1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Turqia ka arsye për të qenë krenare

1 Shtator 2007

Zgjedhja e Abdullah Gylit (Gül) si president i Turqisë ka sunduar këtë javë komentet e shtypit ndërkombëtar.

Presidenti Gyl me gjeneralëFotografi: AP

E përditshmja austriake KURIER megjithatë mendon se zgjedhja e Gylit nuk do ta islamizojë edhe më shumë Turqinë:

"Ish-ministri i punëve të jashtme ka dëshmuar në mënyrë impresionuese, se ai është i gatshëm dhe i aftë që ta mbajë të ndarë politikën nga feja. Kursi që ka ndjekur ai gjatë viteve më të fundit së bashku me binjakun e vet politik, kryeministrin Erdohan (Erdogan), synonte modernizimin e vendit dhe të ekonomisë. Suksesi ishte i dukshëm. Pragmatisti Gyl nuk do ta vërë atë në lojë për të shkuar pas ndonjë aventure islamiste. Aq më tepër kur ai e di fare mirë që ndodhet nën vrojtimin e kreut ushtarak. Ai do të kërkojë barazpeshimin."

Francezja "Le Figaro" shprehet ngjashëm:

"Zgjedhja e Abdullah Gylit si president turk nuk është kthesë në historinë e Turqisë. AKP-ja, partia qeverisëse, që në aspektin fetar është konservatore, në atë ekonomik, liberale, në korrik kishte fituar zgjedhjet parlamentare, të cilat u bënë para kohe meqenëse ushtria ishte kundër kandidimit të Gylit. Fitorja e saj dhe zgjedhja e Gylit e konfirmuan AKP-në si partinë e transformimit dhe faktin, që turqit, pa marrë parasysh përhapjen e një rryme ksenofobe dhe nacionaliste, duan të integrohen në Bashkimin Evropian. Turqia e integroi lëvizjen islame në rrjedhën më të rëndësishme politike. Turqia është duke ecur përpara dhe bashkon si kurrë më parë fenë islame, kapitalizmin dhe demokracinë liberale laiciste."

Më skeptike është spanjollja "El Periódico" që botohet në Barcelonë:

"Për herë të parë që kur Kemal Atatyrku hoqi Kalifatin, Turqia ka si kryetar shteti një mysliman fanatik. Presidenti i ri i ka kundër tij ushtrinë dhe pakicat proevropiane që kanë frikë nga islamizimi i shtetit. Por rreziku i vërtetë për shtetin laicist nuk vjen nga fanatizmi i besimit të udhëheqësve politikë, por nga prapambetja ekonomike dhe kulturore e vendit. Islamistët kanë në dorë postet e krerëve të shtetit dhe të qeverisë. Tani të shohim se a do të jenë kaq të moderuar ashtu siç tregohen. Ushtarakët dhe aleatët e tyre paralajmërojnë, se kjo do të merret vesh, vetëm pasi të jetë tepër vonë."

"La Repubblica" nga Roma parashikon se tani do të rrëzohet pushteti paralel i ushtrisë:

"Turqia po ndryshon pamje. Zgjedhja e Abdullah Gylit, kandidatit të partisë islamiste, ... është një etapë vendimtare në atë proces që gradualisht çon drejt humbjes së udhëheqjes ushtarake, - garantuesit historik të shtetit në një shoqëri tejet islamike. Falë qeverisjes së zgjuar të kryeministrit Rexhep Taiip Erdohan ... burrat e AKP-së kontrollojnë tani të gjitha postet kryesore në Ankara. Kjo do të thotë që pushteti paralel, që ushtron sot kreu ushtarak me anë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, rrezikon të hidhet në erë."

Britanikja "The Indipendent" nga Londra mendon se:

"Zgjedhja e Gylit, i cili ka bërë hapur një sparkatë mes kampeve islamike dhe atyre laiciste, është garancia më e mirë për të ardhmen e Turqisë si shtet laik. Fakti, që një mysliman besimtar ka arritur postin më të lartë në vend, do të duhet t'i bindë turqit besimtarë, se ata kanë një vend në shoqëri. ... Si president, Gyli ka shansin, që të dëshmojë, që feja islame mund të bashkëjetojë me demokracinë dhe shtetin modern. Ky do të jetë kushti për hyrjen e mundshme të Turqisë në BE. Por do të shërbejë edhe si model për shtetet e tjera, që qendrojnë përballë njërës prej sfidave më të mëdha të shekullit."

Në Tages-Anzeiger nga Zvicra lexojmë:

"Turqia ka shkak për të qenë krenare. Disa javë më parë amtosfera ishte ende e turbullt, me vrasje politike, banda paraushtarake dhe një ushtri që i kërcënohej qeverisë. Pastaj turqit shkuan në zgjedhje dhe i dhuruan një fitore të qartë AKP-së islamiko-konservatore. Turqia me këtë nuk votoi për islamizmin. Por për demokracinë, qendrueshmërinë dhe arsyen e shëndoshë. Demokracia turke kapërceu një provë. Tani ajo ka një provë tjetër përpara. Me zgjedhjen e Angdullah Gylit si president fillon një epokë e re. Me guxim dhe zgjuarsi Turqia mund të çlirohet nga zgjedha e ideologjisë, që i kishte zënë deri tani rrugën drejt botës moderne."

Dhe së fundi një citat nga gazeta turke Star:

"Tani po spekulohet se si do të jetë Gyli si president. Ai është një njeri i hapur. Ne e njohim atë si kryeministër dhe ministër të jashtëm, si president nuk do të jetë më ndryshe. Përgjegjësia e rëndë që ka tani mbi supe e detyron të mbetet i njëjti."