1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Turqia - Bashkimi Europian dhe Shqipëria

Viron Gjymshana,Bruksel16 Dhjetor 2004

Ndryshe nga sa ngjau me anëtarësimin e 8 vendeve të Europës Lindore si dhe Qipros dhe Maltës, për Turqinë është paraparë që mosplotësimi qoftë edhe i një kushti të vetëm mund t'i ndërpresë një herë e mirë negociatat me BE-në.





Eshtë pothuajse e sigurt që kryetarët e shteteve dhe qeverive të 25 vendeve anëtare të BE-së do t'i përgjigjen sot me një "Po" solemne kërkesës së Turqisë për të filluar bisedimet për një anëtarësim të ardhshëm në Bashkimin Europian. Por kjo "po" e fuqishme do të shoqërohet gjithashtu me disa "por"-e, që do të thotë se asgjë nuk është aq e sigurt sa duket në pamje të parë. Pasi vërtet që sot në Bruksel do të ngrihen dollitë për hapin e madh që hodhi Turqia drejt BE-së, por e vërteta është se kushtet që i janë vënë dhe do i vihen Turqisë për tu pranuar në BE, do të jenë jo vetëm të shumta dhe të vështira, por njëkohësisht të papara deri më sot.
Udhëheqësit e BE-së janë gjendur gjatë këtyre ditëve para një dileme hamletiane. Kërkesa e Turqisë për tu anëtarësuar në BE mban datën e vitit 1963, që kur BE-ja njihej vetëm si Tregu i Përbashkët. Kërkesa e saj mori një forcë të re më 1999 kur asaj për herë të parë iu njoh statusi i vendit kandidat për anëtarësim. Por ndërsa vendet e ish-Europës Lindore, si Polonia, Hungaria, Sllovenia, që dikur bënin pjesë në kampin armik sovjetik, u pranuan pas 13 vjet negociatash; - Turqia që përfaqësonte atëhere një nga shtyllat e NATO-s në kohën e Luftës së Ftohtë, vazhdon edhe sot e kësaj dite të trokasë në portat e Brukselit. Pikërisht për shkak të këtij roli si dhe peshës strategjike, politike dhe ekonomike që ajo mbart ende në skakierën globale, udhëheqësit e BE-së nuk munden t'i thonë sot "jo" Turqisë. Por të ndodhur para kundërshtish të forta nga opinioni i tyre publik si dhe nga një pjesë e forcave politike, sidomos atyre të djathta, BE-ja ka zgjedhur rrugën e mesit, pra "po" me gojë, "jo" me vepra.

Kjo politikë u bë e njohur edhe një herë tjetër në prag të këtij samiti nga presidenti francez, Zhak Shirak. Ndër të tjera ai nxorri në pah disa aspekte të reja dhe jo fort të njohura deri më sot nga opinioni i gjërë. Së pari që fillimi i procesit të negociatave me Turqinë nuk do të thotë përfundim automatik i tyre. Së dyti, ai nënvizoi se derisa Turqia të plotësojë të gjitha kushtet, do të duhen pak a shumë 15 vjet. Dhe së treti, dhe më e rëndësishmja, presidenti francez e bëri të qartë se në kushtetutën e re europiane që do të ratifikohet dhe hyjë në fuqi gjatë pranverës së ardhshme, është paraparë organizimi i detyrueshëm i referendumeve popullore në të gjitha vendet e BE-së për të gjitha vendet kandidate që nuk kanë filluar ende procesin e negociatave për anëtarësim. Detyrimi për organizimin e referendumeve përkon pikërisht me kohën e anëtarësimit të Turqisë në BE! Ai nuk do të jetë i vlefshëm as për Rumaninë, as për Bullgarinë dhe as Kroacinë. Kështë që mjafton që vetëm në njërin nga 25 vendet e deritanishme anëtare të BE-së, popullata të votojë kundër, që kërkesa e Turqisë të hidhet automatikisht poshtë. Në atë rast kryetarët e shteteve dhe qeverive europiane mund të thonë se "Ne jemi gati, por çfarë t'i bëjmë opinionit tonë publik dhe kushtetutës?!".

I takon Turqisë tani t'i japë zgjidhje këtij rebusi. Por Turqia është vend i madh, me pozitë strategjike të rëndësishme, të cilës si do që të vijë puna, do ia kenë nevojën. Por çdo të ndodhë me Shqipërinë, kur të vijë koha që ajo do të paraqesë kërkesën e saj për anëtarësim në BE?! De jure gjithë vendeve të Ballkanit, pra edhe Shqipërisë, u është njohur kjo e drejtë. Por duke qënë se ajo është edhe më prapa se Turqia në procesin e negociatave me BE-në dhe ajo do të duhet të kalojë nëpër të njëjtën procedurë. Afrimet dhe dallimet ndërmjet Turqisë dhe Shqipërisë janë sa të shumta aq edhe të mëdha. Kështu ndërsa Turqia është një shtet i madh, Shqipëria është një shtet i vogël. Ndërsa Turqia gjendet në një pikë strategjike, në kufirin që ndan dhe bashkon Orientin me Perëndimin, Shqipëria gjendet e strukur në një cep të Ballkanit. Njëkohësisht Shqipëria konsiderohet dhe cilësohet në Perëndim si vend mysliman, njëlloj si Turqia.

Fatkeqësisht Shqipëria nuk u tregua e aftë të kapërcente "Rubikonin", siç bënë para saj vendet e tjera ballkanike, si Kroacia dhe Maqedonia. Prandaj ajo do të jetë e detyruar të kalojë tani nëpër të njëjtat procedura që janë përpiluar për Turqinë. Pra së pari do të duhet që qeveritë e të gjitha vendeve anëtare të BE-së të japin pëlqimin e tyre. Por më e vështira do të jetë që të binden popujt e gjithë Europës, që edhe shqiptarët meritojnë të integrohen në BE. Dhe mjafton psh që danezët, portugezët, grekët, sllovenët, apo francezët të votojnë "Jo" që ëndrra e Shqipërisë për tu pranuar në BE, të transformohet menjëherë në një zgjendër të frikshme.