1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Turqia e turqve?

Michael Jansen22 Korrik 2007

Nacionalizmi temë kryesore në fushatën zgjedhore

Për nacionalistët turq udhëheqësi i Partisë Punëtore Kurde Abdullah Ocalan duhej ekzekutuar.Fotografi: AP

Në Turqi zgjidhet sot një parlament i ri. Nevoja për zgjedhje të parakohshme lindi pasi ushtria dhe gjykatat, si mbrojtëse të republikës qemaliste, i mohuan partisë në qeveri AKP zënien e postit më të lartë shtetëror. Zgjedhjet duhet të tregojnë tani rrugëdaljen nga kriza. Është për tu vënë në dyshim nëse ato janë në gjendje ta bëjnë këtë, pasi konflikti themelor midis qemalistëve dhe konservatorëve mbetet. Por për një gjë pajtohen të gjithë dhe ajo shfaqet edhe në fushatën zgjedhore: Tema kryesore e fushatës është nacionalizmi.

Në dallim nga Gjermania, në Turqi fjala nacionalizëm nuk është sharëse. Përkundrazi: të gjitha partitë e mëdha mundohen t'ia kalojnë njëra-tjetrës në ngulmimin se sa nacionaliste janë, duke prodhuar ndonjëherë qëndrime të çuditshme. Për shembull kur është fjala për Abdullah Öcalan-in, udhëheqësin e organizatës terroriste kurde PKK. Ky i fundit gjendet prej tetë vjetësh në burgun e ishullit mesdhetar Imrali. Pas kapjes ai ishte dënuar me vdekje, por nuk u ekzekutua dhe pikërisht kjo gjë po kthehet tani në temë zgjedhore për nacionalistët e të gjitha partive. Partia e djathtë ekstreme MHP, e cila e mban fjalën nacionaliste edhe në emër, ishte atëherë në qeveri. Asaj i duhet të dëgjojë sot akuzën e kryeministrit aktual Recep Tayyip Erdogan që thotë i kënaqur se lënia në jetë e kryetarit të PKK-së nuk ishte vërtet sjellje aq nacionaleiste. Kryetari i Partisë Nacionaliste, Devlet Bahçeli, është tërbuar nga Erdogan-i:

'Ne kemi qenë atëherë në qeveri koalicioni. ... Ti ke sot qeveri shumice në parlament. Përse nuk urdhëron ta varin Öcalan-in, në vend që të na akuzosh ne, Partinë e Lëvizjes Nacionalise? Përse nuk e var ti? Mos nuk ke litar? Ta jap unë. Vare, jepi vare!'

Siç shihet, asnjë parti turke nuk ia hedh dot tjetrës kur është fjala për nacionalizmin. Kjo vlen edhe për Partinë me orientim islamik AKP, e cila ka qeverisur me shumicë absolute katër vitet e fundit. Christoph Neumann është docent historie në Universitetin e Bilgi të Stambollit:

'Edhe islamistët janë në pjesën dërrmuese nacionalistë. Për këtë arsye ata nuk shohin as në botën arabe me fenë e tyre myslimane; pra këtu nuk ka panislamizëm në kuptimin e një lëvizjeje të gjalë, të rëndësishme, politike. Ai ekziston në vende të tjera, por jo këtu.'

Por kjo nuk i pengon kundërshtarët e islamistëve që në fushatën zgjedhore të luajnë me frikën prej një republike islamike turke - si Denis Baykal, kryetari i partisë më të madhe opozitare CHP, Partia Republikane Popullore:

'Në zgjedhje nuk do të vendosni vetëm për atë se kush do ta qeverisë Turqinë; jo, do të vendosni për pyetjen se në ç'Turqi do të jetoni në të ardhmen, për atë nëse Turqia me republikën dhe demokracinë e saj, me kombin dhe shtetin e saj do të vazhdojë të ekzistojë e plotë dhe unitet.'

Christoph Neumann i Universitetit Bilgi të Stambollit thotë, se Turqia nuk rrezikon të kthehet në republikë islamiste. Sipas tij, në thelb nuk bëhet fjalë për një konflikt midis fetarëve dhe laikëve:

'Mendoj se konflikti kryesor nuk është edhe aq midis shekullarëve dhe islamistëve, i cili natyrisht që ekziston, por ky është më shumë një konflikt midis atyre që duan ta hapin vendin dhe atyre që duan ta ruajnë vendin në mënyrë konservatore, siç është tani.'

Këtu konservatorët nuk janë islamistët, por përkrahësit e shtetit të kontrolluar nga laikët, kundërshtarët e shamisë së kokës që gjenden në ushtri, drejtësi dhe politikë. Modernizuesit e mirëfilltë gjenden në partinë qeveritare me karakter islamik. Kjo mund të jetë një nga arsyet për debatin mbi nacionalizmin në fushatën zgjedhore turke: përpjekja e konservatorëve për të shpëtuar sa më shumë prej Turqisë së tyre të vjetër, jo veçanërisht demokratike dhe as veçanërisht evropiane. Por ka të ngjarë që të ketë edhe një arsye të dytë: procesi i afrimit të Turqisë me Evropën ka ngecur. Me Angela Merkel-in në Gjermani dhe Nicolas Sarkozy-në në Francë e kanë marrë timonin dy kundërshtarë kategorikë të anëtarësimit të Turqisë në Bashkimin Evropian. Dhe anasjelltas në Turqi ka rënë dukshëm entuziazmi për Evropën: në vitin 2004 për anëtarësimin në BE ishin dy të tretat e turqve, dy vjet më vonë, në fund të 2006-ës, ishte vetëm një e treta.