1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Turqi: Zi për mijëra viktima të tërmetit

7 Shkurt 2023

Pas katastrofës së tërmetit në zonën kufitare mes Turqisë dhe Sirisë ende vazhdojnë të nxirren të plagosur dhe trupa të pajetë nga rrënojat e ndërtesave të shembura. Shumë njerëz konsiderohen të humbur.

Turqi: Tërmeti në provincën Kahramanmaras
Turqi: Tërmeti në provincën KahramanmarasFotografi: DHA

Si pasojë e tërmetit shkatërrimtar në kufirin turko-sirian, sipas të dhënave të fundit zyrtare kanë humbur jetën mbi 4200 vetë (07.02. 07:00) Mbi 18.000 persona janë plagosur. Meqënëse vazhdon puna e ekipeve të shpëtimit për të nxjerrë njerëzt nga rrënojat numri i viktimave mund të rritet edhe më tej. Situata është dramatike, njerëzit kanë frikë të kthehen në shtëpitë e tyre për shkak të tëmeteve pasuese.

Tërmeti shkaktoi dëme të jashtëzakonshme në jug të Turqisë dhe në veri të Sirisë. Lagje të tëra janë rrafshuar. Mijëra njerëz kanë mbetur të pastrehë tani në dimër kur temperaturat janë nën zero gradë.

Turqi: Ndërtesë e shkatërruar në provincën Kahramanmaras jo larg epiqendrës së tërmetit.Fotografi: DHA

Tërmeti i fuqishëm në orët e mëngjesit të së hënës (06.02.2023), sipa stë dhënave të Autoritetit turk të Mbrojtjes nga Katastrofat Afad kishte një forcë goditëse 7,7 ballë. Shumica e njerëzve në atë kohë ishin ende në gjumë. Të hënën pasdite pati edhe një goditje pasuese prej 7,5 ballë po në të njëjtin rajon. Gjithashtu janë regjistruar shumë goditje të tjera pasuese. Lëkundjet e tokës janë ndjerë deri në Liban dhe në Qipro e madje këto lëkundje janë kapur edhe nga aparaturat matëse në Groenlandë.

Presidenti i Turqisë Rexhep Tayp Erdogan shpalli një javë zie kombëtare në vend. Ai e cilësoi këtë si tërmetin më të fuqishëm që nga viti 1939. Atëherë në provincën lindore Erzincan patën gjetur vdekjen 33.000 vetë.

Tërmet i fuqishëm në Siri dhe në Turqi, pamje nga provinca turke KahramanmarasFotografi: DHA

Premtime për ndihma nga e gjithë bota

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres u shpreh "thellësisht i prekur" për këtë katastrofë. OKB është e gatshme të japë ndihmë emergjence, siguroi Guterres.

Siri: Punimet për heqjen e rrënojave në provincën Idlib në kufirin me TurqinëFotografi: LOUAI BESHARA/AFP/Getty Images

Kancelari i gjermanisë Olaf Scholz në një telegram ngushëllimi i shprehu presidentit Erdogan "dhimbjen e thellë". Gjermania do të ndihmojë për përballimin e fatkeqësisë, theksoi kancelari.

Bashkimi Europian do të mbështesë edhe Sirinë e prekur nga kjo katastrofë. Premtimet për ndihma janë dhënë edhe nga SHBA, Rusia, Ukraina, India, Pakistani, Irani, Izraeli, Britania e Madhe, Greqia dhe shumë shtete të tjera.

 

 

 

wa/bru (dpa, afp, rtr)