifikon një reformë të paragrafit të kontestuar 35, të regullores së brendshme të ushtrisë. Me anë të saj synohet të shmangen në të ardhmen përpjekje për puç.

Fotografi: AP

Që prej vitit 1960 në Turqi ka pasur katër puçe ushtarake, si pasojë e të cilëve qeveritë janë rrëzuar me dhunë nga pushteti. Për herë të fundit ushtria kërcënoi në vitin 2007 hapur me puç kundër kryeministrit Rexhep Taip Erdogan. Tani ai po guxon të ndërmarrë një hap historik. Qeveria ka propozuar të reformohet paragrafi 35 i regullores së brendshme të ushtrisë.

Puçi ushtarak në Turqi1980Fotografi: AP

Me këtë ndryshim synohet të parandalohen në të ardhmen puçe ushtarake. Forcat e armatosura turke sipas reformimit të paragrafit 35 do të jenë vetëm për "kërcënimet nga jashtë" përgjegjëse. Kështu ushtrisë duhet t'i hiqet mundësia të ndërhyjë në çështje të politikës së brendshme.

Mbrojtëse e Republikës Turke

Që prej vitit 1934 ushtria turke ka si detyrë kryesore "të mbrojë Republikën Turke". Deri tani ushtria ka parë si detyrë të vetme jo vetëm mbrojtjen e sigurisë së jashtme por edhe të brendshme dhe të "kemalizmit". Fjala është për ideologjinë e themeluesit të shtetit turk, Mustafa Kemal Ataturk, e cila ndër të tjera parashikon ndarje strikte të shtetit dhe fesë. Kështu në puçin ushtarak të 1980-s, ish-shefi i përgjithshëm i shtabit, Kenan Evren, i dha fund konfrontimeve të ngjashme me luftë civile mes grupeve të majta dhe të djathta në rrugët e Turqisë. Kjo ndihmë fillimisht u përshëndet nga shumë vetë. Por pastaj u bënë të qarta përmasat e ndërhyrjes: 650.000 arrestime, 50 ekzekutime, 171 të vdekur nga torturat. Dhjetëra mijëra vetëve iu hoq shtetësia turke dhe u detyruan të largoheshin jashtë shtetit.

Adem SözüerFotografi: Adem Sözüer

"Para puçeve ushtarake ka pasur gjithnjë fushata të mëdha për nxitjen e urrejtjes ndaj qeverive të zgjedhura. Kjo nuk bëhej direkt nga ushtria, por së bashku me partnerë të tjerë, me elitat", shpjegon Adem Sözüer, dekan i Fakultetit të Shkencave Juridike në Universitetin e Stambollit. Shpesh këto konfrontime mes grupeve të popullsisë apo grupeve politike provokoheshin dhe programoheshin nga shteti turk, thotë profesori për Deutsche Welle-n. "Shumica e popullsisë duhet të mendojë se vendi është në rrezik dhe se ushtria duhet ta shpëtojë", shpjegon Sözüer.

Paragrafi 35 vetëm "instrument zbukurues i puçistëve"?

Nga pikëpamja juridike paragrafi 35 nuk justifikon asnjë ndërhyrje të ushtrisë, thekson Lami Bertan Tokuzlu, specialist i së drejtës kushtetuese në Universitetin e Stambollit. "Marrja e pushtetit nga ushtria është një çështje jashtë juridiksionit. Me të shfuqizohet kushtetuta ekzistuese. Çdo pushtet, edhe ai legjislativ dhe juridik merret nga ushtria dhe kjo nuk mund të bazohet në ndonjë ligj. Nuk kemi të bëjmë me një proces të ligjshëm", shpjegon Tokuzlu në bisedë me DW.

Adem Sözüer thotë se paragrafi 35 shërben vetëm si justifikim për puçistët. "paragrafi 35 nuk thotë se është e lejuar të bëhet një puç. Por nevojitet një nen çfarëdo që të justifikojë ligjërisht puçin dhe ky nen shërben për këtë qëllim." Por edhe nëse ai nuk do të ekzistonte, puçet do të kryheshin, thotë profesori. "Ai është vetëm një instrument zbukurimi për puçistët", thotë Sözüer. Për këtë arsye abrogimi i tij ka vetëm vlerë simbolike, thekson eksperti. "Për demokratizimin dhe përpunimin e së kaluarës hapa të tillë simbolikë janë të nevojshëm", thotë Sözüer, por shton se për demokratizimin e vendit nevojiten edhe hapa të tjerë. "Duhet të ndryshojnë shumë gjëra në përgatitjen profesionale të ushtarakëve. Të rinjtë fillojnë me shërbimin ushtarak dhe betohen se do të mbrojnë republikën kundër armiqve të brendshëm dhe të jashtëm. Nëse vite me radhë marrin këtë formim dhe ndodhen në një situatë të caktuar politike, atëherë ndjejnë përgjegjësi", thotë Sözüer.

Lami Bertan TokuzluFotografi: DW/S. Sokollu

Protestat në parkun Gezi shkak për reformën?

Eksperti i të drejtës kushtetuese Tokuzlu, mendon se ka një lidhje mes lëvizjes mbarëkombëtare në Turqi dhe ndryshimit të paragrafit 35 të kushtetutës turke. "Ka pasur raste kur zyrtarë të ushtrisë kanë ndihmuar demonstrues, p.sh. duke shpërndarë maska kundragaz në rrugë", thotë Tokuzlu. Nëse kjo mbështetje do të zgjerohej më tej, do të ishte një tmerr për qeverinë", mendon Tokuzlu.

Edhe gazetari Cengiz Aktar dyshon se protestat janë bërë shkas për ndryshimin e ligjit. "Ndoshta qeveria kërkon t'i tregojë gjithë botës se vazhdon të synojë një demokratizim të mëtejshëm të vendit, veçanërisht për shkak të ngjarjeve të muajit të fundit, lidhur me protestat e parkut Gezi", thotë Aktar për Deutsche Welle-n. Deri tani ky nen ka qenë argumenti kryesor i ligjshëm për puçet e ushtrisë, thotë Aktar. "Ky justifikim duhej të ishte hequr me kohë", thotë gazetari.