Turqia: Gylenistët mund të jenë kërcënim edhe për Kosovën
29 Dhjetor 2021Ministri i Mbrojtjes së Turqisë, Hulusi Akar nuk e specifikoi, se për çfarë hapash bëhet fjalë, kur tha, se pret nga autoritetet kosovare hapa konkretë. Në Prishtinë ai tha, se Lëvizja Hizmet e klerikut Fetullah Gylen, mund të paraqesë kërcënim edhe për shtetin e Kosovës. Organizata e njohur me emrin "FETO” e klerikut turk Fetullah Gylen që gjendet në ekzil në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është shpallur nga autoritetet turke organizatë "terroriste” në vitin 2016.
Ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Hulusi Akar, qëndroi për një vizitë të shkurtër në Kosovë, ku takoi autoritetet më të larta kosovare dhe diskutoi ҫështjen e “gylenistëve” në Prishtinë, por nuk u dhanë detaje, as nga presidentja Vjosa Osmani që e takoi ministrin turk të mbrojtjes. "Kjo çështje nuk është kërcënuese vetëm për shtetin tonë, por mund të jetë kërcënuese edhe për shtetin e Kosovës. Në këtë aspekt, nga miqtë tanë kosovarë dhe nga institucionet kosovare po presim të ndërmerren hapa konkretë”, tha ministri turk Hulusi Akar, pas takimit që pati me homologun e tij kosovar Armend Mehaj.
Dëbimi i shtetasve turq në vitin 2018
Tre vjet më parë, në mars të vitit 2018, Kosova arrestoi dhe dëboi gjashtë shtetas turq, që kishin punuar në një shkollë private në Kosovë "Mehmet Akif”. Fondacioni FETO i Klerikut Fetullah Gulen, që jeton në SHBA-së drejton rreth 40 shkolla në Ballkanin perëndimor përfshirë 15 institucione në Bosnje, 12 në Shqipëri, 7 në Maqedoni dhe pesë në Kosovë.
Dëbimi i gjashtë shtetasve turq nga Kosova në vitin 2018 u tha se ishte bërë "përmes një aksioni të koordinuar ndërmjet shërbimeve të inteligjencës nga Turqia dhe Kosova”. Të gjashtë të dëbuarit pas arrestimit nga autoritet turke, në procese të ndara gjyqësore tashmë janë dënuar me gjithsej me 56 vjet dhe 7 muaj e gjysmë burgim.
Çështja e gylenistëve ende në prokurori
Arrestimi dhe dëbimi i gjashtë turqëve pati nxitur debat të ashpër atëherë në Kosovë. Aktualisht kjo çështje është ende lëndë hetimore dhe aktakuzash në Prokurorinë Speciale të Kosovës. Dyshimi është, se procesi është përcjellë me dhjetëra shkelje të ligjeve të Kosovës. Madje në atë kohë qe ngritur edhe një komision parlamentar që pati konstatuar se gjatë deportimit të 6 gylenistëve nga Kosova, ishin bërë 31 shkelje ligjore. Në një deklaratë të ambasadës së SHBA-së atëherë që ishte mbështetur edhe nga ambasadori i Gjermanisë dhe Britanisë së madhe, thuhej se "presioni politik në sektorin e sigurisë për të thyer ligjin e Kosovës është një shkelje skandaloze e vlerave demokratike”.
Prokuroria Speciale për ҫështjen e gylenistëve akuzon tre persona kosovarë që kanë keqpërdorur pozitën zyrtare, ish-drejtorin e Agjencisë Kosovare për Inteligjencën, D.G, drejtorin e Departamentin e Shtetësisë, Azilit dhe Migracionit të Ministrisë së Punëve të Brendshme V.K dhe drejtorin në Drejtorinë e Migracionit dhe të Huajve në Policinë Kufitare R.S. Ndërkohë, nga ana tjetër tashmë vetëm sivjet tetë familjeve turke me gjithsej katërmbëdhjetë anëtarë, që kanë ikur në ndërkohë nga viti 2018 nga Turqia dhe kanë arritur në Kosovë, iu është njohur këtë vit e drejta e statusit të refugjatit.
Sipas të dhënave nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, këto tetë familje janë në mesin e mbi 130 personave nga Turqia, të cilëve iu është dhënë statusi i refugjatit. Sipas avokatëve mbrojtës, të gjithë këta persona kanë qenë të lidhur me Lëvizjen “Hizmet” apo “FETO”, të cilën Ankaraja zyrtare e ka shpallur organizatë “terroriste” në vitin 2016.
Sipas palës kosovare vizita e ministrit turk të Mbrojtjes Hulusi Akar në Kosovë lidhet me faktin e kontributit të rëndësishëm të Turqisë në Kosovë. Ministri kosovar i Mbrojtjes, Armend Mehaj u shpreh, se “Republika e Turqisë është një prej kontribueseve më të rëndësishme në ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës FSK”. Turqia vitet e fundit ka ndihmuar Forcën e Sigurisë së Kosovës, kryesisht përmes donacioneve në baza vjetore, para këto që shfrytëzohen për blerjen e pajisjeve ushtarake po ashtu nga Turqia. Së fundi Kosova ka nënshkruar kontratë me shtetin e Turqisë për blerjen e 14 automjeteve ushtarake të blinduara me pajisje armatimi.