Turqia liron nga burgu gazetarin gjermano-turk Deniz Yücel
16 Shkurt 2018Avokati i Deniz Yücel' Veysel OK shpërndau me anë të rrjetit të twitterit një fotografi të Deniz Yücelit dhe të gruas së tij Dilek Mayatürk, duke dëshmuar lirimin e Yücelit. Më herët, ministria e Jashtme gjermane konfirmoi një raport të së përditshmes gjermane Die Welt se Yüceli është i lirë.
Deniz Yücel qëndroi në burg për një vit, pa iu paraqitur ndonjë aktakuzë. Një zëdhënës i qeverisë gjermane tha se ai ndihet "i çliruar dhe i kënaqur" dhe falenderoi organet turke të drejtësisë. Ai tërhoqi vëmendjen që ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Sigmar Gabriel kishte "punuar intensivisht për të gjetur një zgjidhje". Ai shtoi edhe se nuk ka pasur "marrëveshje të pista".
Merkeli përshëndet lirimin e Yücelit
Kancelarja Merkel reagoi për lajmin nga Turqia për lirimin e Yücelit me këto fjalë:
"Gëzohem për të dhe për të shoqen dhe për familjen e tij, të cilëve iu desh të durojnë një vit shumë, shumë të vështirë të ndarjes". Merkeli i falenderoi të gjithë që u angazhuan për lirimin e Yücelit.
Agjencia shtetërore e lajmeve Anadollu raporton se një një gjykatë e Stambollit i kishte pranuar akuzat e paraqitura nga prokurorët, të cilët me sa duket përpiqeshin ta dënonin Yücelin me 18 vjet burg.
Yüceli ka si nënshtetësinë gjermane, ashtu edhe atë turke dhe është korrespodent i së përditshmes gjermane Welt. Atë e patën akuzuar se punon për organizata terroriste.
Në një takim me Kancelaren Angela Merkel të enjten, kryeministr turk Binali Yildirim la të kuptohet se ka "lëvizje"në rastin e Yücelit, duke ngjallur shpresa për lirimin e tij.
Shkurtin e vitit të kaluar, Yücelin e thirrën në një stacion policie për ta marrë në pyetje për një artikull që kishte shkruar për ministrin turk të Energjisë. Atë e arrestuan atje dhe më vonë e akuzuan për nxitje të popullit dhe se përdor "propagandë terroriste për të nxitur popullin."
Aktualisht në burgjet e Turqisë ndodhen më shumë se 100 gazetarë turq dhe gjashtë gjermanë.