1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Jo ndërhyrje të njëanshme në Siri

Ayhan Simsek / Elona Elezi 23 Tetor 2012

Ambasadori turk sqaron se s'do të ketë aksione të njëanshme në Siri, por thotë se është i zhgënjyer me qëndrimin e fuqive botërore dhe dëshiron të shohë më shumë përpjekje të bashkërenduara për të ndihmuar refugjatët.

Smoke, caused by mortar bombs and gunfire during clashes between the Syrian Army and rebels, rises from the Syrian border town of Haram as seen from the Turkish-Syrian border near the town of Reyhanli in Hatay province October 19, 2012. REUTERS/Osman Orsal (TURKEY - Tags: POLITICS CIVIL UNREST CONFLICT)
Fotografi: Reuters

"Vijat tona të kuqe në Siri janë kapërcyer tashmë. Por duart tona janë të lidhura," u tha diplomatëve, politikanëve dhe ekspertëve gjatë kësaj konference ambasadori turk në BE, Selim Yenel. "Për aq kohë sa Këshilli i Sigurimit të OKB-së është i bllokuar prej vetos së Rusisë dhe Kinës, ne s´mund të bëjmë asgjë. Ky është problemi," theksoi ambasadori Yenel.

Ambasadori turk në BE, Selim Yenel dhe José Manuel BarrosoFotografi: European Union, 2012

Tensionet në rritje në kufirin turko-sirian, shoqëruar me një politike të jashtme turke gjithnjë e më të ashpër, kanë rritur shqetësimet në kryeqytetet evropiane se Ankaraja mund të ndërmarrë aksione të njëanshme në Siri, zhvillim i cili mund të përshkallëzojë krizën, pavarësisht kontrolleve.

Në fillim të këtij muaji, forcat siriane bombarduan territoret turke gjatë përleshjes së rebelevë në zonën kufitare dhe Ankaraja nxiti një projekt-ligj në parlament për të autorizuar dërgimin e trupave, duke i hapur rrugë një aksioni të njëanshëm. Duke u përballur me rreziqe në rritje të sigurisë, forcat e armatosura turke kanë vijuar intensifikimin e shpërndarjes së tyre përgjatë kufirit sirian.

Shqetësime rreth aksioneve të njëanshme

Vërejtjet e ambasadorit Yenel në Berlin krijuan lehtësime mes diplomatëve dhe politikanëve gjermanë. Gernot Erler, ish-ministër shteti në ministrinë e Jashtme gjermane, tha se lëvizja kurde në Siri dhe perceptimi i Turqisë për një kërcënim të saj, kanë qenë shqetësimi i tij kryesor.

Gernot Erler (SPD)Fotografi: dapd

"Nuk mund ta përjashtoj se do të shohim disa konflikte ushtarake në rajon me një axhendë të fshehtë, një axhendë të fshehtë që lidhet me çështjen kurde për turqit," i tha DW Erler, zëvendëskryetari i grupit parlamentar të Partisë Social-Demokrate.

"Pas diskutimit që dëgjuam me ambasadorin turk jam paksa më i qetë rreth kësaj çështjeje. Por megjithatë Gjermania është vërtet e shqetësuar rreth zhvillimeve në këtë fushë," tha ai.

Me thellimin e krizës siriane, Turqia po përballet me një rezistencë të shtuar në territorin e saj dhe me rritje të rreziqeve të sigurisë, duke përfshirë këtu edhe rrezikun e Partisë së Punëtorëve Kurdistanë (PKK), e cila kontrollon shtetin kurd në lidhje me fqinjët e saj. Turqia ka bërë përpjekje për një aksion të shpejtë ndërkombëtar në Siri, për të lehtësuar kalimin e pushtetit dhe ndryshimin demokratik, duke siguruar mbështetje për grupet opozitare siriane, si për shembull për Armatën e Lirë Siriane.

Ajo gjithashtu po përpiqet për t´i bërë ballë fluksit të refugjatëve sirianë, numri i të cilëve ka arritur në mbi 100 mijë. Qeveria turke ka kërkuar mbështetje ushtarake ndërkombëtare për krijimin e zonave "ndalim fluturimi" ose "strehave të sigurta" në Siri. Një zonë "ndalim fluturimi" do të lejonte mbrojtje për refugjatët sirianë brenda territorit sirian, por gjithashtu do të garantonte një strehë të sigurt për rebelët.

Deri tani Turqia ka dështuar në marrjen e një mbështetjeje të fuqishme ndërkombëtare për të krijuar strehat e sigurta në Siri dhe një përshkallëzim i tensionit në rajonin kufitar ka nxitur spekulime rreth një lëvizjeje të njëanshme të Ankarasë.

Ambasadori turk theksoi se aksionet e përbashkëta dhe mbështetja ndërkombëtare nevojiten për t´i dhënë fund tragjedisë së madhe njerëzore dhe të pashoqe siriane në sytë e komunitetit ndërkombëtar. "Ne po shikojmë dhe kemi frikë se s´mund të bëjmë dot më tepër," tha ai.

Gjermania shton solidaritetin

Teksa shumë analistë e shohin Turqinë të izoluar gjithnjë e më tepër në krizën siriane, Gjermania po mban një dialog shumë të ngushtë me qeverinë turke. Gjatë një udhëtimi më të fundit në Stamboll, ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle e zgjeroi solidaritetin e tij, por gjithashtu bëri thirrje urgjente për maturi dhe depërshkallëzim të tensioneve.

Westerwelle, Davutoglu dhe Lakhdar Brahimi në StambollFotografi: picture-alliance/dpa

Edhe pse kriza siriane ka ngritur pyetjet rreth një politike të jashtme më aktive të Turqisë dhe strategjisë së saj me “zero probleme” siç parashikohet nga ministri i Jashtëm turk Davutoglu, ambasadori Nikolaus Graf Lambsdorff, i dërguari i posaçëm i Ministrisë së Jashtme gjermane për Evropën Juglindore, theksoi se kontributet pozitive të kësaj strategjie i kishin tejkaluar në mënyrë të qartë të metat e saj.

"Duket se Turqia po lëviz sipas parimit të gjykimit dhe gabimit dhe shpeshherë bëhet shumë optimiste ose tepër ambicioze," komentoi Lambsdorff. "Ishte mbase shumë optimiste të besoje lidhje të ngushta me një regjim autokratik që do të çonte drejt një marrëdhënieje të bazuar në besim dhe vlera reciproke," tha Lambsdorff, duke iu referuar përpjekjes së dështuar të qeverisë turke për të promovuar ndryshimin në Siri me anë të dialogut. "Tashmë Turqia gjendet në një situatë shumë të vështirë."

Qeveria turke e Erdoganit ka qenë për një kohë të gjatë aleate e regjimit të Assadit por tashmë ndihet e tradhtuar nga regjimi i tij. Sipas Lambsdorff, pavarësisht zigzageve të politikës turke në Siri, kriza aktuale nuk është dështim i strategjisë me "zero probleme" të Davutolgu dhe kjo nuk duhet të lërë në hije rëndësinë e politikës turke për zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike dhe politike me shtetet fqinje dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë në rajon.